Mendim

Çmimet e turizmit pasqyrojnë kushtet reale të ekonomisë!

Nga Gazeta ‘Si’ – Çmimet janë një fakt i jetës dhe ekonomisë, dhe po ashtu edhe ankesat e konsumatorëve për to. 

Edhe pse ka një rritje të ankesave çdo sezon veror apo festa gjatë vitit, çmimet janë çelësi i prosperitetit të tregut të lirë.

Por, këtu fillojmë edhe diskutimin tonë lidhur me reagimin që mund të ketë ardhur nga biznese të ndryshme pas ankesës publike të Kryeministrit Rama në mes të sezonit veror lidhur me rritjen e çmimeve të shërbimeve dhe produkteve për vizitorët e huaj dhe vendas.

Kryeministri Rama “pranoi që këtë vit ka një rritje të pajustifikueshme të çmimeve në qytetet kryesore turistike në jug të vendit. Rama kërkoi nga kryebashkiakët e Sarandës dhe Vlorës që të flasin me operatorët në mënyrë që të mos ketë një rritje galopante të çmimeve pasi kjo të dëmtojë turizmin në vijimësi për vitet e ardhshme.”

Nëse shikojmë historikun nga investigimet e medias shikojmë se kjo rritje e çmimeve ka ndodhur përvit si po ndodh dhe në 2024. Madje edhe në ato vite, kur turizmi nuk kishte këtë fokus që ka qeveria në pak vitet e fundit.

Problemi kryesor me rritjen së pari vjen si produkt i tregut shqiptar që është pjesërisht i lirë për të operuar. Bie në kujtesë vendimet e ndryshme të qeverisë në shumë vite duke vendosur tarifa dhe rregulla të pakonsultuara sa dhe kur duhet me operatorët dhe gjithë bizneset që përbëjnë industrinë e turizmit. Kostoja e shtuar në mënyrë arbitrare, të nxituar dhe të analizuar keq jep pasiguri dhe krijon shtrembërime në treg. Ndikimet nga këto shtrembërime reflektohen në çmime të rritura të pajustifikuara në koston e tyre, por që është një rezervë sigurie për pasiguritë e bizneseve.

Nga ana tjetër, hyrja me tepri e parasë së pistë dhe prania permanente e ekonomisë informale jep një tjetër efekt në rritjen e çmimeve jashtë logjikës së ekonomisë sonë.

Pastrimi i parave dhe tregu informal të toleruar në disa raste nga mosveprimi i agjensive qeveritare ka prodhuar pasoja serioze në treg, në çmimet e pasurive të paluajtshme, në ekonomi dhe në komunitetet. 

Ndikimi i parë vjen nga rritja e çmimit të pronave ku kryhen aktivitetet. Vlerat e tyre po shtrembërohen artificialisht, duke e bërë të lartë koston e bizneseve (për shumë prej tyre përfshirë edhe qiranë.

 Korrupsioni është duke rritur koston e bizneseve dhe është tregues i qartë i rritjes së informalitetit dhe pastrimit në rritje të parasë nga burime informale.

Kjo situatë ka prodhuar një treg me konkurrencë të pandershme, e cila ka ndikim në rrotjen e ankthit të bizneseve për vijimësinë e tyre duke ndikuar në vendimet e paarsyeshme të rritjes së çmimeve.

 Kjo situatë e paqëndrueshmërisë së sektorit të shërbimeve krijon premisa për të mbajtur lart çmimet për të përballuar të papriturat e tregut tonë.

Nëse përfshihet edhe politika tatimore e pastabilizuar dhe vendimet politike-elektorale për falje e ulje normash tatimore, bashkë me një shpërndarje të pabarabartë të barrës tatimore kuptohet që ndikojnë direkt çmimet e rritura.

Në gjithë këtë panoramë të tregut kuptohet që çmimet na tregojnë se sa të pakta janë burimet dhe se çfarë duan konsumatorët. 

Në një përpjekje për të mbrojtur konsumatorët, Kryeministri urdhëron kryebashkiakët që të negociojnë çmime më të ulëta, pa u ndalur në realitetin që herë të tjera, qeveria ka ndikuar rritjen e çmimeve për të përfituar disa industri, pa paragjykuar se këto përpjekje mund të kenë me qëllime të mira, por ato nga ana tjetër kanë shtrembëruar informacionin që përcjellin çmimet dhe që tentojnë të na bëjnë më të varfër.

Por çmimet nuk mund të jenë efektive vetëm kur nga komunikimet e qeverisë qendrore dhe vendore me bizneset, pasi në radhë të parë ato pasqyrojnë kushtet aktuale ekonomike.

Edhe nëse disa biznese ulin çmimet pa patur një reflektim të kërkesës dhe ofertës së tregut, kjo duhet parë me vëmendje lidhur me arsyen.

Opinion i ekspertit Eduart Gjokutaj për Gazetasi.al


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë