Nga Gazeta ‘Si’-Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Parlament, tha se me ardhjen e verës do të rritet konsumi i energjisë ndaj do të rihapet diskutimi për vendosjen e fashës.
“Ajo që paguajnë familjet nuk është vlera reale e faturës. Në verë, kur të rritet shpenzimi sërish, do të duhet të rihapim diskutimin e fashës. Por, sot vazhdojmë të paguajmë dhe është një sasi e madhe parash. Nëse këtu do të kishim të bënim me një ekonomi lënguese, nuk do të kishte rritje pagash”, tha Rama
Ai deklaroi se me rritjen e pagës minimale, Shqipëria është ngjitur në nivelin e lartë të rajonit.
“Sot, i hapet rrugë një procesi që në harkun e këtij viti që vjen, prillin e ardhshëm, na çon në 900 euro pagë mesatare. Sipas të gjitha gjasave, ne ngjitemi në nivelin e lartë të rajonit. Këtë po bëjmë sot ne. Pse nuk e kemi bërë më parë? Sepse na është dashur të përballemi me situata që nuk i ka pasur rajoni. Tërmeti ra në Shqipëri dhe jo në rajon. Mjafton të shikohet se sa të ardhura kemi spostuar ne për strehimin e mijëra familjeve, për të kuptuar pse nuk u bë kjo kur u krijuan mundësitë që të bëhej. Pastaj erdhi pandemia dhe lufta”, deklaroi Rama.
Më tej Rama tha se me rritjen e pagave, Shqipëria po bën kapërcimin e madh.
“Është e kotë fare që sot bëjmë debat e lagu apo nuk e lagu përballë faktit kuptimplotë që kjo shumicë qeverisë po bën rritjen më të lartë historike të pagave dhe kapërcimin e madh të shumëpritur e për të cilin jemi përpjekur dhe kemi duruar jashtëzakonisht shumë përballë befasive e fatkeqësive që s’i kemi sjellë ne.
Shqipëria me pagë mesatare 900 euro është Shqipëri tjetër. Këtë Shqipëri tjetër kemi çdo javë muaj e vit që e ndërtojmë. Një Shqipëri tjetër, e cila sot pa asnjë shtysë, pa asnjë qindarkë të paguar është rregullisht, çdo javë në faqet e mediave më ndërkombëtare si destinacioni për t’u vizituar”, deklaroi ai.
Më tej Rama u ndal edhe tek fenomeni i ikjes së të rinjve ku tha se të gjitha vendet e perëndimit po vuajnë nevojën për fuqi punëtore dhe se ky fenomen është impakti dramatik i produkteve të globalizimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.