Koronavirusi ka ndryshuar mënyrën se si ne punojmë por nuk mbesin pas dhe ndryshimet që kanë ndodhur në ditën tonë. Disa ekspertë kanë folur për jetën pas pandemisë, si do të jetë dhe çfarë gjërash priten të ndryshojnë.
Tony Wheeler, një sipërmarrës anglez, shkrimtar udhëtimesh dhe drejtor i kompanisë së librave udhëzues “Lonely Planet” – Kur bëhet fjalë për pandeminë, unë vazhdoj ta përsëris këshillën e mençur të lojtarit të bejsbollit dhe filozofit Yogi Berra se “është e vështirë të bësh parashikime, veçanërisht për të ardhmen”.
Në lojën e udhëtimit, është e vështirë edhe të kuptosh se çfarë po ndodh në të tashmen. Disa vende nuk i lejojnë njerëzit të dalin jashtë, vende të tjera nuk lejojnë njerëz të futen dhe shumë shtete që i ndryshojnë rregullat shpesh. Asnjë nga këto nuk inkurajon udhëtimet dhe ndoshta njerëzit do të mendohen dy herë para se të vendosin për të udhëtuar. Përveç që të merremi me burokracinë dhe rregullat, udhëtimet post-pandemike do të jenë një botë e re shumë e ndryshme.

A do të jemi të mirëpritur? A do të jemi të sigurt? A mund ta përballojmë? Gjithçka do të jetë e paqartë dhe nuk do mund të jemi të sigurt për të që po bëjmë, të paktën për shumë kohë.
Audrey Azoulay, Drejtoresha e Përgjithshme e Unesco-s– Covid-19 është një provë që tregon se kurrë jeta e kaq shumë njerëzve në botë nuk është prekur në këtë shkallë dhe shpejtësi.
Gjatë muajve të fundit, mijëra inovacione të AI(Artificial Inteligence) kanë dalë në përgjigje të sfidave të jetës nën izolim. Qeveritë po fusin mësimin online si dhe janë shpikur aplikacione për gjurmimin e kontakteve.
Gjithsesi ky transformim dixhital mund të sjellë një sërë problemesh në jetën e njerëzve pasi tani ka një rrezik të madh përsa i përket privatësisë.
Prandaj duhet që AI të hartohet, zhvillohet dhe vendoset në përputhje me vlerat themelore njerëzore dhe Unesco po punon për këtë.
Ndërsa përballemi me sfida të reja, më parë të paimagjinueshme, si pandemia, ne duhet të sigurohemi që mjetet që po zhvillojmë të funksionojnë për ne dhe jo kundër nesh.
Ezekiel Emanuel, Kryetar i Departamentit të Etikës Mjekësore dhe Politikës Shëndetësore, Universiteti i Pensilvanisë– Çfarë do të dëshirojmë ne në një botë post-pandemike?
Ekzistojnë tre ide të qarta nga pandemia e Covid-19. Të gjitha rrjedhin nga rrethanat e pakëndshme të imponuara nga pandemia.
Së pari, të gjithë duam siguri. Pandemia na ka mbushur me pasiguri. Përgjigja e natyrshme është të duash siguri. Kjo do të thotë siguri për të patur të ardhura, kujdesin për fëmijët, familjen dhe gjëra të tjera të nevojshme gjatë një pandemie. Çdo vend do të duhet të vlerësojë në mënyrë kritike rrjetin e tij të sigurisë sociale dhe ta mbështesë atë.
Së dyti, të gjithë duam shoqëri. Njerëzit janë qenie shoqërore. Izolimi i vendosur nga Covid-19 është dobësues. Ne duam të kemi mundësi të jemi me njerëz të tjerë, të ndajmë vaktet, të ndajmë një pije dhe të ndajmë aktivitete.
Së treti, udhëtimi do të shpërthejë pas pandemisë. Njerëzit pëlqejnë risinë (e sigurt) dhe ndryshimet e pamjes. Të gjithë kemi qenë të mbyllur me monotoninë e dhomave të njëjta, rutinën e njëjtë të ecjes, pamundësinë për të parë gjëra të reja. Kur të jetë e sigurt për të udhëtuar, njerëzit do të udhëtojnë, udhëtojnë dhe vetëm udhëtojnë.
Ma Yansong, Arkitekt dhe Themelues i MAD Architects, Pekin– Cili është roli i hapësirave publike në qytete?
Covid-19 në fillim ishte një çështje e shëndetit publik dhe më pas u zhvillua më tej si një shqetësim politik. Ai sfidoi natyrën e dizajnit urban dhe na shtyu të rishikojmë arkitekturën e përdorimit dhe hapësirën e qytetit.
“Ndarja” dikur ishte një nga axhendat më të rëndësishme në hartimin dhe planifikimin urban. Në praktikat tona të kaluara, ne bënim shumë përpjekje për të siguruar hapësirë që të stimulohen ndërveprimet shoqërore dhe diçka e tillë u konsiderua si një veprim pozitiv dhe revolucionar. Sidoqoftë, pandemia çoi në më shumë diskutime mbi izolimin dhe distancimin shoqëror, sesa ndarjen dhe bashkëjetesën. Përpjekjet tona për sigurimin e një hapësire më të mirë publike vihen në dyshim dhe ato mund të konsiderohen më jo aq të rëndësishme.
Në planin afatgjatë, hapësira publike do të jetë ende themeli për ndarjen e qyteteve tona. Ne nuk mund ta imagjinojmë qytetin si një spital që funksionon në mënyrë perfekte, sepse qyteti duhet të tejkalojë funksionalitetin dhe të pasqyrojë idealin tonë për të jetuar. Komunikimi ndërpersonal është ende thelbësor, por në epokën post-pandemike mund të sfidohet shumë.
Maimunah Mohd Sharif, Drejtor Ekzekutiv i “Programi i Vendbanimeve i Kombeve të Bashkuara”– Si mund të ndihmojnë qytetet në zgjidhjen e pabarazive të krijuara nga pandemia?
Me rreth 90% të të gjitha rasteve të raportuara me Covid-19, qytetet janë bërë epiqendra e pandemisë. Në të njëjtën kohë, unë besoj se zgjidhjet për sfidat socio-ekonomike dhe shëndetësore gjenden në qytete.
Qytetet tashmë po ndryshojnë sepse banorët kanë transformuar mënyrën e të jetuarit dhe të punës.

Nuk është dendësia e qyteteve që çon në infektimin e njerëzve, është qasje e pabarabartë në banesa të përshtatshme, energji, ujë, kanalizime, transport, hapësira të gjelbërta publike, kujdes shëndetësor dhe arsim. Qytetet do të shohin ndryshime dramatike sepse qytetarët nuk do të durojnë këto pabarazi. Ajo që do të kërkojmë në një shtëpi dhe në mjedisin tonë të jetesës do të përcaktohet nga vendi ku e gjejmë veten. Shpresa ime është që njerëzit do arrijnë të kuptojnë se duhet të ketë një përhapje të drejtë të burimeve nëpër qytete.
Do të na duhet një revolucion i ndjeshmërisë për t’u siguruar që të mos lëmë pas grupet më të prekshme.
Michael Banissy, Profesor i Psikologjisë në Universitetin e Londrës– Si do të shoqërohemi?
Ndërveprimi shoqëror ndikon në shumë fusha të jetës sonë duke ndikuar në vendin e punës, jetën në shtëpi dhe shumë aktivitete të përditshme. Në shumë raste, një nga faktorët më të mëdhenj të shëndetit mendor dhe fizik është cilësia e marrëdhënieve shoqërore.
Për mua, pyetjet e mëdha të lidhura me pandeminë kanë të bëjnë me mënyrën se si mund të mbështesim ndërveprimin shoqëror ndërsa ecim përpara. Me një larmi fazash izolimi, nuk ka dyshim se mundësitë tona për ndërveprim shoqëror janë zvogëluar. A do të jemi të hapur për përdorimin e teknologjisë dhe robotikës sociale më shumë? A do të na japë teknologjia të njëjtën cilësi të ndërveprimeve shoqërore që janë të rëndësishme për mirëqenien sociale, inovacionin social dhe produktivitetin shoqëror? Apo një dëshirë për ndërveprim ballë për ballë do të thotë që kemi më pak të ngjarë të përfshihemi dhe të përfitojmë nga këto forma alternative të ndërveprimit?
Nuk ka dyshim se do të ketë shumë norma të reja shoqërore, por ne mund të jemi të sigurt se ka të ngjarë të dëshirojmë të jemi të shoqëruar, të mblidhemi së bashku dhe të flasim për të gjitha.
Amanda Levete, arkitekte – A mund të bëhen më kuptimplota lidhjet tona në komunitet?
Kjo pandemi ka ngritur çështje të ndryshme ekzistenciale, çështje rreth racës, pabarazisë dhe mjedisit. Por gjithashtu ka zbuluar fuqinë që merr fryma e përgjegjësisë kolektive dhe ka treguar se ndryshimi rrënjësor është i mundur.
Fatkeqësia na ka kujtuar se të gjithë kemi një rol për të luajtur në botën tonë të ndërlidhur, të jemi më të përgjegjshëm, bujar dhe të vlerësojmë rëndësinë e gjërave të vogla. Ne duhet të dëshirojmë një shoqëri më të drejtë për të krijuar vende ku mund të jetojmë më mirë së bashku dhe më mirë me natyrën. Vende që promovojnë një rrjet bashkëpunimi dhe ku njerëzit mund të rizbulojnë artin e të jetuarit dhe qytetet janë vende të mundësive.
Chan Heng Chee, Kryetari i Qendrës “Lee Kuan Yew” të Qyteteve Inovative, Universiteti i Teknologjisë dhe Dizajnit i Singaporit – Si do të duken qendrat e qytetit?

Do të ketë humbje të mëdha të vendeve të punës dhe ata që do të kenë punë do ta ‘përqafojnë’ atë. Plus që shumë do e konsiderojnë punën nga shtëpia.
Por çfarë do të bëhet me qendrat e qyteteve? Mbi të gjitha, çfarë është një qytet global apo një qytet kryesor pa një qendër të gjallë të qytetit? Hapësira e papërdorur e zyrave do të ripozicionohet dhe mënyrat e ringjalljes së bërthamës së qytetit do të ndryshojnë por gjithsesi bërthama nuk do të humbasë vendin e saj pasi ka kompani që kurrë nuk do e lëshojnë ‘vendin’ e tyre.
Burimi: BBC. Përktheu: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



