Kryeministri i vendit, Edi Rama, nëpërmjet një statusi në “Twitter” ka postuar një pasqyrë të check-up gjatë viteve. Kreu i qeverisë shprehet se e ka vëmendjen te njerëzit, ndërsa kundërshtarët e tij politikë e kanë mendjen tek ai.
Më tej, Rama shton se ata që kanë shpifje dhe akuza vulgare kundër kontrollit mjekësor bazë, ai i kundërshton me 1.2 milionë dëshmitarë që kanë bërë check-up falas deri më tani.
“CHECK UP është një pasqyrë ulëritëse e dallimit mes vëmendjes sime, e gjitha tek njerëzit dhe vëmendjes së tyre, që është e gjitha tek unë. Ata kanë shpifjet e akuzat vulgare kundër kontrollit mjekësor bazë, unë kam mbi 1.2 milionë dëshmitarë që kanë bërë CHECK UP FALAS deri më tani”, shkruan Rama në rrjetin social.
CHECK UP është një pasqyrë ulëritëse e dallimit mes vëmendjes sime,e gjitha tek njerëzit dhe vëmendjes së tyre,që është e gjitha tek unë🤧Ata kanë shpifjet e akuzat vulgare kundër kontrollit mjekësor bazë,unë kam mbi 1.2milion dëshmitarë që kanë bërë CHECK UP FALAS deri më tani😊 pic.twitter.com/HCJEAM43ah
— Edi Rama (@ediramaal) October 19, 2018
Ndërkohë, deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka reaguar pas publikimit të listës nga kryeministri Rama.
Ajo shprehet se pjesë e listës për kontroll shëndetësor falas janë bërë edhe të vdekurit, ndërsa shton se ka pasur edhe presione të vazhdueshme.
“Të thuash që 1.2 mln shqiptarë e kanë bërë Check up në 4 vjet, është si të thuash që Shqipëria ka pasur 4 Kryeministra të ndryshëm në 4 vjet. Por, për fat të keq, kemi pasur vetëm një Kryeministër, me të njëjtat mashtrime për SHËNDETËSI FALAS.
Lista përmban:
– emra të personave që nuk jetojnë më;
– emra qytetarësh që kurrë nuk e kanë bërë check up;
– emra të sëmurësh që i detyrojnë të bëjnë check-up disa herë në një vit, përndryshe nuk marrin kurat e nevojshme për të jetuar;
– emra mjekësh familje e infermierësh që detyrohen të japin gjakun e tyre për analiza që të plotësojnë normën e përcaktuar;
– emra qytetarësh në ndihmë ekonomike e pagesë invaliditeti që e rrezikojnë atë nëse nuk bëjnë check-up;
– emra mësuesish, punonjës të administratës të detyruar të bëjnë check-up në këmbim të mbajtjes së vendit të punës”, shprehet Vokshi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




