Libra

Çfarë shkruante Viktor Hygo, në natën e vdekjes së Honore De Balzak

Nga Gazeta “SI”- Honoré de Balzak, një nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit XIX, lindi më 20 maj 1799 në Tours. Ai është krijuesi i veprës monumentale Komedia Njerëzore, një univers i gjallë ku përzihen fisnikë, borgjezë, mashtrues e kontesha, duke i dhënë letërsisë evropiane një pasuri personazhesh e temash të papërsëritshme.

Në një kohë kur romani nuk gëzonte prestigj, Balzaku iu përkushtua prozës me këmbëngulje, duke e ngritur atë në një art të madh. Pena e tij përshkruan me realizëm të mprehtë pasionet, ambiciet dhe plagët e shoqërisë franceze.

Sharl Bodleri do të thoshte se “të gjitha personazhet e tij janë të pajisur me zjarrin jetësor” , një reflektim i pasionit që e përshkonte edhe vetë autorin.

Edhe pse jeta e tij nuk ishte e lehtë  mes vështirësish ekonomike, dështimeve dhe lodhjes së pafundme  Balzaku mbeti një krijues i palodhur: romancier, gazetar, botues, kritik, sipërmarrës. Ai ndërtoi me vullnet dhe disiplinë një “katedrale librash”, që sot mbetet një nga dëshmitë më madhështore të letërsisë botërore.

Honore De Balzak

Balzaku u shua në Paris, më 18 gusht 1850, por trashëgimia e tij letrare vazhdon të ndriçojë botën e ideve dhe artit. Ai mbetet një dëshmitar i pakrahasueshëm i shpirtit njerëzor dhe një monument i pavdekshëm i letërsisë franceze.

Dhimbja e Hygoit për vdekjen e Honore De Balzak

Ishte mbrëmja e 18 gushtit të vitit 1850. Viktor Hygo kishte pak kohë që ishte bërë mik i Balzakut, tregon Stefan Cvajg, një mik i mirë, një mik që e përcolli deri në pragun e fundit tokësoren e këtij “shenjtori” pa altar. Ishte ai, që do të mbetej kontakti i fundit i një gjeniu. Një gjeni që do të fliste dhe do të kujtonte për një gjeni tjetër.

***

I rashë ziles. Hëna doli përmes reve. Rruga ishte e shkretë. Nuk u duk njeri. I rashë ziles për herë të dytë. U hap dera. U duk një shërbyese me një qiri në dorë.

“Ç’dëshironi zotëri?”

Ajo po qante. I tregova se kush isha. Më lanë të hyja në sallonin që ndodhej në katin e parë, ku mbi konsolë, përballë oxhakut është busti i madh prej mermeri i Balzakut, vepër e David D’Anzherit. Një qiri po digjej në tryezën e shtrenjtë në mes të sallonit, këmbëzat e së cilës përbëheshin nga gjashtë statueta të lara në flori, dhe të punuara me shijen më të hollë që bëhet. Hyri edhe një grua tjetër. Edhe ajo po qante.

“Ai po mbaron. Zonja Evelin iku në vendin e saj. Mjekët që dje i humbën shpresat. Ai ka një plagë në këmbën e majtë, i’u bë gangrenë. Mjekët s’dinë ç’të bëjnë. Hidropozia shkakton ënjtjen e këmbës. Mishi dhe lëkura duken si të prishura, prandaj është e pamundur të bëhet injeksion. Këtu e një muaj të shkuar zotëria u pengua në një mobilie të skalitur dhe u dëmtua. Që në orën 9 të mëngjesit ai nuk po flet më. E ëma dërgoi të thërriste një prift. Ai erdhi dhe e mirosi. Zotëria bëri një shenj që e kuptoi se ç’ndodhi. Pas një ore ai i dha dorën zonjës Dë Syrvil, së motrës. Ai ka që në orën 11 që po gulçon. Sontë mbaron. Në dëshironi, unë shkoj e thërras zotin Dë Survil. Ai s’ka rënë akoma për të pushuar”. dhe gruaja doli.

Unë prita disa çaste. Qiriri mezi ndriçonte mobilieritë e salloni dhe tablotë e mrekullueshme të Porbusit dhe të Holbanit që vareshin mureve. Busti i mermertë tundej në gjysmerrësirë si fantazma e një njeriu që po vdes. Një erë kufome mbushte shtëpinë. Hyri zoti Dë Syrvil dhe mi vërtetoi të gjithë ato që më kishte thënë shërbëtorja.

Ne kaluam nëpër korridor, i ngjitëm shkallët e shtruara me sixhade të kuqe dhe të stolisura me statueta, me vazo, me tabllo mureve. Prapë kaluam nëpër një korridor ku pash një derë të hapur. Dëgjova një gulç të fortë ogurzi.

Viktor Hygo

Hyra në dhomën e Balzakut. Shtrati i tij ishte në mes të dhomës. Ishte një shtrat prej druri të kuq me shufërza dhe rripa te koka e te këmbët, mjet për të ngritur të sëmurin. Balzaku dergjej në këtë shtrat dhe kokën e kishte mbështetur mbi një pirg jastëkësh, mbi të cilët kishte vënë edhe jastëkun me damask të kuq të divanit të dhomës. Fytyrën e kishte të mavijosur, thuajse të nxirë, të anuar djathtas, mjekrën të parruar, flokët e thinjur dhe të shkurtër. Sytë e hapur e të ngulët.

Një infermiere e moshuar dhe një shërbëtor qëndronin në dy anët e shtratit. Një qiri digjej mbi një tryezë aty pranë, kurse një tjetër në komonë afër derës. Shërbëtori dhe infermierja heshtnin me njëfarë frike dhe mbanin vesh gulçin e atij që po vdiste. Një erë e padurueshme dilte nga shtrati. Ngrita batanijen dhe kapa dorën e Balzakut. Ishte e djersitur. E shtrëngova, ai nuk i’u përgjigj këtij gjesti… Infermierja më tha: “Ndaj të gdhirë ai mbaron” Zbrita poshtë dhe mora me vete kujtimin e asaj fytyre të zbehtë. Kur po kaloja përmes sallonit, pashë sërish atë bustin e palëvizshëm dhe të ftohtë, krenar, të rrezatuar nga ajo dritë e vagëlluar dhe bëra padashur një krahasim midis vdekjes dhe pavdekësisë.

Ishte fundi, momentet e shterrimit të frymës së një gjeniu, i një njeriu të jashtëzakonshëm. Pak orë më vonë ai u dorëzua. Vdekja qe aq e mëshirshme sa të mos e linte më në atë gjendje, të vuante ende në atë tmerr. Kishte vdekur Honore de Balzak”

Ndërsa në varrimin e gjeniut, Hygoi mes të tjerash do të shprehej në fjalimin e lamtumirës:

“Zotërinj,

Njeriu që zbriti në këtë varr ishte një nga ata për të cilët, dhimbja publike mban kortezh. Në kohërat në të cilat ndodhemi, të gjitha trillimet janë zhdukur. Tani, sytë janë fiksuar jo më mbi kokat që mbretërojnë, por mbi ato që mendojnë dhe i gjithë vendi dridhet kur njëra prej këtyre kokave zhduket. Sot, zija popullore është vdekja e njeriut të talentuar; zija kombëtare është vdekja e njeriut gjenial.

Zotërinj, emri i Balzakut do të përzihet me gjurmën e ndritshme, që epoka jonë do të lërë në të ardhmen”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë