Gazeta Si – Më 26 dhjetor 2004, në brigjet e Sumatrës, Indonezi, ndodhi një nga tërmetet më të fortë të regjistruar ndonjëherë: lëkundja sizmike me magnitudë 9.1, zgjati disa minuta dhe shkaktoi një cunami që goditi mijëra kilometra vijë bregdetare në të gjithë Oqeanin Indian.
Rreth 230 mijë njerëz vdiqën, shumica në Indonezi, edhe për shkak të mungesës së efikasitetit në sistemet e alarmit. Fshatra të tëra u shkatërruan dhe 1.7 milion njerëz të shpërngulën.
Sipas vlerësimeve, shkatërrimi shkaktoi dëme në vlerën 13 trilionë dollarë vetëm për ndërhyrjet emergjente.






Ajo që ndodhi njëzet vjet më parë është tërmeti më i fortë i regjistruar në shekullin e njëzet e një, i ndjekur nga ai në Japoni në vitin 2011 dhe është një nga fatkeqësitë natyrore që ka shkaktuar më së shumti vdekje në shekullin e kaluar, edhe për shkak të numrit të madh të njerëzve që kanë jetuar (dhe jetojnë ende) në zonat e prekura. Mes të përfshirëve kishte mijëra turistë të huaj, veçanërisht në Tajlandë.
Gjithçka nisi rreth orës 8 me orën lokale, kur në Shqipëri ishte ora dy e mëngjesit. Një çarje nënujore u këput për rreth 1200 kilometra dhe lëkundjet shkaktuan një sërë ngritjesh në shtratin e detit që gjeneruan valë të mëdha, me një shpejtësi prej rreth dy kilometra në sekondë duke arritur kulmin brenda 10 minutave.
Cunami i parë mbërriti në brigjet e Indonezisë vetëm 15 minuta pas tërmetit, ndërsa brigjet më të largëta vazhduan të preken për orët në vijim. Valët arritën deri në brigjet e Afrikës Lindore.






Vetëm në Indonezi, rreth 170 mijë njerëz humbën jetën, veçanërisht në rajonin verior të Aceh, më afër epiqendrës së tërmetit.
Si atje, ashtu edhe në ishujt Andaman, që i përksin Indisë, fshatrat dhe madje edhe qytetet praktikisht u rrafshuan me tokën.
Valët më pas arritën në Tajlandë (ku vdiqën rreth 5 mijë njerëz), në Sri Lanka (ku rreth 30 mijë vdiqën dhe përpjekjet e shpëtimit u ndërlikuan nga lufta civile që po zhvillohej) dhe në Indi (ku rreth 15 mijë ishin të vdekur ose të zhdukur).
Dëme të mëdha pati edhe në Maldive, një arkipelag me ishuj të ulët. Malajzia, pavarësisht se ishte shumë afër pikës së origjinës së tërmetit, gjithsesi ishte e mbrojtur nga dallgët falë formës së brigjeve.
Përveç njerëzve që vdiqën në rrënojat e ndërtesave të shembura ose u mbytën nga dallgët, shumë të tjerë humbën jetën në ditët në vijim nga mungesa e ushqimit, ujit të pijshëm dhe kujdesit mjekësor.
Rrugët e shkatërruara izoluan territore të mëdha, të cilat prej ditësh nuk u arritën dot nga ekipet e shpëtimit.
Për shkak të këtyre problemeve, ishte shumë e vështirë për të llogaritur numrin e personave të zhdukur dhe kjo është arsyeja pse është e pamundur të dihet numri real i njerëzve që vdiqën nga cunami.
Shumica e qyteteve të përfshira ishin kryesisht të banuara nga peshkatarë, nuk kishin burime apo infrastrukturë të madhe dhe u dëmtuan shumë rëndë.






Në shumë raste, u deshën javë të tëra për të pastruar rrugët, për të nxjerrë trupa nga rrënojat apo edhe për të djegur ose varrosur kufomat e gjetura.
Megjithatë, reagimi ndërkombëtar kontribuoi në zbutjen e ndjeshme të pasojave të mundshme të cunamit.
Në total, ekuivalenti i mbi 13 miliardë eurove iu dhurua vendeve të prekura nga qeveri, shoqata ndërkombëtare dhe individë.
Mbledhësit e fondeve në shumë vende shënuan një pjesëmarrje me pak precedentë në historinë e nismave bamirëse, edhe falë përdorimit të internetit dhe SMS-ve, të cilat në atë kohë po përhapeshin masivisht.






Ndikimi i cunamit të vitit 2004 ishte shkatërrues edhe për shkak të mungesës së sistemeve të paralajmërimit dhe procedurave emergjente.
Pikërisht nga ajo ngjarje, përpjekjet ndërkombëtare për të futur sisteme të reja dhe për të përmirësuar ato ekzistuese u intensifikuan shumë.
Masat përfshijnë grupe bovash që zbulojnë ndryshime të presionit në shtratin e detit dhe për këtë arsye mund të sinjalizojnë lindjen e një cunami brenda pak minutash, përpara se të arrijë në bregdet.
Ato përfshijnë gjithashtu fushata për të informuar popullsinë e zonave në rrezik për protokollin që duhet ndjekur në rast alarmi.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




