Sport

CIO hap rrugën e rikthimit për sportistët rusë e bjellorusë, por si neutralë

Gazeta Si – CIO (Komiteti Olimpik Ndërkombëtar) do të vendosë në “një moment të përshtatshëm” në lidhje me pjesëmarrjen e sportistëve rusë dhe bjellorusë në aktivitetet ndërkombëtare. Duke përfshirë edhe Lojërat Olimpike Paris 2024 dhe ato Milano-Kortina 2026.

Ky është qëndrimi që ka mbajtur CIO në ditën e parë të punimeve të Ekzekutivit, që është mbledhur në Lozanë. Presidenti Tomas Bah ka pohuar në konferencë shtypi se federatave ndërkombëtare u është propozuar të lejojnë rikthimin e sportistëve me pasaportë ruse dhe bjelloruese në kampeticionet e tyre.

Nga mbledhja e CIO-s ne Lozane. Gazeta Si, 28 mars 2023

Më 28 shkurt 2022 u mor vendimi për përjashtimin e tyre pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, në mbështetje të së cilës ishte edhe Bjellorusia. Propozimi i CIO-s përfshin edhe kualifikueset olimpike, por vetëm në formë individuale dhe neutrale. Skuadrat mbeten të përjashtuara, ashtu si dhe garat e stafetave.

Ekzekutivi ka parashikuar një sërë kriteresh që duhen respektuar, siç është përjashtimi i sportistëve që mbështesin luftën, apo që janë rreshtuar përkrah forcave të armatosura.

“Para se të merret një vendim për Olimpiadën, – tha Bah, duke iu referuar përgjegjësisë së tij ndaj të drejtave njerëzore dhe Kartës Olimpike, – do të verifikojmë nëse dhe se si këto rekomandime do të merren në konsideratë. Do monitorojmë me kujdes situatën e të gjitha palëve të interesuara. Nuk mund të fiksohen data precize, sepse askush nuk e di çfarë do të ndodhë nesër.

Janë tashmë sporte të ndryshme, si tenisi, hokeji në akull, volejbolli, çiklizimi, futbolli, ku sportistët rusë dhe bjellorusë kanë vazhduar të marrin pjesë dhe nuk janë regjistruar incidente”. Drejtuesi gjerman, prej kohësh pranë Vladimir Putinit, ka thënë se nuk ka pasur kontakte së fundi me presidentin rus.

Do t’u takojë më pas federatave të vendosin se çfarë do të bëjnë në këtë situatë. Federata e Atletikës javën e kaluar konfirmoi përjashtimin e sportistëve rusë e bjellorusë edhe në garat individuale. Federata e boksit ka bërë të kundërtën, por jo pa polemika, pasi ka rrezik bojkoti nga 11 vende.

Përveç organizatave sportive, edhe disa qeveri, 35 prej tyre europiane, kanë shprehur shqetësimin për planet e CIO-s.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë