Rritja e çmimit të banesave në Tiranë nuk ndalet. Edhe në gjysmën e parë të vitit 2021, ato u rritën duke iu bashkuar trendit të nisur që nga viti 2005.
Sipas Indeksit të Key Data Albania, nga Çelësi Media Group, krahasuar me tremujorin e fundit të 2020-s, rritja për tremujorin e dytë të 2021-shit vlerësohet në 4.22%, ndërsa nga viti 2005, rritja matej në 70%.
Indeksi përcakton se çmimet reale të shitjes së apartamenteve u ngjitën me shpejtësi deri në vitin 2009 duke qenë 50% më shumë nga 2008-a.
Më pas tregu shënoi maturim dhe çmimet nisën në rënie deri në vitin 2015 dhe mbetën të ngrira deri në vitin 2017.Më pas nisi një tjetër periudhë shtrenjtimi që brenda 2019-s arriti në 20%.
2020-a erdhi me ulje të çmimit të apartamenteve si pasojë e masave të marra anti-Covid, por zgjati shumë pak dhe nisi përsëri trendi rritës.
Sipas Keydata, çmimi mesatar real i shitjes së apartamenteve në kryeqytet për periudhën 2005-2021, vlerësuar në euro/m2 ka lëvizur nga 662 euro/m2 në 1.102 euro/m2.
Në tremujorin e parë 2021, indeksi i shitjes së apartamenteve në Tiranë përllogaritet në 170.29, ndërsa në tremujorin e dytë 171.45, me rritje 1.16 pikë (Indeksi i shitjeve mat raportin midis nivelit të shitjeve në rritje, në rënie dhe në stanjacion.)
Por a është rritur aftësia financiare e qytetarëve për t’ju përgjigjur kësaj oferte marramendëse çmimesh të larta?
Për tremujorin e parë të vitit 2021, paga mesatare zyrtare (sipas INSTAT) është rritur me 1.019 lekë nga tremujori i fundit i vitit 2020. Ndërsa, për të njëjtën periudhë krahasimi, çmimi i një metri katror në një apartament është rritur rreth 100 euro.
Nëse pikërisht në këtë moment çmimi i apartamenteve do të ngrinte dhe paga të rritej më të njëjtin ritëm çdo tre mujori një qytetari shqiptare do t’i duheshin të paktën dy vjet për të kompensuar rritjen e çmimit të banesave. Po kjo nuk do të thotë se është në gjendje të blejë gjithë banesën. Llogaritjet janë vetëm për një metër kator. Sa më e madhe të jetë sipërfaqja e banimit aq më shumë vite punë shtesë i duhen një qytetari për të kapur të njëjtën banesë.
Kjo marrëdhënie kështu ka qenë prej kohësh.
Në vitin 2020, pas një rënie të përkohshme, rritja e çmimeve te apartamenteve nisi sërish dhe shumë pak ajo e pagave. Paga mesatare gjatë 2020-s u rrit me 2.000 lekë ndërsa rritja e çmimit për metër katror luhati rreth 50-150 euro.
Gjatë viteve 2015-2016, paga mesatare u rrit pak më pak se 1.000 lekë ndërsa vlera e një metri2, gjatë u rrit deri 20 euro. Dhe ky ishte viti më i “mirë” sepse rritja e çmimeve të banesave ishte e ulët. Më pas në 2017-n u rrit me 50 euro dhe paga me 4.000 lekë.
Që nga viti 2018 e deri më tani, çmimi i apartamenteve është rritur me 50 deri në mbi 100 euro nga viti në vit. Rritja e pagës gjatë kësaj periudhe nuk e ka kaluar 1.000 lekëshin nga një vit në tjetrin.
Në Tiranën e çmendur nga çmimet e banesave, gropa mes të ardhurave të qytetarëve dhe çmimit të apartamenteve por rritet.
A do të ndalojë ky proces apo gropa do të vijojë të zmadhohet dhe bëhet më e thellë. Ka tri opsione, të ngrijnë çmimet e banesave ose të vazhdojë rritja e të ardhurave ose çmimet të vazhdojnë të rriten po të ardhurat të rriten po aq shumë sa të arrijnë të mbushin gropën. Historia e shifrave tregon se në këtë vend të renditur të 102 –tin nga 191 vende në botë për të ardhurat më të ulta, të gjitha opsionet duken të pamundura.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.