Jeta e tij pas Xhiros së Polonisë u bë vërtet një ferr. Gushtin e kaluar, çiklisti holandez Dylan Groenewegen, pas një gabimi në garë, shkaktoi rrëzimin e bashkombasit Fabio Jakobsen, i cili mori plagë të rënda (kontuzion cerebral, fraktura në kafkë, hundë e thyer dhe 10 dhëmbë të humbur), duke rrezikuar edhe jetën.
Groenewegen u skualifikua me 9 muaj, por kjo nuk është asgjë në krahasim me atë që i ka ndodhur më pas. Çiklisti holandez ka treguar se ka marrë kërcënime të forta për veten dhe familjen. “Kanë qenë kërcënime konkrete dhe shumë të rënda, sa që u desh të lajmëroja policinë”, – ka thënë ai. Forcat e rendit për një periudhë e kanë shoqëruar 27-vjeçarin gjatë lëvizjeve ditore dhe kanë bërë roje në shtëpinë e tij.
“Kur dilja, – shton Groenewegen, – ishte një polic gjithmonë përkrah meje, që më mbronte”. Kërcënimet ishin vërtet të frikshme për çiklistin. “Më kanë ardhur me postë letra të shkruara me dorë. Një herë na erdhi në shtëpi edhe një lak, me të cilin do të varnim fëmijën tonë kur të lindte”, – rrëfen holandezi. Groenewegen u bë baba rreth 4 muaj pas ngjarjes, kur lindi vogëlushi Mayson. “Kur lexon mesazhin dhe sheh atë copë litari, frikësohesh vërtet”, – pohon ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.