Kosova

Çfarë marrëveshjesh kanë zbatuar Shqipëria dhe Kosova?

Mbi 70 marrëveshjeve, protokolleve dhe memorandumeve të nënshkruara ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë do t’u shtohen edhe 15 të tjera të nënshkruara nga kryeministrat Edi Rama dhe Avdulla Hoti në Tiranë.

Kosova dhe Shqipëria kanë filluar mbajtjen e mbledhjeve të përbashkëta mes dy qeverive më 11 janar të vitit 2014. Mbledhja e parë u mbajt në qytetin e Prizrenit, dhe dy kryeministrat në atë kohë Hashim Thaçi, dhe Edi Rama, e cilësuan takimin historik.

Edhe pse e shpallën veten si “kumbarët” e një sërë marrëveshjesh premtuese për të forcuar bashkëpunimin mes Kosovës dhe Shqipërisë, as Thaçi dhe as Rama nuk kanë mundur të zbatojnë pjesën më të madhe të atyre që kanë nënshkruan.

Takimet mes dy qeverive vazhduan përgjatë viteve, ku nga njëra anë e tavolinës qëndronte kryeministra Rama dhe nga ana tjetër vit pas viti, ai kryeministrat Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj. Mbledhja e fundit e përbashkët ndërmjet dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, është mbajtur në nëntor të 2018-s në Pejë, ku po ashtu nënshkruan një sërë marrëveshjesh, shumica prej të cilave “nuk e kanë parë dritën e diellit”.

Dy qeveritë kanë premtuar në vazhdimësi për forcimin e bashkëpunimit të ndërsjellë, sidomos për forcimin e bashkëpunimit ekonomik. Por, si edhe gjatë mbledhjeve të kaluara marrëveshjet e nënshkruara kanë mbetur vetëm në letër, pa u zbatuar në praktikë.

Numri më i madh i marrëveshjeve të nënshkruara mes Kosovës dhe Shqipërisë synojnë lehtësimin e bashkëpunimit tregtar. Por sipas një studimi të Institutit për Hulumtime të Avancuara edhe pse ka një progres të mirë në realizimin e marrëveshjeve, ende shfaqen barriera tregtare.

Problemet kryesore të bizneseve të raportuara me Shqipërinë, sipas këtij studimi kanë të bëjnë me pengesa që lidhen me dokumentacione sanitare, çmimet referente, akcizat diskriminuese, pagesat për skanerë dhe mjedisin e vështirë të të bërit biznes. Karakteristikë, sa i përket barrierave tregtare me Shqipërinë, është se ato zgjidhen për një kohë të caktuar dhe më pas shfaqen prapë.

Një nga e marrëveshjet e zbatuara mes Kosovës dhe Shqipërisë sipas studimit të Institutit GAP dhe Riinvest, është funksionimi i Portit të Durrësit. Në janar të vitit 2019 Dogana e Kosovës pati hapur pikën doganore në Portin e Durrësit dhe kryeministri Rama premtoi sot lehtësimin e përdorimit të portit nga Kosova.

Kjo pikë doganore është mirëpritur nga bizneset e Kosovës, duke marrë parasysh se Porti i Durrësit është porti që ofron mundësi për qarkullimin më të shpejtë dhe më të lirë të mallrave për dhe nga Kosova.

Po ashtu Shqipëria dhe Kosova kanë ngritur pika të përbashkëta doganore, duke zbatuar marrëveshjen e nënshkruar ne vitin 2018.

Sa i takon bashkëpunimit politik palët zotoheshin për qëndrim të njësuar sa i takon proceseve të integrimit në Bashkimin Europian, si dhe një koordinim i përbashkët diplomatik për të shtuar njohjet e Pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në organizmat e institucionet ndërkombëtare.

Marrëveshja pasoi hapjen e disa konsullateve të përbashkëta dhe përfaqësimin e Kosovës nga ana e Shqipërisë në ato vende ku nuk ka përfaqësi diplomatike. Hapa përpara u bënë, por sërish pati disa ngërçe dhe qëndrime të kundërta, sidomos sa i takon çështjes së kufijve të Kosovës.

Në sektorin ekonomik gjëja e parë që u premtua ishte lëvizja e lirë dhe heqja e burokracive doganore për mallrat që qarkullonin në të dyja anët. Objektivi ishte rritja e volumit tregtar mes dy vendeve dhe ndërtimin e një hapësire ekonomike të përbashkët, që u tha se do t’i shndërronte dy vendet më shumë tërheqëse për investitorët e huaj.

Si shembull në këtë pjesë sillej energjia elektrike. Shqipëria prodhon pjesën dërrmuese të energjisë nga hidrocentralet, ndërsa Kosova nga termocentralet, duke qenë plotësuese të njëra-tjetrës. Për këtë zotimi ishte ndërtimi i linjës së transmetimit 400 KË, që u quajt edhe si “Autostrada energjitike e Kombit”. Por, burokracitë nga të dyja anët e kufirit e vonuan përfundimin e kësaj linje dhe kur ajo u mbyll, një tjetër pengesë ishte edhe Serbia, që bllokoi lidhjen e kësaj linje me rrjetin rajonal energjetik.

Energjitika, megjithëse një fushë komplekse dhe pengesat e burokracitë që iu shfaqën rrugës, vlerësohet si një prej fushave relativisht të suksesshme të bashkëpunimit. Por, ka disa fusha të tjera, që në thelb vlerësoheshin më të thjeshta e që në realitet dalin më të komplikuara.

Njëra prej tyre është tregtia. Edhe pse palët zotoheshin e nënshkruanin marrëveshje për të garantuar një tregti të lirë dhe pa pengesa tarifore me njëra-tjetrën, edhe në kuadër të CEFTA-s, burokracitë janë ato që e kanë dëmtuar këtë bashkëpunim. Eksportet e Shqipërisë drejt Kosovës janë kryesisht në minerale, lëndë djegëse, kryesisht naftë bruto, energji elektrike dhe materiale ndërtimi si çimento e të tjera. Nga ana tjetër, Kosova eksporton drejt Shqipërisë kryesisht minerale të papërpunuara dhe produkte ushqimore si miell gruri, pije dhe patate. Nuk janë të largëta kohët kur eksportuesit kosovarë protestonin kundër bllokimit të patates nga ana e Shqipërisë nga 2009 deri në 2012.

Një tjetër element pengues janë burokracitë e shumta dhe certifikata e nivele të ndryshme sigurie e kontrolli që aplikohen për të njëjtin produkt nga Kosova dhe nga Shqipëria. Në përpjekje për të eleminuar këto pengesa, u zhvillua mbledhja e dytë e përbashkët mes dy qeverive. Këtë herë nuk ishte më Hashim Thaçi në krah të Edi Ramës në Tiranë, por ishte Isa Mustafa. Këtu u firmosën 11 marrëveshje, që siç u tha synonin thellimin e bashkëpunimit në kuadër të partneritetit strategjik,

Mes marrëveshjeve të nënshkruara ishte edhe ajo e nënshkruar mes ministrive të Financave për nxitjen dhe lehtësimin e tregtisë. Për Kryeministrin Rama vëllimi i shkëmbimeve tregtare që në atë kohë ishte rreth 160 milion euro duhet më së paku të dyfishohet.

“Jemi të vendosur që brenda vitit t’i heqim të gjitha barrierat e natyrës administrative dhe të njësojmë dokumentet zyrtare të nevojshme për tregtinë në mënyrë që sipërmarrësit të mos jenë të detyruar të punojnë me dy palë autorizime me dy palë dokumente kur është fjala për shkëmbime tregtare dhe posaçërisht per shkëmbimin e prodhimit bujqësor dhe blegtoral, ku është e domosdoshme të veprojmë me shpejtësi dhe do ta bëjmë këtë për të njehsuar dhe njohur reciprokisht burimet e certifikimit”, deklaronte ai në mars të 2015.

Pas katër vitësh qeveritë u bënë sërish bashkë. Protagonistët nga ana e Kosovës kishin ndryshuar sërish, por në anën shqiptare mbetet Edi Rama. U nënshkrua një marrëveshje për heqjen e çmimeve të shërbimeve Roaming për rrjetet publike të komunikimeve të lëvizshme ndërmjet ministrive përgjegjëse për fushën e komunikimeve elektronike.

Kjo ishte në fakt një ndër pak marrëveshjet e zbatuara. Në korrik të vitit të kaluar, tarifat e Roaming to të uleshin me 15 % dhe pritet te eleminohen tërësisht në vitin 2021.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë