Treg

Çmimi i vezëve u rrit edhe 25%, këtë herë nga gripi i shpendëve

Nga Megi Iskurti – Gripi i shpendëve ka provokuar një rritje shtesë të çmimit të pulave dhe të vezëve në supermarketet shqiptare.

Çmimi i vezëve që disa ditë më parë u rrit nga efektet zinxhirë të pushimit të Ukrainës tani shënon një rritje me 25% pasi sipas tregtarëve, gripi i shpendëve ka ndikuar në uljen e prodhimit vendas të tyre.

Në një vëzhgim që Gazetasi.al bëri në disa supermarkete të ndryshme të Tiranës, konstatoi se çmimet e vezëve janë rritur për herë të dytë me rreth 40 lekë më shumë.

“Rritja e parë e çmimeve që na diktuan tregtarët erdhi sepse u rritën çmimet e bazës ushqimore. Misri u rrit nga 37lekë/kg në 58 lekë/kg. Soja ishte 95 lekë/kg ka shkuar 125 lekë/kg. Vaji i sojës (pjesë e bazës ushqimore për pulat) ishte 150 lekë/litër ka shkuar 300 lekë/litër.

Veç këtyre, tani u desh edhe gripi i shpendëve që i shtrenjtoi akoma më tej çmimet”, thotë për Gazetasi.al njëra nga shitëset tek “Bio Market”, aty ku 15 kokrra vezë kushtonin 430 lekë nga 350 lekë që kishin qenë para disa kohësh.

Ajo shton për Gazetasi.al se nëse situata do të vijojë në këtë mënyrë, çmimi i vezëve do të rritet sërish.

“Konsumatorët ka ditë që tashmë ankohen për çmimet e larta thuajse të të gjithë produkteve, por rritja e çmimit të vezëve duket se i ka shqetësuar më shumë. Mbase sepse është një nga produktet bazë të shportës. Megjithatë, nuk është në dorën tonë. Nëse prodhimi i ulët vendas i tyre vijon, ne do të jemi të detyruar të rrisim çmimet”, thotë mandej ajo për Gazetasi.al.

Për prodhuesit e vezëve, gripi i shpendëve ishte e fundit gjë që duhej pas shtrenjtimit të lëndëve të para dhe frikës së mungesës së tyre në treg.

Mbyllja fillestare e eksporteve të Serbisë i detyroi ata të nisnin furnizimet me misër edhe me sojë nga Kanadaja dhe Amerika Latine ku çmimet janë jo vetëm më të larta, por edhe koha e mbërritjes është më e largët. Ndërsa misrin në 2019-n ata e blenë 150 euro/ton, në mars të këtij viti u ble 250euro/ton.

Tek “Spar”, një tjetër supermarket, 8 kokrra vezë aktualisht kushtojnë 280 lekë nga 190. Rritja e dytë e çmimeve, sipas tyre, ka ardhur po për të njëjtën arsye.

I njëjti trend në supermarkete të ndryshme vërehej edhe me çmimin e pulave, të vendosura ngjeshur në frigorifer njëra pas tjetrës.

Pula në një supermarket në Tiranë         

Fermerët të cilët po i rrisin pulat brenda perimetrit të oborrit të tyre, nuk kanë bërë përjashtim nga rritja e çmimeve gjithashtu, duke i tregtuar ato më shtrenjtë se para disa muajsh.

Veli Gjoni, një prej tyre thotë për Gazetasi.al se ai ka vite që rrit pula dhe asnjëherë nuk i janë prekur nga gripi i shpendëve.

“Ky grip ka ekzistuar gjithnjë dhe ne fermerët e vjetër e dimë se çfarë duhet bërë. Çmimet, ashtu si të tjerët i kam rritur me 500 lekë.

Tani që gripi po përhapet, duhet më shumë kujdes dhe unë e bëj këtë. Gjithashtu edhe i kam karantinuar.

Nuk kam se si t’i shes më lirë kur prodhimtaria në vatra të tjera po ulet dhe po sëmuren ndërsa pulat që unë rris, vetëm të shërojnë, nuk të sëmurin”, thotë jo pa krenari ai për Gazetasi.al.

Fermerët e fermave të vogla i druhen gripit të shpendëve. Veliu, ndër të tjera shton se nëse do ndodhte që t’i asgjësoheshin shpendët, humbja në dëm ekonomik do të ishte e madhe pasi ishte kujdesur për ta gjithë këto kohë dhe secila prej tyre ka një kosto të caktuar.

Ai ende nuk ka parë asnjë simptomë por thotë për Gazetasi.al se në momentin e parë që do vërejë shenjën më të vogël, nuk do i tregtojë absolutisht dhe do telefojnë menjëherë veterinerin.

Pas konfirmimit të gripit të shpendëve në Shqipëri, Shefja e Shërbimit të Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino, i tha Gazetasi.al se deri tani nuk ka asnjë rast te njerëzit. Ajo tha se punonjësit e stabilimenteve që janë testuar deri tani nuk kanë shfaqur probleme, siç ka raste në Rusi, ku Bino tregon se virusi H5N8 është konstatuar në forma të lehta tek punonjësit e stabilimenteve atje.

Ministria e Bujqësisë ka njoftuar më herët se po monitoron situatën dhe theksoi se pas njoftimit të dhënë nga Organizata Botërore e Shëndetit të Kafshëve, për praninë e virusit të Gripit të shpendëve në disa vende të rajonit dhe më gjerë u hartua një plan masash mbrojtëse.

Masat e marra deri më tani konsistojnë ndalimin e tregtimit nga pularitë ku është konfirmuar sëmundja dhe ngritja e Qendrës Kombëtare të Krizës për drejtimin dhe koordinimin e planit të veprimit për monitorimin e problemit.

Ervin Resulin, ekspert dhe specialist për bujqësinë dhe veterinarinë, shpjegoi dje (20 mars) për Gazetasi.al se vezët në asnjë mënyrë nuk duhet të konsumohen të pagatuara dhe është e domosdoshme të zihen ose të skuqen dhe sëbashku me mishin e pulës të gatuhen termikisht në temperaturën mbi 70°C.

Ervin Resuli, ekspert dhe specialist terreni për bujqësinë dhe veterinarinë

Ndërsa vala e rritjes së çmimeve sa vjen e nxitet ndër supermarkete, të varfrit po varfërohen akoma më tej teksa as ushqimet bazë të shportës nuk po i përballojnë dot më.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë