Covid-19 i merr jetën një tjetër artisti. Këtë të martë ka humbur betejën me koronavirusin në moshën 56-vjeçare piktori shqiptar, Ziso Kamberaj.
Kamberaj jetonte mes Shqipërisë dhe Mynihut dhe luftën me COVID-19 e humbi gjatë kohës që po kurohej në një spital në Gjermani. Kamberaj kishte që prej muajit shtator që luftonte virusin e ndonëse iu dha mjekim i specializuar, 56-vjeçari nuk arriti që të mbijetonte.
Lajmi është konfirmuar nga vetë kolegët dhe familjarët e Kamberaj. Vëllai i piktorit Reso Kamberaj shkruan se ndarja nga jeta ishte e parakohshme.
“O Ziso, o vëllai ynë i vogël, na hidhërove. Te mori kovidi para kohe. Nuk ishte radha jote”, shkruan i vëllai i piktorit të ndjerë.
Profesor Pino Bonanno shkruante për piktorin; “Për Zison, vepra e artit është një brendësi, një vizion i botës, që është mbi të gjitha mjet për të formuar: një përmbajtje që shtjellohet në realizimin e një forme. Pra, nuk ekziston dualizmi formë-përmbajtje, por përmbajtja është në formën e parë, në dinamikë, si përmbushje e një procesi formues”.
Kamberaj lindi në Tiranë, ndërsa jetonte mes Shqipërisë dhe Mynihut, ndërkohë që la pas një pasuri të madhe me veprat e tij artistike.
Ziso Kamberaj ishte diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në 1992, në pikturë monumentale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



