Mendim

Cilën anë të kërpudhës në kryeministri kafshoi politika?

Kërpudha Gjigante me Tri Pjesë, 2015. Vepër e artistit Carsten Höller

Kur COD – Qendra për Hapje dhe Dialog, do çelte dyert për publikun brenda godinës së Kryeministrisë, më 2015-ën, artisti gjermanCarsten Höller do t’i dhuronte popullit shqiptar një vepër të punuar enkas për këtë qendër. Kërpudha Gjigante me Tri Pjesë, e cila u vendos në oborrin e kryeministrisë ishte një kolazh tredimensional me tri varietete kërpudhash: një e ngrënshme, një helmuese dhe një halucinogjene. Vepra, sipas artistit, perceptohej si një koment mbi politikën shqiptare.

Teksa i kaloje godinës së qeverisë pranë, e cila prej ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste, u zhvesh nga gardhimi që e ndante prej kalimtarëve në bulevard, mund të pyesje veten– nisur nga precedentët e protestave , që jo rrallë kanë përshkallëzuar në dhunë – se ç’fund mund të kishte kjo vepër e artit bashkëkohor (e parë me habi dhe krejt e pavend në oborrin e një godine zyrtare nga shumë njerëz), në rast të një proteste politike a qytetare, ku protestuesit do ia nxirrnin dufin asaj skulpture, që arrihej edhe më shpejt, me mungesën e atij gardhi, që vizualisht dhe virtualisht dukej se e ndante qytetarin nga qeveritari.

Vepra Kërpudha Gjigante me Tri Pjesë, e dëmtuar nga protestuesit e 16 shkurtit, 2019.

Në protestën e 16 shkurtit të 2019-ës, përpara godinës së kryeministrisë, Kërpudha Gjigante me Tri Pjesë e Höller-it ishte nga të parat që e pësoi. Copëza të skulpturës, e lyer me ngjyra të gjalla nga artisti, si evokim i trashëgimisë që Edi Rama i la kryeqytetit shqiptar gjatë kohës kur ishte kryetar i Bashkisë, transformuar pallatet e banimit përmes bojës – u rrëzuan përdhe, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku mijëra qytetarë iu përgjigjën thirrjes së Opozitës së Bashkuar për të protestuar. Nuk vonoi reagimi i kryeministrit Rama nga Vlora, ku ndodhej në kuadër të takimeve “Bashkia që duam” e që, një natë më herët kishte marrë masat për të mbrojtur dhe mbuluar veprat e artit në godinën e kryeministrisë. “Ndjesë Carsten, kjo nuk është Shqipëria dhe shqiptarët nuk janë këta”, shkruante Rama nga llogaria e tij në Twitter, ndërsa shpjegonte se artisti bashkëkohor, me famë, e dhuroi këtë instalacion pas një vizite në Shqipëri e që, sipas kryeministrit, nga ajo vizitë ai do të kthehej në ambasador të Shqipërisë e të shqiptarëve.

Tenda në hyrje të godinës së kryeministrisë, vepër e artistit francez Philippe Parreno

I njëjti fat iu rezervua edhe Tendës apo “Markizës”, në hyrje të kryeministrisë, vepër e një tjetër artisti bashkëkohor me famë, francezit Philipe Parreno. Tenda e bardhë me drita neon, që i jepte mjedisit dhe godinës prekje glamour, do të shihej nga shumë si e pavend, ato ditë të para kur u instalua , duke e bërë një godinë zyrtare të ngjante më shumë si një club apo kazino dhe duke ia zbehur ‘seriozitetin’ ndërtesës nga ky qeveriset populli. “Markiza” është një vepër që Parreno e ka rikrijuar për institucione si Muzeu Guggenheim në Nju Jork, Pallatin e Tokios në Paris dhe për Pallatin “Grassi” në Venecia. Të gjithë këto institucione të rëndësishme të artit botëror. E megjithatë jo për në godinë qeveritare. Me vendosjen e kësaj Tende në kryeministri, synohej një pikë takimi mes kulturës dhe politikës, dijes dhe mendimit kritik, mjedisit të brendshëm dhe atij të jashtëm.

Dhe ashtu siç do të shprehej gazetari Peter Aspden në një artikull për Financial Times, kjo tendë sinjalizonte një jetë të re për ndërtesën, me të kaluarën e erret, si selia e pushtetit komunist. Me këto dy vepra jashtë dhe të tri të tjera të artistit gjerman Thomas Demand brenda mjediseve të COD, kryeministri Edi Rama po përpiqej ta bënte godinën më të akesueshme për qytetarët , si një laborator kreativ, në të cilin mund të hulumtohet kufiri ku bashkohen dhe mbivendosen potencialet e fushave të ndryshme të artit, politikës e kërkimit shkencor, ku do të pasonin një sërë ekspozitash dhe veprimtarish kulturore, duke e bërë kryeministrinë të ngjante më shumë si një Galeri Arti sesa seli e qeverisë.

Me një formim të mëhershëm si shkencëtar dhe një doktoratë në Biologji, nuk është habi që objekti i magjepsjes artistike të Carsten Höller është kërpudha, e pamungueshme në punën e tij; kërpudha gjigante, të varura kokëposhtë apo si ato në oborrin e kryeministrisë, që i përngjasin narrativës politike siç do të shprehej ai më 2015-ën. Pyetja do të ishte: cila prej tyre është helmuese?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë