Lajme

Covdi-19/ AKU sanksione pikave ushqimore kryesisht për kosin dhe djathin

Task Forca e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit gjatë 390 kontrolleve të kryera në 24 orët e fundit në të gjithë vendin, në garantim të sigurisë ushqimore dhe monitorime kundër përhapjes së COVID-19 bën me dije se ka gjetur shkelje të sigurisë ushqimore në disa qytete në vend, teksa kontrollet vijojnë në rutinën e tyre.

Në Korçë janë bllokuar 100 kg “kos” dhe 50 kg “djathë kaçkavall” në një stabiliment “përpunim qumështi”, pasi nga përgjigjet e analizave laboratorike për mostrat e marra, kanë rezultuar me ngarkesë bakteriale (enteriobacterie dhe E.Coli) mbi normën e lejuar të legjislacionit në fuqi, sasi kjo e destinuar për asgjësim.

Po ashtu, bën me dije AKU, në 2 subjekte në Tiranë është bërë asgjësimi i 4.5 ton produkteve ushqimore me kërkesë të vetë subjekteve. Ndërsa në Fier, është marrë masë administrative “Paralajmërim” ndaj 1 subjekti, si dhe në kuadër të Planit të Mostrave janë marrë 16 mostra produktesh ushqimore (domate, kastravecë, patate dhe speca) për analizim laboratorik.

AKU thotë se gjatë inspektimeve në qarqet Shkodër, Berat, Fier dhe Dibër janë dhënë këshillime dhe janë lënë detyra ndaj subjekteve që nuk kanë plotësuar protokollet e sigurisë, të tilla si: mungesën e xhamit mbrojtës, mungesën e sinjalistës për distancimin fizik, si dhe afishimin e posterave.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit sqaron se do të vijojë kontrollet në të gjithë vendin, në garantim të sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së shëndetit të konsumatorëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë