Arsim

Çfarë tregojnë mësuesit shqiptarë kur shkojnë tek ekspertët e shëndetit mendor?

Nga Gazeta Si- “Mezi presim pensionin që të shpëtojmë nga mësuesia”, kjo është një nga fjalitë që thonë mësuesit shqiptarë kur përmbledhin lodhjen dhe ezaurimin e tyre gjatë viteve.

Arsyet janë të shumta dhe për një mësues, është e vështirë që t’i rendisë sipas rëndësisë, pasi çdo arsye ka një rëndësi të veçantë.

“Unë jam mësues prej 37 vitesh tashmë dhe arrij më së miri të bëj dallimin e ndryshimeve ndër vite. Janë ngarkesa mësimore dhe të gjitha detyrat ekstra që detyrohemi të bëjmë. Detyrohemi që sistemin SMIP ta plotësojmë në shkollë, pasi mbarojmë orarin zyrtar”, thotë për Gazetasi.al D.L, mësues.

Nga ana tjetër edhe marrëdhënia me prindërit nuk është bashkëpunuese, por shpesh penguese dhe sulmuese. Jo pak herë ata ndjejnë që figura e tyre nuk përputhet me respektin dhe prestigjin, madje ndihen si persona të cilët duhet të ekzekutojnë detyra dhe mos të marrin asgjë mbrapsht. Kjo kuptohet më së miri edhe të mënyra sesi fëmijët sillen dhe reagojnë me ta.

Marsida Simo, sociologe thotë për Gazetasi.al se në kontaktet që ka me disa mësues, ndjesitë që përmenden më shpesh janë lodhja fizike dhe mendore, ndjenja e mbingarkesës dhe ankthi për të arritur standarde që shpesh duken të paarritshme, sidomos këto 10 vitet e fundit.

Elementet që përmendin më shumë lidhen me ngarkesën mësimore dhe të detyrave shtesë që ata detyrohen të zhvillojnë pavarësisht profesionit, presionin për të përmbushur në kohë detyrat, si dhe mungesën e mbështetjes së institucioneve.

Për shumë prej tyre, balancimi i detyrimeve profesionale dhe personale është një sfidë e përditshme që ndikon jo vetëm në cilësinë e mësimdhënies, por edhe në mirëqenien e tyre psikologjike dhe emocionale.

Në bisedat me disa mësues, Simo thotë se ato shprehen se ndihen të pafuqishëm, mendojnë shumë herë të lënë punën dhe madje edhe ndonjëherë u vjen turp të thonë se janë mësues.

“Diçka interesante që kam kuptuar në mesin e mësuesve ka të bëjë me rritjen e pagave që u caktua këtë vit. Disa prej tyre ndihen të paragjykuar pasi kjo ka krijuar ndjenjën se tani pritet prej tyre të jenë më produktivë ose të arrijnë standarde më të larta pa marrë parasysh kushtet e punës. Për shumë prej tyre, rritja e rrogës nuk adreson problemet e tjera thelbësore, si mungesa e burimeve, numri I lartë I fëmijëve në klasa, rritja e numrit të fëmijëve me nevoja të veçanta, mbështetja e pamjaftueshme dhe lodhja emocionale nga puna e përditshme”, thotë Simo.

“Kur mamaja ime mësuese pas 42 vitesh doli në pension, disa kolege u shprehën se mezi e presin dhe ata pensionin “që të shpëtonin” prej këtij profesioni. Kjo është çmendurisht e frikshme dhe e vërtetë, ku mësuesit janë gati të plaken vetëm që mos të përballen me këtë profesion”, thotë Simo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë