Njerez

Cilësia e ajrit dhe ndotja industriale, probleme me lindjet dhe shëndetin e bebeve

Ndotja e ajrit dhe ndotja industriale sjellin probleme të mëdha, duke ndikuar drejtpërdrejt në lindshmëri dhe në shëndetin e bebeve të porsalindura në Shqipëri.

Kjo është ajo çfarë theksohet në raportin e monitorimit të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, ndërsa sillen edhe shembuj konkretë të studimit të këtij ndikimi.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit në raportin e tij të monitorimit të rasteve të adresuara nga qytetarë, të cilët kanë pretenduar shkelje të interesave të tyre legjitimë si rezultat i ndotjes së mjedisit ofron të dhëna për lidhjen e drejtpërdrejtë midis peshës së ulët të lindjes së bebeve dhe ndotjes së mjedisit për shkak të ndotjes së lumit Gjanica në Shqipëri.

14 përqind e familjeve të intervistuara në këtë zonë kanë regjistruar peshë të ulët të lindjes, me një peshë mesatare të bebeve të lindura prej 1.9 kg ± 0.4 kg.

Rasti i banorëve të prekur nga ndotja e lumit Gjanica, të cilët kërkojnë të drejtat e tyre përmes mjeteve ligjore. Konventa “Për aksesin në informacion, pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrje dhe qasjen në drejtësi në çështjet mjedisore dhe Konventa për të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore, neni 12, paragrafi 1 dhe paragrafi 2, nënparagrafi “b” i saj, detyron Shtetin shqiptar të njohë të drejtën e secilit qytetar për të pasur gjendjen më të mirë shëndetësore, fizike dhe mendore të mundshme, duke marrë masat e nevojshme për të siguruar përmirësimin e të gjitha aspekteve të higjienës mjedisore dhe industriale.

Gjanica në Fier

Duke pasur parasysh shqetësimet e bëra publike në media, KSHH ka ndjekur dhe verifikuar për më shumë se tre vjet ankesat e banorëve, banesat e të cilëve gjenden përgjatë shtratit të lumit Gjanica, “një burim shqetësues i ndotjes së mjedisit nga nxjerrja dhe përpunimi i hidrokarbureve nga subjekte private, urbane, mbetje të ngurta dhe të lëngshme të shkarkuara mbi rrjedhën e këtij lumi nga sektori industrial, bizneset, qytetarët, por edhe nga ndërmarrjet e grumbullimit të mbetjeve dhe përpunimit të komunave përkatëse”.

Përballë mungesës së informacionit, dështimi për të marrë masa konkrete për të identifikuar operatorët ndotës dhe rehabilitimin e mjedisit në përputhje me parimin 'ndotësi paguan', KShH, si përfaqësues i tre banorëve të qytetit të Fierit dhe interesit publik, ka ndjekur këtë çështje që nga janari 2019 përmes mjeteve ligjore.

Sipas KSHH, por edhe një raporti të Organizatave të Shoqërisë Civile për venin në zbatim të Platformës së Pekinit, “ndotja e mjedisit në lumin Gjanica, e cila shtrihet në tre komuna, përkatësisht Mallakastra, Patosi dhe Fieri ndikon drejtpërdrejt dhe seriozisht në shëndetin dhe jetën e qetë private të çdo banori të këtyre zonave, në kundërshtim me atë që garantohet nga dispozitat kushtetuese dhe të konventës, të detyrueshme për zbatimin nga organet e administratës shqiptare”.

Shkalla e sëmundshmërisë së ndikuar nga ekspozimi ndaj niveleve të ndotjes së ajrit, kryesisht nga emetimi i elementeve me bazë hidrokarbure, ka qenë objekt studimi nga Instituti i Shëndetit Publik, gjatë periudhës së aksidentit që ndodhi në Marinzë në prill 2015.

Marinzë

Si shembull për këtë studim kanë shërbyer të dhëna të marra nga 99 familje në zonë. Pesha e ulët e bebeve të lindura është një nga ndikimet e drejtpërdrejta të ndotjes së mjedisit është vërejtur në këtë rast në 14% të familjeve të intervistuara. Pesha mesatare e foshnjave të lindura nën peshë është 1.9 kg ± 0.4 kg.

Sipas studimeve, ndotja e ajrit rrit ndjeshëm rrezikun e peshës së ulët të lindjes tek foshnjat, duke çuar në dëmtime të shëndetit gjatë gjithë jetës.

Shkencëtarë nga Mbretëria e Bashkuar ngrenë alarmin, ndërsa theksojnë se ndotja e keqe e ajrit është e tillë, që po i afrohet një katastrofe të shëndetit publik në të gjithë botën.

Dy miliardë fëmijë, apo 90% e të gjithë fëmijëve janë të ekspozuar ndaj ndotjes së ajrit. Edhe një studim i Unicef vëren se të paktën 17 milion foshnja vuajnë nga ajri gjashtë herë më toksik sesa udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Për më tepër, specialistët vërejnë se nuk ka mënyra të besueshme për gratë në qytete për të shmangur ekspozimin kronik ndaj ndotjes së ajrit gjatë shtatzënisë, ndërsa bëjnë thirrje për veprim urgjent nga qeveritë për të ulur ndotjen nga automjetet dhe burimet e tjera.

Probleme të frymëmarrjes, çrregullime të mëlçisë dhe ndikim në gjak. Gratë më të prekura se burrat

Studimi i ISHP për rastin në Marinzë vëren se si rezultat i ekspozimit ndaj ndotësve të ajrit të emetuar kryesisht nga përbërjet e hidrokarbureve mund të zhvillohen një sërë simptomash të rrugëve të frymëmarrjes. Është me interes të nënvizojmë se institucionet shtetërore pranojnë, që “prevalenca ndaj dëmeve të shkaktuara për shkak të ndotjes së mjedisit është më e madhe tek gratë”.

Nga të dhënat e Qendrës Shëndetësore së Marinzës në 2015 rezultoi se gratë dhe vajzat shfaqën probleme të dëmtimit të syve në 54 raste, humbje të dëgjimit në 12 raste, simptoma marramendje në 80 raste, përgjumje në 65 raste, të vjella në 90 raste dhe djersitje dhe dridhje në 37 raste. Po kështu, shpesh në mesin e grave, grave dhe vajzave më të reja u vërejtën simptoma të dhimbjes së kokës (93 raste); tharje të gojës (71 raste); të fiktë (60 raste) dhe dhimbje barku (36 raste).

Nga të dhënat e analizës në laboratorin e Toksikologjisë Industriale në Sektorin e Sëmundjeve Profesionale (në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë / QSUT) rezulton se është marrë një mostër studimi prej 3 ekzemplarësh të urinës femërore (një shtëpiake, një parukiere dhe një studente).

Në këto ekzemplarë urine është gjetur se ka një përqindje mbi normën të vlerës së fenilierës (një lëndë e ngurtë kristalore, C₆H₅NHCONH, shumë prej derivateve të së cilës përdoren si pesticide dhe herbicide), duke reflektuar praninë e gazrave të biomasës dhe shkallën e ekspozimit ndaj kimikateve.

Edhe të dhënat e Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Publik në Fier, për 9 muaj të vitit 2017, flasin për një numër të konsiderueshëm të grave dhe vajzave me çrregullime të gjakut (nga 14 pacientë, 10 prej tyre janë gra).

“Pavarësisht se institucionet publike nuk janë në gjendje të realizojnë lidhje të drejtpërdrejta shkakësore midis ndotjes së mjedisit dhe kësaj diagnoze, ne gjykojmë se proceset industriale për shkak të djegies së dioksidit të azotit (NO2) shërbejnë si një katalizator për efektet e padëshirueshme në shëndet. Ky gaz mund të dëmtojë drejtpërdrejt jo vetëm mushkëritë, mëlçinë, por edhe gjakun”, - ngrenë alarmin nga ana e tyre përfaqësues të Organizatave Civile në vend.

Ndotja e ajrit shton infertilitetin në krejt Ballkanin Perëndimor

Ndotja nuk ndikon në lindshmërinë e foshnjave vetëm në Shqipëri. Disa studime ndërkombëtare e kanë lidhur ndotjen e ajrit me infertilitetin, ndërlikimet e lindjes, një shkallë më të lartë të anomalive kongjenitale dhe lindjet e vdekura. Studimet theksojnë se shkalla e pjellorisë po zvogëlohet statistikisht me rritjen e ndotjes së ajrit. Ndotës të caktuar të ajrit, të tillë si plumbi dhe bakri, prishin funksionin e gjëndrave në organizmin njerëzor, gjë që ka një ndikim negativ në riprodhim.

Cilësia e dobët e ajrit është ndër shkaqet e rritjes së infertilitetit dhe sterilitetit tek gratë dhe burrat në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Veçanërisht prek gratë që jetojnë në zona të ndotura, pasi ndotja e ajrit mund të shkaktojë një numër të reduktuar të qelizave të shëndetshme të vezëve dhe si pasojë ul normën e pjellorisë, duke ulur gjithashtu nivelet e suksesit të fekondimit in vitro. Grimcat e ngurta PM 2.5 zvogëlojnë pjellorinë me 2% për 10 μg / m3 në ajër. Qytetet e ndotura në të gjithë Ballkanin Perëndimor arrijnë nivele më shumë se 50 µg / m3 (PM 2.5), që është dyfishi i vlerës së lejuar vjetore dhe mund të zvogëlojë pjellorinë deri në 10% tek gratë. Tek burrat, ndotja nga grimcat arrin në testikuj ku zvogëlon prodhimin dhe lëvizshmërinë e spermatozoideve, duke shkaktuar gjithashtu aborte më të shpeshta për shkak të vdekjes së programuar të qelizave.

Ndotja e ajrit shkakton ndotje shtesë të tokës pjellore, bimëve, kafshëve dhe të gjithë zinxhirit ushqimor dhe në këtë mënyrë, shton pasojat e lëndëve të dëmshme në shëndetin e njeriut. Gjithashtu, është një fakt i njohur që teknologjia e vjetëruar, mungesa e filtrimit dhe ndotja e mjedisit nga mbeturinat mund të çojë në infertilitet dhe sterilitet.

Një shkak tjetër është ndotja nga plastika, veçanërisht nga mikro- dhe nanoplastika të cilat janë në rritje të vazhdueshme, duke pasqyruar rritjen e prodhimit të plastikës – që tejkalohet vetëm nga prodhimi i çelikut dhe çimentos. Blerina Goce


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë