Transporti përbën 21% të emetimeve globale të karbonit. Tani është sektori më i madh i emetimeve në shumë vende të zhvilluara. Ndërsa Evropa dhe Amerika e Veriut dominojnë emetimet historike të transportit, pjesa tjetër që mund të ketë rritje të emetimeve është edhe Azia. Christian Brand pedagog i Energjisë dhe Mjedisit, Njësia e Studimeve të Transportit, Universiteti i Oksfordit shpjegon se nëse politikat aktuale dhe të përkushtuara do të kishin sukses, emetimet e karbonit të transportit do të rriteshin pothuajse 20% deri në vitin 2050. Sipas tij ka shtatë arsyet pse transporti global është veçanërisht i vështirë për t’u dekarbonizuar.
1. Kërkesa është e lidhur ngushtë me popullsinë dhe rritjen ekonomike.
Ai shpjegon se ndërsa rritet ekonomia dhe popullsia, rritet kërkesa për mallra, po ashtu edhe numri i njerëzve me dëshirën dhe mjetet për të udhëtuar.
“Në nivel global, aktiviteti total i transportit pritet të dyfishohet deri në vitin 2050 krahasuar me vitin 2015 sipas trajektores që pasqyron përpjekjet aktuale. Çdo përparim teknologjik në dekarbonizimin e transportit thjesht do të kompensohej nga rritja e kërkesës për lëvizshmëri. Kjo ka bërë që shumë njerëz të besojnë se nuk ka asnjë mënyrë që të arrijmë objektivat e dekarbonizimit të marrëveshjes së Parisit deri në vitin 2050 pa e ulur kërkesën në nivele më të qëndrueshme,” shkruan Brand.
Eksperti shton se kjo është e vështirë të bëhet. Ai kërkon transformimin e të gjithë sistemit të transportit, duke përfshirë trajtimin se sa shpesh dhe sa larg udhëtojmë dhe lëvizim mallrat. Sipas tij disa nga opsionet më premtuese, si ri-alokimi i hapësirës rrugore dhe taksat më të larta të karburanteve fosile, kanë rezistuar.

2. Transporti është ende 95% i varur nga nafta.
Si një arsye të dytë eksperti shpjegon se varësia totale nga nafta në të gjitha format e transportit të pasagjerëve dhe mallrave është e vështirë të ndryshohet. Siç u përcaktua edhe në Samitin e Klimës Cop26 zëvendësimi i naftës me “karburantet” me karbon të ulët, si energjia elektrike, do të reduktojë në mënyrë drastike emetimet deri në vitin 2050. Por eksperti shton se edhe një skenar optimist ku shitjet globale të makinave të reja ishin 60% elektrike deri në fund të dekadës, do të bënte që emetimet e CO₂ nga makinat të bien me vetëm 14 % deri në vitin 2030 krahasuar me 2018.
3. Jemi shumë të fiksuar pas makinave elektrike.
Programi i presidencës COP26 fokusohet tërësisht në elektrifikimin e transportit rrugor. Megjithatë, emetimet e ciklit jetësor nga automjetet elektrike varen shumë nga lloji i energjisë elektrike, bateria dhe materialet e përdorura. Eksperti shton se globalisht, përvetësimi ka qenë i ngadaltë.
“Makinat elektrike nuk zgjidhin problemet e bllokimit të trafikut rrugor, sigurinë dhe çështje të tjera të varësisë nga makina. Ata gjithashtu kanë nevojë për një furnizim të besueshëm me energji elektrike jo e dhënë në shumë pjesë të botës dhe nuk trajtojnë pabarazinë e transportit dhe padrejtësinë sociale brenda dhe ndërmjet vendeve, veçanërisht në botën në zhvillim ku makinat elektrike mund të jenë vetëm një opsion për të fuqishmit dhe të pasurit.

4. ‘Zero-karboni’ është ende një mirazh.
Udhëtimi ajror në distanca të mesme dhe të gjata është i vështirë për t’u dekarbonizuar sepse teknologjitë realiste “zero-karbon” janë të kufizuara për distanca më të gjata. Brand shpjegon se bateritë e avionëve elektrikë thjesht nuk mund të ruajnë energji të mjaftueshme ndërsa mbeten mjaftueshëm të lehta.
Megjithatë, ne duhet të jemi në gjendje të zvogëlojmë numrin total të fluturimeve, për shembull, duke futur tarifa për fluturime të shpeshta. Sipas një hulumtimi të fundit nga Instituti i Mjedisit të Stokholmit dhe Instituti për Politikat Evropiane të Mjedisit disa fluturues të shpeshtë shkaktojnë shumicën e emetimeve: në vitin 2018, 50% e emetimeve të aviacionit shkaktoheshin nga 1% e popullsisë së botës dhe rreth 80% e njerëzve në botë nuk kanë fluturuar kurrë.
5. Anijet e mallrave funksionojnë me naftë dhe zgjasin për dekada.
Eksperti shton se sektori i transportit detar që është i vështirë për t’u dekarbonizuar nuk ishte pjesë e marrëveshjes së Parisit dhe parashikohet të përfaqësojë deri në 10% të të gjitha emetimeve globale deri në vitin 2050 nëse lihet i pakontrolluar.
“Anijet qëndrojnë për dekada dhe funksionojnë kryesisht me llojin më ndotës të naftës fosile. Elektrifikimi nuk është një opsion i mundshëm. Ashtu si me aviacionin, anijet operojnë në një treg global, kështu që janë të vështira për t’u qeverisur dhe rregulluar. Por sektori ka potencial të konsiderueshëm për të reduktuar emetimet përmes një kombinimi të rikonstruksionit për të përdorur lëndë djegëse me karbon zero, si amoniaku i gjelbër dhe “avullimi i ngadalshëm”. Një ulje prej 20% në shpejtësinë e anijeve mund të kursejë rreth 24% të CO₂,” shton Brand.
6. Kemi ngecur në zakone të këqija.
Shumë vende të zhvilluara janë të ngecura në infrastrukturat dhe stilet e jetesës me karbon të lartë.
“Shumica e qyteteve moderne janë ndërtuar për t’u shërbyer makinave, jo njerëzve. Rrugët, parkingjet, rrugët e nevojshme janë vendosur të zgjasin me dekada. Për ta kthyer këtë, nevojitet një ndryshim në mënyrën se si ne përdorim tokën tonë dhe transformojmë qytetet tona, si në drejtim të zbutjes së ndryshimeve klimatike ashtu edhe në përshtatjen me efektet e tij. Kjo do të kërkojë investime dhe vullnet politik,” thotë Brand.
Eksperti shpjegon se financimi i madh për programet e reja të ndërtimit të rrugëve duhet të ri-alokohet për të financuar transportin publik me cilësi të lartë, me emetim zero dhe udhëtime aktive. Sipas tij kjo është pjesa e lehtë por vullneti politik dhe lidershipi përballë pasigurisë dhe rezistencës fillestare ndaj ndryshimit është më i vështirë për t’u gjetur.
Burimi:The conversation/Përshtati:Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




