Futboll

Champions/ Short i komplikuar për Asllanin e Hysajn, shumë ekipe eksperte përballë

Gazeta Si – Short drithërues për 3 skuadrat italiane, që e mbyllën fazën e grupeve në vend të dytë. Real Madrid, Mançester Siti, Arsenal, Bajern Mynih dhe Barcelona mund të jenë kundërshtarë në fazën e 1/8-ve.

Në shortin e 18 dhjetorit nuk do të jetë e lehtë, sepse skuadrat e kualifikuara si të parat e grupit janë vërtet të frikshme dhe me shumë eksperiencë në Champions. Janë Bajern Mynih, Real Madrid, Mançester Siti kampion në fuqi, Barcelona.

Janë të paktën 7 big të futbollit europian që mund të ndeshen me Interin, duke hequr Real Sociedadin, me të cilin skuadra e Asllanit nuk mund të ndeshet. Përballë skuadrës së Kristjan Asllanit me shumë mundësi do të jenë emra kalibri.

E njëjta gjë vlen edhe për Napolin, që mund të evitojë vetëm Real Madridin, të cilin e kishte në grup. Lacio e Elseid Hysajt eviton vetëm Atletiko Madrid.

Shorti do të hidhet ditën e hënë, në orën 12:00, në Nion, në selinë e UEFA-s. Ndeshjet e para të 1/8-ve do të luhen më 13, 14, 20 dhe 21 shkurt, kurse ato të kthimit më 5, 6, 12 dhe 13 mars.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë