Spencer Elden, i cili u shfaq si një foshnjë e zhveshur në një nga kopertinat e albumeve më ikonike të muzikës rock “Nevermind” të Nirvana paditi grupin, duke pretenduar se ai ishte shfrytëzuar seksualisht si fëmijë.
Në një padi të ngritur në një gjykatë në Kaliforni kundër 15 personave, duke përfshirë anëtarët e mbijetuar të grupit, të venë e Kurt Cobain, Courtney Love dhe etiketat diskografike që lëshuan, ose shpërndanë albumin në tre dekadat e fundit, Elden pretendon se të pandehurit prodhuan pornografi për fëmijë me imazhin, që e shfaq atë duke notuar lakuriq drejt një kartëmonedhe 1 dollarësh me organet gjenitale të tij të dukshme.
Padia e Elden akuzon të pandehurit për “shfrytëzim komercial të tij që kur ishte i mitur deri në ditët e sotme… të pandehurit me vetëdije prodhuan, poseduan dhe reklamuan pornografi komerciale të fëmijëve”.
Elden, i cili ishte katër muajsh kur u bë imazhi i “Nevermind”, thotë se ai ka pësuar “dëme të përjetshme” nga kopertina e albumit të vitit 1991, duke përfshirë “shqetësime ekstreme dhe të përhershme emocionale me manifestime fizike e mendore”, plus humbje të mundësisë për t’u arsimuar, pagave dhe kënaqësisë së jetës.
Padia pretendon se imazhi është “seksualisht grafik” dhe thotë se e bën Elden të ngjajë me “një punëtor seksi duke kapur një kartëmonedhë 1 dollarëshe”. Pretendohet se Elden nuk u pagua kurrë për paraqitjen në në kopertinë dhe se prindërit e tij kurrë nuk nënshkruan një formular autorizimi për imazhin në fjalë, që u xhirua posaçërisht për kopertinën e albumit. Më parë është raportuar se Elden ishte paguar 250 dollarë.
Elden po kërkon dëmshpërblim prej të paktën 150,000 dollarë nga secili prej 15 të pandehurve, plus kostot shtesë dhe kërkon që çështja të gjykohet nga një juri. Të pandehurit ende nuk i janë përgjigjur padisë, apo e kanë komentuar atë publikisht.
Në vitin 2016, Elden rikrijoi imazhin në gazetën New York Post për të shënuar 25-vjetorin e albumit, duke thënë: “Është bukur, por e çuditshme të jesh pjesë e diçkaje kaq të rëndësishme, që as nuk e mbaj mend”. Atë vit ai gjithashtu se “Kohët e fundit kishte menduar: po sikur të mos isha dakort me shfaqjen e penisit tim në kopertinë për të gjithë?
“Unë nuk jam pyetur për këtë imazh”, deklaroi Elden, ndërsa të njëjtin imazh e ka rikrijuar edhe në moshën 10-vjeçare për Rolling Stone.
Në vitin 2007 ai i tha Sunday Times se ishte “bezdisëse që shumë njerëz e kanë parë të zhveshur. “Ndihem si pornostari më e madhe në botë ”, deklaronte ai.
Robert Fisher, i cili dizajnoi kopertinën tha se imazhi ishte frymëzuar nga Kurt Cobain duke parë një dokumentar për foshnjat që lindnin nën ujë. “Ai mendoi se imazhi do të bënte një kopertinë të lezetshme. Ky vizion ishte pak shumë grafik, kështu që ne shkuam me foshnjën që notonte. “Është parë nga shumë fansa si një imazh komik”, tregon ai.
Kirk Weddle, i cili xhiroi imazhin i tha Guardian në vitin 2019: “Ai mendon se të gjithë fituan para nga ai dhe ai jo. Unë mendoj se ai meriton diçka”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



