Art dhe Kulture

Chris Rock: Shuplaka e Will Smith ende më dhemb

Nga Gazeta Si – U desh gati një vit për të “përpunuar” shuplakën e marrë nga Will Smith gjatë ceremonisë së Oscar-it 2022, por më në fund Chris Rock zgjodhi të fliste gjerësisht për të dhe vendosi ta bënte atë në show-n e tij qw u transmetua drejtpërdrejt në Netflix. Shfaqja, e vënë në skenë në Teatrin Hippodrome në Baltimore, titullohet “Selective Outrage” (Zemërimi selektiv”), një emër i frymëzuar edhe nga sjellja e Will Smith, tha në një moment komediani.

Chris Rock filloi me një shaka që të bën të mendosh menjëherë për shuplakën fatale: “Sonte do të përpiqem të bëj një shfaqje pa ofenduar askënd. Unë do të bëj më të mirën, sepse nuk e dini se kush mund të mërzitet. Njerëzit thonë gjithmonë se fjalët lëndojnë… Por të gjithë ata që e thonë këtë nuk janë goditur kurrë me grusht në fytyrë”.

“Të gjithë e dinë, po, ndodhi, unë u godita me shuplakë një vit më parë – u godita nga ky shk*rdhatë”, tha Rock. “Dhe njerëzit thonë: ‘A dhemb?’ Ende dhemb. Më kumbon ende në vesh”.

Rock u shfaq i lodhur dhe i frustruar ndërsa foli për Smith në fund të shfaqjes së tij stand-up “Selective Outrage”, e cila u transmetua drejtpërdrejt në Netflix nga Teatri Hippodrome në Baltimore.

Gjatë ceremonisë së Oscars të vitit të kaluar, Smith, i cili fitoi atë natë për aktorin më të mirë, goditi Rock-un në mes të transmetimit pasi ai bëri shaka për gruan e tij, Jada Pinkett Smith, që kishte një kokë tullace, për shkak të alopecisë.

Pasi i bërtiti Rock-ut nga vendi i tij, Smith u ngjit në skenë për ta goditur Rock-un në fytyrë. Komediani më vonë nuk pranoi të ngrinte akuza.

Ditë më vonë Rock performoi në Boston, por tha në skenë: “Unë jam ende duke e përpunuar atë që ndodhi. Kështu që në një moment do të flas për atë m*t. Dhe do të jetë serioze dhe qesharake”.

Pavarësisht se ka shkuar në një turne botëror gjatë kësaj kohe, kjo është hera e parë që aktori i humorit flet gjatë për incidentin.

Rock bëri disa komente në emisionin e tij të ri për njerëzit që kërkojnë vëmendje duke e klasifikuar veten si viktima, por tha: “Unë nuk jam viktimë. Nuk do të më shihni kurrë tek Oprah apo Gayle duke qarë. Nuk do të ndodhë kurrë… E mora atë goditje si [boksieri Manny] Pacquiao”.

Rock zbuloi se shuplaka kishte frymëzuar emrin e shfaqjes së tij.

“Will Smith praktikon zemërim selektiv. Të gjithë e dinë se çfarë ka ndodhur. Dhe të gjithë e dinë me të vërtetë se unë nuk kisha asnjë lidhje me atë. Nuk kam pasur asnjë ‘ngatërrim’”, tha ai, duke iu referuar përshkrimit të Pinkett Smith për lidhjen që ajo kishte me reperin August Alsina kur ishte e martuar me Smith.

Pinkett Smith e bëri pranimin direkt tek Smith në një episod të shfaqjes së saj në internet, Red Table Talk.

Smith ka folur vazhdimisht për shuplakën që nga ajo kohë, duke i kërkuar falje publike Rock-ut të nesërmen në Instagram, duke shkruar: “Dola jashtë linjës dhe gabova. Jam i turpëruar dhe veprimet e mia nuk ishin tregues i burrit që dua të jem”.

Muaj më vonë, ai tha se kishte kontaktuar me Rock, por “ai nuk është gati të flasë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë