Sipas ekspertit të shëndetit publik, Erion Dasho deri tani janë shfaqur dy modele për menaxhimin e krizës së COVID-19: modeli i heronjve dhe modeli i sistemeve shëndetësore.
Në një status në rrjetin social “Facebook” Dasho ka shkruar se për modelin e heronjve janë shfaqur dy forma, ata politikanë dhe klinicistë, e sipas tij qëllimi është të bindet popullata se janë duke u bërë të gjitha përpjekjet për shpëtimin e jetës së tyre, por baza është frikësimi i popullatës.
“Në Shqipëri, këtë model e pamë në periudhën e parë të epidemisë kur popullatës i flitej nga politikanët 24x7 për armikun, bombat, kamikazët, etj. Në formën e tyre “klinike”, heronjtë janë modele të krijuar dhe përdorur mediatikisht që me veshjen dhe pamjet e tyre të lodhur bëjnë thirrje sërish të kemi kujdes nga “hataja” që po na kanoset. Shpesh, baza e thirrjeve të tyre mbetet sërish rreziku dhe frikësimi. Modeli i heronjve është karakteristik për vendet e varfra, që “nuk kanë këllqe” të përballen me virusin nëpërmjet përafrimeve profesionale të cilat sot bazohen tek një informacion i përditësuar, të dhënat shkencore dhe përvoja mjekësore bashkohore,” shkruan Dasho.
Modeli i dytë i përballjes me epideminë bazohet tek sistemet shëndetësore. Në fakt, çelësi i suksesit për përballimin e epidemisë së COVID-19 është pikërisht përafrimi i integruar – d.m.th. ai përafrim ku nuk mendohet se individë apo masa të veçanta mund të bëjnë çudinë, por hartohet një përgjigje shumë-planëshe ku të gjithë nivelet e sistemit shëndetësor dhe më gjerë përgjigjen në mënyrë të koordinuar dhe harmonike.
Sipas ekspertit baza e gjithçkaje janë tre nivelet klasike të parandalimit që njeh shkenca mjekësore dhe ajo e shëndetit publik:
- Niveli i parë: në mungesë të një mase të parandalimit specifik (vaksina), bazohet tek masat klasike të shëndetit publik (distancimi dhe maskat), por edhe tek ato moderne si aplikacionet, platformat big data, algoritmet e inteligjencës artificiale, etj. Përgjithësisht, ndërhyrjet e efektshme në këtë nivel bazohen tek pesë parimet e Kartës së Otavës.
- Niveli i dytë: diagnoza dhe trajtimi i hershëm sipas trinomit Testo-Gjurmo-Trajto. Synimi kryesor është që trajtimi të ofrohet në kushtet e shtëpisë dhe vetëm rastet e komplikuara të transferohen në spital.
- Niveli i tretë: trajtimi i hershëm dhe agresiv i komplikacioneve për të bërë të mundur që dëmet në mushkëri dhe ato sistemike nuk përparojnë për të krijuar situata ku rrezikohet jeta e pacientit. Këtu nevojitet “artileria e rëndë” – spitalet terciare, strukturat e specializuara të kujdesit intensiv, intubimi, etj.
Për sa i përket trajtimit në shtëpi eksperti shpjegon se bazohet në protokolle të cilët rifreskohen vazhdimisht dhe për zbatimin e të cilave trajnohen, ri-trajnohen dhe mbështeten mjekët e familjes nga kolegët e tyre specialistë. Më tej Dasho shton se në një sistem pacienti nuk kalon nga shtëpia në spitalin terciar direkt sepse kur është në gjendje të vështirë simptomat e tij duhet të trajtohen në spitalin rajonal.
“Vetëm ministria jonë e shëndetësisë dhe komiteti ynë i ekspertëve “shpiku” heronjtë e COVID-it të cilët janë të vetmit që mund të përballen me “armikun e padukshëm” duke harruar se në shëndetësi ka dhjetëra vjet që modeli i heronjve i ka vendin modelit të sistemeve dhe ekipeve! Vetëm duke zbatuar një përafrim të integruar ndaj COVID-19, epidemia do të vendoset nën kontroll, tendencat e epidemiologjike do t’i shohim në rënie dhe, mbi të gjitha, numrat e pacientëve në gjendje të rëndë dhe të atyre që humbasin jetën, do të minimizohen. Përndryshe na pret një sfidë e gjatë dhe e dhimbshme nga covid-19,” përfundon Dasho.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.