Libra

Çmimet letrare të panairit të Shëngjinit ‘Valë dhe fjalë’/Preç Zogaj fiton për poezinë më të mirë

Nga Gazeta ‘Si’-Në kuadër të panairit të librit “Valë dhe fjalë” të organizuar në Shëngjin, janë ndarë çmimet vjetore për letërsinë, duke vlerësuar figura të njohura dhe vepra të dalluara të botuara së fundmi.

Kjo ngjarje e rëndësishme për jetën kulturore në vend, u përmbyll me ceremoninë e ndarjes së çmimeve, ku spikatën emra të njohur të letrave shqipe.

Preç Zogaj është shpallur fitues i çmimit për vëllimin më të mirë me poezi, me librin “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”. Juria e vlerësoi autorin për “thelbin dhe ndjeshmërinë e vargut, ku nëpërmjet një gjuhe të pasur poetike arrin të thyejë kodet letrare të kohës dhe të sjellë një frymë moderniteti në poezinë shqiptare”.

Ndërkohë, çmimi i karrierës “Ndoc Gjetja” iu dha Rudolf Markut, si një nderim për kontributin e tij të gjatë dhe të shumëanshëm në letërsinë dhe kulturën kombëtare. Sipas motivacionit të jurisë, Marku është “poet, prozator, publicist, përkthyes dhe kulturolog ‘par excellence’, me një krijimtari që e rendit mes personaliteteve të rralla të artit shqiptar.”

Sherif Bundo u vlerësua me çmimin për veprën më të mirë studimore për librin “Dollia shqiptare, institucioni shpirtëror i mikpritjes”, një analizë e thelluar mbi një element të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore shqiptare.

Çmimi për prozën më të mirë iu dha autorit Odise Kote, për romanin “Agonia”, i cili sipas jurisë “përshkruan me forcë artistike një periudhë të errët të historisë së afërt shqiptare, në dimensionin shoqëror dhe njerëzor”.

Përveç çmimeve letrare, u ndanë edhe mirënjohje të posaçme. Shtëpia Botuese “Fishta” u nderua për kontributin në promovimin e kulturës shqiptare, ndërsa Klubi i letrave “Ndoc Gjetja” nga Lezha u vlerësua për përkushtimin në organizimin e aktiviteteve letrare.

Çmimi special i panairit iu dha autorit Pashko Camaj për veprën “Porosia e kullës”, e cilësuar si një pasqyrim emocional dhe estetik i përvojës së mërgatës shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë