Mendim

Çfarë pasojash do të lërë koronavirusi në demokracinë shqiptare

Nga Afrim Krasniqi- Kur vendi është në situatë emergjente, politika është çështje dytësore, megjithatë, në një demokraci liberale asnjëherë dhe për asnjë arsye nuk duhet të injorohet nevoja që parimet e saj të respektohen. Shqipëria nuk është demokraci liberale, por është një model hibrid që pretendon të shkojë drejt saj. Për këtë arsye kriza të tilla janë edhe një eksperiment demokratik për të testuar aftësinë tonë për krijimin e një sistemi të qëndrueshëm institucional e qeverisës, si dhe për të pranuar parimet demokratike e të shtetit të së drejtës si parime udhëheqëse.

Përvoja e deritanishme, si me emergjencën e tërmetit të nëntorit 2019 dhe sidomos me emergjencën e epidemisë së Covid-19 nxori dukshëm në pah distancën tonë me parimet e demokracisë liberale. Ato po tregojnë se Shqipëria nuk e ka kaluar fazën e parë transitore të njësimit të individit të pushtetshëm me shtetin dhe as tiparin e personalizimit të qeverisjes. Përkundrazi, zhvillimet e muajve të fundit e theksuan këtë tendencë. Një analizë e vendimmarrjeve dhe akteve shtetërore të muajve të fundit, por edhe e ligjërimit dhe e sjelljes institucionale e politike tregon se krizat e emergjencës e dëmtojnë ndjeshëm shtetin e së drejtës dhe demokracinë liberale, injorojnë parimet kushtetuese dhe të drejtat e njeriut, si dhe fuqizojnë shumë më tepër sesa kompetenca kushtetuese pushtetin e individit në pushtet dhe të partive politike. Individi në pushtet sot (Rama), por edhe mentaliteti i individit në pushtet dje e sot (secili prej liderëve politikë në vend) nuk ka dallim thelbësor në këtë pikë. Të gjithë mendojnë njësoj, “pushteti jam unë” dhe situatat e emergjencës vetëm sa shtojnë kuotat e tyre personale politike në dem të interesit publik dhe parimeve të demokracisë liberale.

Faktet e javëve dhe muajve të fundit tregojnë se institucionet shtetërore e publike, biznesi privat dhe qytetarët, organet e sigurisë dhe të garancive kushtetuese, ato financiare dhe shërbimet sociale, pra e gjithë struktura e shtetit udhëzohet përmes komunikimit të personalizuar të “liderit” që ka zëvendësuar shtetin. Demokracia liberale nuk mund të udhëhiqet nga virologët dhe as ekrani televiziv ishte titulli i një të përditshmeje gjermane javën e kaluar. Prej javës nuk ka mbledhje parlamenti dhe as të Këshillit të Ministrave, nuk ka konferenca shtypi nga zyrtarët e lartë përgjegjës dhe as burime informacioni transparent, nuk ka “roje” të të drejtave të njeriut dhe as mekanizma që mbajnë shënim pasojat e situatës në jetën ekonomike e sociale të shtetit, shoqërisë e qytetarëve. Në krahasim me vendet e demokracisë liberale, ku parlamenti mbetet funksional, ku institucionet ekzekutive e ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në rrugë institucionale dhe ku udhëheqësit politikë komunikojnë e marrin vendime në rrugë institucionale, Shqipëria vijon të jetë përjashtim.

Një pasojë e dytë e situatës së krijuar, njësoj si në të gjitha krizat e tjera të mëparshme, është pushteti i madh që ushtrojnë dhe fitojnë partitë politike në kohë krizash dhe emergjencash kombëtare. Të mbetur pa institucione funksionale, gjykata dhe garanci kushtetuese, gjithçka kemi janë disa ekrane televizive që ofrojnë sistem informimi nga lart poshtë, jo anasjelltas. Kanalet shtetërore, përfshirë institucionet e shëndetit publik, janë kaq shumë të njësuara me pushtetet e radhës, me preferencat politike dhe me lidhjet familjare të pushtetit, sa dështuan të ofrojnë një sistem të saktë referimi, transparent dhe profesional. Kjo është edhe arsyeja përse publiku ndjek më shumë ndonjë ekspert në TV sesa raportimet që bëjnë zyrtarët e ministrisë, ISHP apo sistemit spitalor publik. Dhe, në mungesë të transparencës shtetërore sot shumica absolute e informacionit alternativ merret nga konferencat dhe deklarimet e partive politike. Pra partitë, në vend të funksionit të përcaktuar kushtetues, marrin e ushtrojnë një funksion tjetër që në thelb është funksion kushtetues i institucioneve shtetërore dhe publike. Vetë partitë, duke qenë të fokusuara tek interesi politik, nuk ofrojnë standarde transparente, por informacion alternativ, gjë që e bën konceptin e transparencës edhe më të largët për publikun. Kjo traditë kritike e bën edhe më problematike bilancin e demokracisë liberale në Shqipërinë e sotme.

Pasojë e tretë e situatave të tilla emergjente është mungesa e plotë e ndjesisë dhe vëmendjes ndaj të drejtave të njeriut dhe qytetarit të pambrojtur. Cilido qytetar që ankohet në kanalet e rrjeteve sociale, merr si përgjigje denigrimin, fyerjen dhe deri edhe demonizimin nga politika dhe institucionet. Nuk kemi parë ende asnjë rast të vetëm kur institucionet pranojnë një situatë, kërkojnë ndjesë dhe reagojnë në përpushje të funksionit të tyre shtetëror e social. Po ashtu, cilido ekspert i mjekësisë apo i shëndetit, që bën një deklarim, etiketohet politikisht nga palët politike. Ligjërimi i personalizuar denigrues i zyrtarëve më të lartë, përfshirë kryeministrin, bashkëpunëtorët e tij por edhe paraardhësit e tij, ndaj cilido që mendon ndryshe, që ankohet apo që kërkon një të drejtë, e shndërron emergjencën epidemike në emergjencë të demokracisë liberale. Skena e qytetarëve të lënë në pikën e kalimit kufitar në Gjirokastër është dramatike, por shumë më dramatike është e mbetet koncepti i institucioneve dhe i mediave afër pushteteve ndaj tyre.

Ata jo vetëm nuk u ndihmuan, por edhe u denigruan dhe gati gati u bënë fajtor që flasin e ankohen. E njëjta situatë ndodhi me të sëmurët me covid 19. Në vend që të trajtohen me humanizëm dhe solidaritet, ata u denigruan në media dhe në kanalet zyrtare të komunikimit, duke i akuzuar se kanë rrezikuar jetën e të afërme të tyre, se janë fajtorë për humbjen e jetës së gjyshit apo gjyshes, etj, etj, - një histori në kundërshtim me çdo parim të shoqërisë së hapur dhe demokracisë liberale.

Së fundi, emergjenca të tilla janë të përkohshme por pasojat që lënë pas mund të jenë afatgjata. Në nëntor 2019 u gjetëm pa sistem të emergjencës civile e të reagimit të shpejtë, në mars 2020 asnjë nuk ndryshoi, përsëri u gjetëm pa sistem të emergjencës civile dhe reagimit të shpejtë. Pra krizat nuk na shërbyen për të mësuar e reflektuar, por si fatkeqësi para të cilave lutemi të kemi sa më pak humbje dhe që të kalojnë sa më shpejt. Për më tepër, një prej pasojave afatgjata që kriza e fundit po përcjell është fakti se përfituesit më të mëdhenj të tyre janë liderit kryesorë politikë dhe oligarkia mbështetëse. Disa forcuan pushtetin personal dhe mandatin, disa u rehabilituan në imazhin publik, disa gjetën alibi për aksionet e munguara politike, disa shfrytëzuan momentin për të vijuar praktikat e klientelës dhe në thelb, të gjithë bashkë, pritet të dalin më të fortë nga kriza sesa përpara saj, pavarësisht se dobisë së tyre minimale publike, aftësisë së tyre minimale për lidership politik modern dhe faktit se menaxhimi i krizës prej tyre si në nëntor edhe tani nuk pati ndonjë shkëlqim dhe ende nuk ka provë domethënëse se minimalisht prej tyre u arrit apo do të arrihet të kursehet qoftë edhe ndonjë jetë. Teoria se krizat natyrore dhe të emergjencës janë oaz politik për klasat politike jo demokratike, po provohet. Çështja është, me çfarë kosto dhe sa gjatë do të vijojmë të paguajmë çmimin e mungesës së shtetit funksional dhe të demokracisë funksionale?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë