Edicioni i 22-të i Tirana International Film Festival i solli kryeqytetit nga data 22-28 shtator shumë prej filmave më të rinj të prodhuar anembanë globit. Mbi 200 filma u shfaqën në disa prej kinemave të Tiranës, një pjesë e madhe e të cilëve premiera kombëtare e botërore.
Në një ceremoni emocionuese, çmimi “Bufi i artë” iu dha regjisorit Mika Gustafson për filmin e tij “Paradise is burning”, një bashkëprodhim suedez, danez, finlandez e italian prej 108 minutash.
Në motivacionin për çmimin thuhej: “U mahnitëm duke ndjekur personazhet e këtij filmi. Regjia e tij na udhëhoqi me mjeshtëri në çdo kthesë emocionale, duke zbuluar nuancat delikate të tyre, shpirtra të plagosur teksa kërkonin identitetin, mbijetesën, gëzimin dhe vullnetin e tyre për të jetuar.”
Nga seksioni PerspecTIFF u zgjodh filmi “Goodbye Julia” nga Mohamed Kordofani, i cili eksploron në thellësi ndjenjat njerëzore duke na mësuar si të tejkalojmë urrejtjen dhe intolerancën, duke arritur tek paqja me vetveten. “Goodbye Julia” është një film nga Sudani.
Çmimin për regjinë më të mirë e mori Dorka Vermes nga Hungaria, ndërsa skenari më i mirë i festivalit u shpall ai i Isa Qoses, i cili u prezantua në TIFF me “Lejlekun”.
Filmi më i mirë i shkurtër për të cilin TIFF ka të drejtën ta kualifikojë për konkurrim në çmimet Oscar, u shpall “Dreams like paper boats”, i regjisorit Samuel Suffren nga Haiti.
Ndërsa çmimi BEST EUROPEAN SHORT FILM u shpall “On the way” nga Samir Karadoha, një prodhim kosovar prej 15 minutash. Me këtë fitore, filmi arrin të kualifikohet për të qenë kandidat në European Film Awards 2024.
Çmimi i audiencës shkoi për filmin “Parthenope”, me regji nga italiani Paolo Sorrentino.
“Parthenope” është një film dramë /fantazi i vitit 2024, shkruar, prodhuar dhe drejtuar nga Paolo Sorrentino. Një bashkëprodhim ndërkombëtar midis Italisë dhe Francës, në film luajnë Celeste Dalla Porta, Stefania Sandrelli, Gary Oldman, Silvio Orlando, Luisa Ranieri, Peppe Lanzetta dhe Isabella Ferrari.
“Parthenope” u zgjodh për të konkurruar për Palmën e Artë në Festivalin e 77-të të Filmit në Kanë, ku u shfaq premierë më 21 maj 2024. Është planifikuar të dalë në kinema në Itali nga PiperFilm më 24 tetor 2024. (ATA)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.