Nga Gazeta ‘Si’ – Çmimet e naftës u luhatën në mënyrë të egër në vitin 2022, mes furnizimeve të vështira nga lufta në Ukrainë, sanksioneve ndaj Rusisë dhe shqetësimeve për një tkurrje ekonomike.
Fillimisht ata u rritën në mars pasi pushtimi rus i Ukrainës përmbysi flukset globale të naftës së papërpunuar, me standardin ndërkombëtar Brent që arriti në 139.13 dollarë për fuçi, më i larti që nga viti 2008.
Më pas filluan që të ftohen gradualisht në gjysmën e dytë të vitit pasi bankat qendrore rritën normat e interesit dhe zgjuan shqetësimet e recesionit.
Që nga nëntori i vitit të shkuar, deri në shkurt të këtij viti, çmimet nisën një vazhdë më të shpejtë rënëse dhe po luhaten mes 80-90 dollarëve për fuçi. Trend ky, që sipas shumë ekonomistëve botërorë, do të vijojnë edhe gjatë viteve të ardhshme.
Në nëntor, Nafta e papërpunuar Brent ra fillimisht me 1%, në 96.99 dollarë për fuçi mes aludimeve se udhëheqësit në Kinë po konsideronin një dalje nga kufizimet e rrepta të vendit për Covid-19.
Dhjetorin ajo e mbylli me rreth 86 dollarë për fuçi për t’u rritur sërish lehtë në janar të 2023-shit pasi Kina rihapi kufijtë e saj, duke nxitur optimizmin se vendi me të vërtetë po dilte nga vetëizolimi i lidhur me Covid-in.
Në të njëjtën kohë, OPEC+ po e mbante gishtin “në pulsin e tregut të naftës” dhe ishte gati të rregullonte përsëri prodhimin për të shmangur recesionin. Karteli tha në raportin e tij të fundit mujor të tregut të naftës se priste kërkesë më të lartë për naftë këtë vit sesa vitin e kaluar.
Në fillim të shkurtit çmimet e naftës qëndruan nën 80 dollarë për fuçi pasi perspektivat më pak agresive të shtrëngimit monetar nga Rezerva Federale vendosën një ton pozitiv për rimëkëmbjen e kërkesës.

Megjithatë, në 7 shkurt çmimet e naftës në botë u rritën lehtë, me 2% të nxitura nga shqetësimet për mungesën e furnizimit pas mbylljes së një terminali të madh eksporti pas tërmeteve tragjike të Turqisë.
Operacionet në terminalin e eksportit të naftës të Turqisë me 1 milion fuçi në ditë në Ceyhan u ndërprenë dhe rifilluan sërish pas 8 shkurtit.
Por sapo Rusia, eksportuesi i dytë më i madh në botë pas Arabisë Saudite njoftoi se nga marsi do të ulë prodhimin e naftës me 500.000 fuçi në ditë, ose rreth 5% të prodhimit, çmimet u rritën në 86.36 dollarë për fuçi.
Gjithsesi luhatjet janë të lehta dhe sot(14 shkurt) çmimet e naftës ranë me 0.5% pasi qeveria amerikane deklaroi se do të hedhë në shumë naftë në treg nga rezervat e saj strategjike, duke hedhur poshtë edhe pritshmëritë e analistëve se ky vendim do të shtyhej.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 86 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane u ul me 0.89% dhe po tregtohet në rreth 79 dollarë për fuçi.
Në vitet e ardhshme mos prisni një rënie
Sipas shumë ekonomistëve të anketuar nga Reuters dhe Bloomberg, çmimet e naftës pritet të mbetën në të njëjtat luhatje si janari dhe shkurti edhe përgjatë tre viteve të ardhshme.
Parashikimet për këtë vit megjithëse janë grupuar ngushtë, me gjysmën e të anketuarve që presin që çmimi mesatar të jetë midis 80 dhe 95 dollarë dhe të tjerë që presin që çmimet të shkojnë deri në 105 dollarë, nuk paralajmërojnë për një ulje të ndjeshme.
Çmimet pritet të vazhdojnë të jenë mesatarisht rreth 90 dollarë nga 2023 në 2027, me një anim të lehtë në rënie në parashikimet e mëvonshme.
Kjo sepse konflikti në Ukrainë, sanksionet ndaj Rusisë, intensifikimi i rivalitetit midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, ndërprerjet e vazhdueshme pandemike dhe ngadalësimi i ciklit të biznesit po vijojnë të kombinohen për t’i bërë parashikimet më të pasigurta.
Çmimet e naftës mund të bien në 60 dollarë për fuçi vetëm nëse një recesion godet shumë vende sipas sipas ekonomistit të energjisë Bernard Weinstein.
Por kjo deri tani duket gati e pamundur sidomos pasi BE-ja përmirësoi parashikimet për rritjen ekonomike e cila parashikohet të jetë 0.9% këtë vit, në vend të 0.3% të parashikuar nëntorin e kaluar, sipas Parashikimit Ekonomik të Dimrit 2023.
Kjo do të bëjë që shumë shtete të shmangin recesionin teknik dhe çmimet e naftës të vijojnë të jenë të larta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




