Njerez

Çifti që la Francën për fshatin shqiptar

Shtatori po troket dhe prej gjashtë vitesh ditët e para të këtij muaji janë shndërruar në periudhën më e vështirë për çiftin francez Deborah dhe Philippe Auge. Ndodhen në Shqipëri që prej muajit qershor dhe për ta, fshati i vogël piktoresk i Qeparosë në rivierën shqiptare ishte një dashuri me shikim të parë.

“Këtu çdo gjë është e gurtë, përveç njerëzve. Është një fshat mesjetar i mrekullueshëm, por ne gjithmonë na ka magjepsur mikpritja e shqiptarëve”, thotë Deborah.

Rrëfejnë se me Qeparonë u takuan rastësisht.

“Më pas menduam: pse të mos e kemi ne një shtëpi këtu, një prej këtyre shtëpive karakteristike?!”, vijon Deborah.

Blenë shtëpinë e parë dhe e rikonstruktuan dhe më vonë shpenzuan sërish para për të blerë një të dytë. Në këtë fshat mbërrijnë prej gjashtë vitesh çdo fillim qershori dhe largohen në shtator. Planifikojnë që pasi të dalin në pension të zhvendosen përfundimisht në Shqipëri.

“Kemi blerë dy shtëpi. Blemë njërën në fillim e rikonstruktuam dhe e lamë me qira. Fatmirësisht kemi gjetur dikë këtu që na i mirëmban, sepse duke mos e ditur gjuhën është një problem për në”, shton ajo.

Deborah po përpiqet që të mësojë shqipen, por ende nuk është në gjendje që ta flasë atë. Megjithatë na tregon fjalën favorite: “Shëndet”, thotë ajo.

“Për mua, bregdeti, malet gjithaçka këtu është e mrekullueshme. Për mua, Qeparoja është vendi më i bukur në botë dhe njerëzit mikpritës dhe të dashur e zbukurojnë akoma më shumë”, thotë Philippe.

Tregojnë se në total kanë shpenzuar pak më shumë se 160 mijë euro për të dyja shtëpitë e blera, por nuk janë “pishman” për to dhe thonë se është një investim që ja vlen.

Janë i vetmi çift të huajsh që jeton tre muajt e plotë të verës në këtë fshat dhe për banorët vendas janë të njohur tashmë. Vendasit i përshkruajnë si njerëz me shije dhe të vendosur për të respektuar traditën duke këmbëngulur që çdo ndryshim në shtëpitë e tyre të bëhet me gurin, drurin dhe hekurin si elemente bazë.

Burimi: DW


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë