Nga Gazeta “Si”- Në vitin 1961, Claudia Cardinale u bë një nga ikonat e ekranit. Sot ajo nuk jeton më. Aktorja, e konsideruar një monument i kinemasë, u shua në moshën 87 vjeçare në praninë e fëmijëve të saj”, në Nemours pranë Parisit, ku jetonte. Lajmin e bëri publik agjenti i saj, Laurent Savry, përmes Agence France-Presse (AFP), pa dhënë hollësi mbi shkaqet e vdekjes.
Cardinale kishte punuar me emrat më të mëdhenj të kinemasë botërore: Luchino Visconti, Federico Fellini, Richard Brooks, Henri Verneuil dhe Sergio Leone. Me interpretimet e saj në Leopardi dhe Once Upon a Time in the West , ajo krijoi role që mbetën të përjetshme.
“Na la trashëgiminë e një gruaje të lirë dhe frymëzuese, si në jetën personale, ashtu edhe në artin e saj,” u shpreh Savry në një mesazh për AFP.
Homazhe nga kinemaja dhe politika
Që prej publikimit të lajmit, homazhet kanë qenë të shumta. Gilles Jacob, ish-president i Festivalit të Filmit në Kanë, tha për AFP: “Vajza me valixhe [film franko-italian i Valerio Zurlini-t, 1961] nuk është më . Angelica e Leopardit nuk do të dalë më në premierë. Ajo ishte e bukur, e thjeshtë, pa pretendime. Por sapo ndizhej kamera, ajo ndriçonte me buzëqeshjen dhe vështrimin e saj të dashur, të theksuar nga zëri i saj i ngjirur. Të mëdhenjtë e lavdëruan, ajo u shërbeu atyre, dhe ne e donim shumë këtë qenie të butë.”
Rachida Dati, ministrja në largim e Kulturës në Francë, shkroi në X: “Shikimi, zëri dhe aura e saj do të mbeten përgjithmonë në historinë e kinemasë. Frënge në shpirt, muzë e më të mëdhenjve, ajo mishëroi në mënyrë brilante lirinë, forcën dhe elegancën.”

Presidenti Emmanuel Macron shtoi: “Claudia Cardinale mishëroi një liri, një shikim dhe një talent që i dha jetë veprave të mjeshtrave, nga Roma në Hollywood dhe në Paris, qytetin që zgjodhi si atdhe. Ne francezët do ta mbajmë gjithmonë në zemrat tona këtë yll italian dhe botëror, në përjetësinë e kinemasë.”
Edhe në Itali, reagimet ishin të shumta. Gazeta La Stampa e quajti atë “një nga aktoret më të mëdha në historinë e kinemasë italiane dhe ndërkombëtare”, duke e përshkruar si “një divë të heshtur që fliste me sytë e saj”.
Kritiku i njohur Paolo Mereghetti nga Corriere della Sera shtoi: “Një aktore e bukur dhe e pakapshme, ajo nuk u bë kurrë rob i një roli të vetëm, nuk lejoi të mbyllej në klishe.”
Ministri italian i Kulturës, Alessandro Giuli, deklaroi në mbrëmje: “Vdekja e saj shënon humbjen e një prej aktoreve më të mëdha italiane të të gjitha kohërave.”
Pak kush e di se Claudia Cardinale pothuajse nuk do të kishte hyrë kurrë në botën e filmit. Ajo nisi karrierën pas një konkursi bukurie në Tunizi, vendi ku lindi nga prindër sicilianë të emigruar në Afrikën e Veriut. Ky konkurs i hapi dyert për Festivalin e Filmit në Venecia, ku u dallua menjëherë nga industria italiane e kinemasë.

“Fakti që unë bëj filma është thjesht rastësi,” kujtonte aktorja kur mori çmimin për arritje jetësore në Festivalin e Berlinit në vitin 2002. “Kur më pyetën: ‘A do të bësh filma?’ U përgjigja jo, por ata këmbëngulën për gjashtë muaj me rradhë .”
Homazhe të shumta po bëhwn pas ndarjes nga jeta të aktores së famshme franko-italiane, e cila ndërroi jetë në moshën 87-vjeçare. E paharruar për rolet e saj në Leopardi, Once Upon a Time in the West dhe Eight and a Half, ajo frymëzoi mjeshtrit e mëdhenj të kinemasë italiane, nga Luchino Visconti e deri te Federico Fellini dhe Sergio Leone.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



