Menaxhim

Çmimet e larta të naftës, diskutohet rikthimi i subvencionit për Shoqatat e Transportit urban

Nga Gazeta Si- Në një takim mes përfaqësuesve të Shoqatës së Transportit me ministren e Ekonomisë Delina Ibrahimaj është diskutuar subvencionimi i naftës me 100 lekë/litër në mënyrë që të mos ketë reduktim të flotës së autobusëve në Tiranë.

Enea Karakaçi, ministër i infrastrukturës tha pas mbledhjes së ministrave se është menduar rikthimi i VKM-së së vitit 2022 që parashikon kompensim me 100 lekë/litër karburant për linjat urbane dhe ndërurbane.

Ky vendim u mor asokohe në mënyrë që transporti të mos prekej financiarisht nga pasoja e luftës Rusi-Ukrainë mbi çmimin e karburantit dhe u vendos për një periudhë 3-mujore.

“Nuk është vendosur ende pasi duhen muaj që të merret një vendim i tillë por do kemi një takim të dytë për të diskutuar më tej”, tha Karakaçi.

Në kërkesën e shoqatës, renditeshin katër prioritete:

-Miratimi i një pakete antikrizë emergjente, në përputhje me precedentët ekzistues

-Rishikimi i menjëhershëm i barrës fiskale, heqja e taksës së qarkullimit

-Heqja ose pezullimi i akcizës mbi karburantin për këtë sektor

-Heqja e TVSH-së.

“Në rast se masat e mësipërme fiskale nuk janë të realizueshme në afat të menjëhershëm, kërkohet që të aplikohet një mekanizëm kompensimi financiar i drejtpërdrejtë, i bazuar në faturat reale të furnizimit me karburant, deklarimet tatimore dhe nivelin e konsumit të verifikuar sipas aktivitetit të licencuar”, vijon kërkesa ndërsa thekson se mosndërhyrja do të sillte pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët.

“Shteti duhet të ndërhyjë, të ulë taksat, ose të rrisë çmimin e biletës, ose të kompensojë operatorët”, tha Kostandin Foni, nga Shoqata e Transportit Urban.

Sipas tij, në pamundësi për të blerë karburant, do të pakësohet numri i autobusëve në qarkullim, çka do të thotë më shumë vonesa në transport.

“Ne kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve. Në rast se reduktohet flota, kjo vjen nga mosreagimi i institucioneve”, thanë disa ditë më parë përfaqësues të shoqatave.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë