Menaxhim

Çmimi i energjisë për familjarët nuk ndryshon në 2026-n

Nga Gazeta ‘SI’ – Çmimi i energjisë elektrike do të mbetet i pandryshuar edhe për vitin 2026.

Në mbledhjen e fundit, Enti Rregullator i Energjisë vendosi të vazhdojë deri më 31 dhjetor 2026 zbatimin e vendimit të marrë në janar për uljen e çmimit të energjisë. Kështu, konsumatorët familjarë që përdorin deri në 700 kilovator energji në muaj do të vazhdojnë të paguajnë 8.5 lekë për kilovat, ndërsa ata që tejkalojnë këtë konsum mujor do të paguajnë 9.5 lekë për kilovat për gjithë sasinë e energjisë së përdorur.

Sipas njoftimit të ERE-së, vendimi u mor pasi Shoqëria e Furnizimit të Shërbimit Universal tregoi në pasqyrat financiare se, pavarësisht uljes së çmimit që filloi të aplikohet nga shkurti i këtij viti, të ardhurat e saj kanë mbuluar kostot operative dhe kanë lejuar funksionimin normal të shoqërisë. Pritet që kjo situatë të vazhdojë edhe gjatë vitit 2026.

Sipas llogarive, ky reduktim në çmim i kursen familjeve shqiptare deri në 100 euro në vit.

Gjithashtu, ERE vendosi të mbajë të pandryshuar edhe çmimin e energjisë elektrike për karikimin e automjeteve elektrike në stacionet e karikimit, të vendosura në tetor të këtij viti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë