Libra

Çmimi ‘Lumo Skëndo’, një i djathtë që nderon të majtët

Nga Gazeta “Si” – Rexhep Qosja me veprën “ “Për lirinë, të vërtetën dhe të drejtën” është shpallur  fitues i edicionit të katërt të çmimit “Lumo Skendo”.

Në një ceremoni modeste në ambientet e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit,  kushtëzuar dhe nga mungesa e fituesit , juria e dha verdiktin  e saj duke zgjedhur Qosen mes dhjetë kandidatëve.

I themeluar në vitin 2006 çmimi Kombëtar “Lumo Skëndo” jepej nga Biblioteka Kombëtare dhe fokusohej kryesisht te bibliofilia dhe ana estetike e librit, sigurisht duke pasë parasysh edhe brendinë e tij. Edhe emri i çmimit “Lumo Skendo” si pseudonim i Mit’hat Frashërit, jo pa qëllim lidhet me një personalitet dhe themelues i bibliofilisë shqiptare, duke dashur kështu të krijohej një traditë e mirë e librave të rrallë jo vetëm në subjekt por edhe në estetikën e jashtme të librit. Por prej vitit 2021 ky çmim ka ndryshuar status. Tashmë nuk është Biblioteka Kombëtare që e përzgjedh dhe e shpall por Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.  

Një i djathtë që nderon të majtët

Figura e Mit’hat Frashërit si kryetar i Ballit Kombëtar i cili luftoi kundër ardhjes së komunistëve në pushtet e profilizuan atë si një figurë simbol të antikomunizmit por dhe simbol të mendësisë së poltikës së djathtë.

Gjithsesi historia e çmimit që mban emrin e tij, tregon një qasje krejt të kundërt, ku në katër edicionet e fundit, çmimi “Lumo Skendo” është fituar nga tre figura publike të pozicionuar dhe deklaruar si të majtë. Lea Ypi, studiuese dhe filozofe e së majtës dhe pedagoge e marksizmit në London School of Economics ishte fituesja e vitit 2021 për të cilën pati jo pak diskutime dhe debate. Gjithashtu Ben Blushi, ish deputet i Partisë Socialiste i cili e fitoi këtë çmim në vitin 2022 dhe së fundmi Rexhep Qosja, akademiku i pozicionuar shpesh pro së majtës në shkrimet e tij publicistike por edhe në deklarata mediatike ku nuk nguron të mbështesë të majtën në Shqipëri.

Këtë fakt e thekson edhe kryetarja e jurisë së këtij viti Prof.Belina Budini e cila thotë për Gazetasi.al se diskutimet mbi këto vendime kanë qënë gjithmonë të pranishme por që nuk kanë arritur deri në kontestime.

Belina Budini

“Kontestime për çmimin nga konkurentët nuk kemi pasur por diskutime dhe biseda në grupet letrare dhe jo vetëm ka pasur për arsyen se figura e Mit’hat Frashërit i përket së djathtës politikisht dhe fituesit në fakt në tre edicioni kanë qenë individë me bindje të majta, Lea Ypi , Ben Blushi dhe Rexhep Qosja. Përzgjedhja sigurisht ka qënë e vështirë,  qoftë për dhjetëshen finaliste apo për pesëshen më pas e deri tek fituesi sepse veprat konkurente janë serioze. Në përzgjedhjen tonë nuk ka kriter politik” thotë ajo.

Rexhep Qosja dhe testamenti i tij

Për arsye shëndetësore Rexhep Qosja nuk ishte i pranishëm në ceremoni por nëpëmjet një videomesazhi ai përshëndeti dhe falënderoi jurinë për vlerësimin dhe gjithashtu shprehu nderimin e tij për figurën e Mit’Hat Frashërit”

“Falenderoj përfaqësuesit e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, si dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Kulturës, që veprën time “Për lirinë, të Vërtetën dhe të Drejtën”, e kanë shpallur Vepra më e Mirë Publicistike dhe Eseistike për vitin 2024, duke e shpërblyer e Çmimin “Lumo Skëndo”, që është pseudonim i Mit’hat Frashërit.

Çmimi “Lumo Skëndo”, me të cilin vlerësohet vepra ime në fjalë, është nderim i veçantë që më dhurohet, në moshën në të cilën jam”  tha ndër të tjera akademiku Rexhep Qosja.

Rexhep Qosja

Gjithashtu botuesja e Qoses, Irena Toçi përcolli për Gazetasi.al ndjesitë e akademikut të shquar kur mori lajmin e triumfit në këtë garë jo të lehtë me shumë personalitete të tjera.

“Ai është shumë i lumtur për këtë nderim i që i bëhet sepse veç të tjerave ai e admiron figurën e Frashërit në të gjitha dimensionet e tij. Mendoj se vlera është dy anshme pasi edhe çmimi i jep vlera Qoses por dhe Qose i jep vlera të mëdha çmimit” thotë Toçi.

Ajo shton se vepra e tij e fundit “Për lirinë, të vërtetën dhe të drejtën” është cilësuar nga vetë Qose si një testament i tij.

“Këtë vepër të fundit që është një numër i madh i artikujve të tij të shkruar,që kanë lidhje me çeshtje të rëndësishme të shqiptarisë ai e ka cilësuar si një testament të tij për shoqërinë shqiptare. Ishim ne si shtëpi botuese që ngulëm këmbë ta hiqnim fjalën testament nga titulli duke menduar se Qose ka ende jetë dhe energji për të shkruar të tjerë artikuj” përfundoi Toçi.

Por sa e pranishme është politika në letërsi apo letërsia në politikë, qoftë edhe me çmime si ky i “Lumo Skendo”  është një temë e gjerë e cila ende nuk është studiuar sa duhet.

Për sa kohë këto dy vokacione frymëzojnë njëra tjetrën, atëherë edhe mund të besohet se letërsia dhe veprat intelektuale do ta tejkalojnë ndasinë militanteske , e cila për fat të keq në vendin tonë është bërë shpesh arsye për veçim dhe jo përbashkim. Pikërisht vepra e fundit e Qoses, na fton drejt kësaj të fundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë