Libra

Çmimet Pulitzer 2025: Triumfojnë Percival Everett dhe Branden Jacobs-Jenkins

Nga Gazeta ‘Si’- Percival Everett ka fituar Çmimin Pulitzer për letërsi me romanin e tij “James”, një rishpikje e guximshme e klasikut “Aventurat e Huckleberry Finn-it”, këtë herë treguar nga perspektiva e personazhit të skllavëruar. Vepra, që tashmë ka kapërcyer shifrën e një milion kopjeve të shitura, është konfirmuar si romani më i njohur dhe më i vlerësuar amerikan i vitit 2024.

Fitorja e Pulitzer-it shënon një tjetër kulm në karrierën e autorit 68-vjeçar, i cili për dekada ka qenë një emër periferik për publikun e gjerë, por që në vitet e fundit ka pësuar një ringjallje të pazakontë letrare. Pas vitit 2021, ai ka fituar çmimin PEN/Jean Stein për romanin “Dr. No”, ka qenë finalist për Pulitzer-in me “Telephone” gjithashtu  ka hyrë në listën e ngushtë të çmimit Booker me “The Trees”.

Percival Everett

Romani “James” kishte fituar tashmë Çmimin Kombëtar të Librit, Çmimin Kirkus dhe Medaljen Carnegie. Satira e tij “Erasure” (2001) u përshtat në filmin e nominuar për Oscar “American Fiction” në vitin 2023.

Në motivimin e jurisë, romani “James” përshkruhet si “Një rishqyrtim mjeshtëror që nxjerr në pah absurditetin e supremacisë racore dhe ofron një këndvështrim të ri mbi kërkimin për familje dhe liri.” Vetë Everett, në një deklaratë të shkurtër, u shpreh: “Jam i tronditur dhe i kënaqur, por mbi të gjitha i tronditur. Ky është një nder i madh .”

Branden Jacobs-Jenkins

Në kategorinë e dramaturgjisë, çmimi shkoi për veprën “Purpose” të Branden Jacobs-Jenkins, një dramë që eksploron tensionet brenda një familjeje të suksesshme afro-amerikane që fillon të shkatërrohet nga brenda. Puna e tij është përshkruar si një “kombinim i hollë i dramës dhe komedisë që shqyrton se si breza të ndryshëm e përkufizojnë trashëgiminë kulturore”

Vetëm një javë më parë, kjo dramë mori edhe gjashtë nominime për çmimet ‘Tony”. Jacobs-Jenkins është një figurë gjithnjë e më e pranishme në skenën amerikane të teatrit, i nominuar më herët për Pulitzer-in me veprat “Everybody” dhe “Gloria”, si dhe fitues i Tony Award në vitin 2024 për rikthimin e veprës “Appropriate”.

Letërsia, historia dhe muzika nën dritën e Pulitzer-it

Çmimet Pulitzer këtë vit reflektojnë gjithashtu një fokus të theksuar në temat racore dhe historike në jetën dhe kulturën amerikane. Në kategorinë e biografisë fitoi Jason Roberts me librin “Every Living Thing: The Great and Deadly Race to Know All Life”, ndërsa për jo-fiksion u vlerësua Benjamin Nathans me veprën “To the Success of Our Hopeless Cause”, një portret i lëvizjes disidente sovjetike.

Në histori,  çmimi u nda mes  dy veprave që i qasen historisë amerikane nga këndvështrimi i rezistencës dhe lirisë: “Combee” e Edda L. Fields-Black, që fokusohet në misionin e Harriet Tubman gjatë Luftës Civile, dhe “Native Nations” e Kathleen DuVal, një rrëfim i mijëvjeçarëve të historisë së kombeve autoktone në Amerikën e Veriut.

Marie Howe

Në fushën e poezisë, u nderua Marie Howe me përmbledhjen “New and Selected Poems”, ndërsa në muzikë fitoi kompozitorja dhe perkusionistja Susie Ibarra me “Sky Islands”, një vepër për ansambël të frymëzuar nga ekosistemet e pyjeve të shiut në Filipine. Çmimi për autobiografi shkoi për “Feeding Ghosts” nga Tessa Hulls, një kujtim grafik me dimensione breznore, që është gjithashtu libri i saj i parë.

Pulitzer-ët në kohë sfidash për artin

Këto çmime u ndanë në një moment të vështirë për botën letrare dhe kulturore në SHBA, teksa Fondacioni Kombëtar për Artet po shkurton fondet dhe po u bën presion punonjësve për të dhënë dorëheqje. Si Percival Everett ashtu edhe Marie Hoëe kanë qenë përfitues të bursave të këtij institucioni në të kaluarën, duke e bërë fitoren e tyre edhe më domethënëse në këtë klimë sfiduese.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë