Pa thënë asnjë fjalë, të parin ka gjuajtur sportelistin e xhamisë. Më pas ne ecje e sipër me thikë në dorë dhe shikim të përhumbur ka qëlluar këdo që i ka dalë përpara në mjediset e brendshme të xhamisë. Pak minuta më vonë, mbasi pesë të plagosurit e tij kërkonin ndihmë, qytetarët e kapën për krahësh duke parandaluar vijimin e masakrës.
"Aty mbaje .., a ja hoqët thikën apo e ka ende ?" dëgjohet zëri i lartë i një qytetari. Një tjetër që ia ka lidhur duart mbi kokë i përgjigjet dikujt tjetër: "ka vrarë 6 vetë , hyri në xhami dhe qëlloi". Disa të tjerë e qëllojnë me shkelma dhe grushta në kokë.
Ai për të cilin flasin e bërtasin e mbajnë të shtrënguar gjysmë të ulur pranë një peme, quhet Rudolf Nikolla. Me një thikë që paloset, më tepër e ngjashme me një biçak, 34-vjeçari hyri në xhaminë “Dine Hoxha” dhe pa thënë asnjë fjalë qëlloi në drejtim të besimtarëve. Katër vetë mbetën të plagosur brenda objektitë të kultit, i pesti ishte një qytetar që i rastësishëm në afërsi të Xhamisë. Kjo skenë e neutralizimit të një agresori nga qytetarët, që plagosi besimtarë është filmuar nga nje shtetas që gjendej rastësisht në rrugën e Kavajës. Agresori u identifikua më pas si Rudolf Nikolla, nga Burreli. I riu sipas policisë së Tiranës rezulton dhe më herët i skeduar për një ngjarje të ndodhur më pak se një muaj më parë në terminalin e autobuzëve.
"Në këtë rast Nikolla , sulmoi njësoj si me agresionin e fundit një bashkëqytetar që punon shofer i linjës Tirane Klos. Shoferi po priste të niste udhëtimin , kur pasagjeri pa asnje koment i është afruar nga pas kurrizit dhe e qëlloi në këmbë. R. M e identifikoi agresorin në polici por nuk dorëzoi kallzim ndaj tij" thotë për Gazetën “Si” një zyrtar i policisë numër 3, që është i njëjti komisariat që po kryen veprimet hetimore për të kuptuar se cilat janë motivet e këtij sulmi të pandodhur më parë në vendin tonë. Për këtë sulm me thikë , ai u shpall në kërkim policor dhe u hoq nga kërkimi pasi dëmet ndaj qytetarit u vlerësuan të parëndësishme për shëndetin.
Por burimet e Gazetës “Si” konfirmojnë se Nikolla vuan nga probleme të shëndetit mendor. Ky informacion konfirmohet nga policia e Burrelit që thotë për Gazetën “Si” se prej muajsh i riu ishte kthyer problem për anëtarët e familjes të cilët jetojnë në Klos: "Ai është i papunë, nga informacionet paraprake kuptohet dhe thuhet pas ngjarjes së Tiranës që ai ushtronte dhunë ndaj të atit i cili e kishte paralajmëruar se do ta denonconte. Por një veprim i tillë nuk ka ndodhur. Ka të dhëna se në nje rast , Nikolla ka rrahur një shofer autoambulance të qytetit dhe sipas asaj që pohojnë njerëzit që i njohin, ai e kreu këtë veprim ngase i ati i tha që do ta conte në spital për ta kuruar". Por policia lokale këmbëngul se i riu nuk kurohej dhe as mbahej nën kontroll me mjekim ambulator.
Në rrjetet sociale Nikolla disponon llogari në facebook ku e përshkruan veten si një ndjekës të Muhamed Ali. Ai citon kuranin në një rast teksa shkruan "çdo njeri është peng i veprave të tij" dhe më pas shkruan "nëse njerëzit do kuptonin rëndësinë e krijimit rë tyre, padyshim do të ndërgjegjësoheshin". Burimet e gazetës Si tregojnë se 34 vjecari kishte tentuar disa herë emigracionin dhe gjendja e tij mendore ishte rënduar mbas kthimit nga jashtë shtetit ku ishte kapur si migrant i paligjshëm. Mbas sulmit 34-vjeçari është dërguar në spital nën gjendje arresti dhe do të merret në pyetje nga Antiterrori.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.