Libra

“Çfarë ka qenë Tirona”, ana e panjohur e kryeqytetit përmes 100 dokumenteve

Edhe pse shumica e shqiptarëve jetojnë në Tiranë, të paktë janë ata që e njohin historinë e kryeqytetit. Edhe për arsyen se Tiranës i ka munguar një libër për historinë e saj.   

Por tani historia e Tiranës, sidomos pjesa e saj e panjohur përmes dokumenteve të arkivave osmane, vjen në librin “Çfarë ka qenë Tirona” nga gazetarja Rezarta Delisula.

Këto dokumente të sjella në këtë libër vijnë për lexuesin si një pasuri për historinë e kryeqytetit, pasi sjellin elemente të organizimit, jetës shoqërore e politike, luftës për pushtet, një listë të plotë të familjeve të para të qytetit, që atëherë ka qenë i saktë dhe për të gjithë vendalinjtë e Tiranës, përfshi dhe komunitetin e krishterë. 

Rezarta Delisula

Por dokumentet autentike të gjetura në Arkivin Osman rrëfejnë copëza historie jo vetëm për Tiranën, por për gjithë Shqipërinë në vitet 1800-1900.    

“Ato janë të lidhura jo vetëm me Tiranën, por si kaza, një herë në varësi të Ohrit dhe një herë në të Shkodrës dhe me këto vilajete të rëndësishme. Gjithashtu përfshihen dhe dokumente ku përmendet Mati, Elbasani, Kavaja… e shumë qytete të tjera shqiptare. Pra, rëndësia e tyre nuk mund të lokalizohet vetëm me Tiranën edhe pse ajo ishte lajtmotivi i kërkimeve të mia”, shprehet gazetarja Rezarta Delisula për Gazetën “Si”.

Ajo rrëfen për Gazetën “Si” se ana e panjohur e Tiranës vjen përmes 100 dokumenteve, të cilat ajo ka mundur t’i sigurojë dhe t’i përkthejë.

“Dokumentet e arkivit osman janë miliona, por unë munda të siguroj dhe përkthej vetëm 100 prej tyre. Ato sillen rreth viteve 1800 deri në fillimet e viteve 1900. Dokumenti më i fundit përkon me një relacion të bërë për ndihmën e popullsisë shqiptare e sidomos tiranasve me në krye Esat Pashë Toptanin në luftën për çlirimin e Shkodrës”, vijon më tej Delisula.

Libri “Çfarë ka qenë Tirona”

Për të nuk është libri i parë për Tiranën. Në dhjetor të 2018-s ajo botoi librin e saj të parë “Tirana Mahnia”, një guidë historike, etnografike e zakonore e kryeqytetit, ndaj sipas saj libri i dytë vjen edhe si një kërkesë e qytetarëve për ta njohur më shumë Tiranën e saj periudhe.

“Ideja për këtë libër lindi bashkë me librin tim të parë ‘Tirana Mahnia’, një libër që na sillte Tiranën e dikurshme krahasuar me të sotshmen, një manual, etno/historik i kryeqytetit. Që me botimin e tij vura re kërkesën e qytetarëve për të ditur më shumë për Tiranën. Në fillim doja të mblidhja atë çka tiranasit ruanin në arkivat e tyre personale, por historiania Nevila Nika më nxiti të rrëmoj në arkiva”, shprehet Delisula.

Ajo rrëfen edhe se si nisi bashkëpunimi me osmanologët dhe seleksionimin e dokumenteve deri në finalizimin e librit.  

“Nisa kërkimin në Stamboll, ku bashkë me bashkëpunëtoren time, Kristina Qenanën shkuam e takuam disa studentë që do të na ndihmonin me arkivat. Por nuk ishte aq e thjeshtë sa menduam. Një osmanolog, njohës i mirë i arkivave të Stambollit ishte më se i nevojshëm, ndaj kontaktova Ermal Nurja punonjës i arkivës së shtetit e osmanolog i njohur. Ai më siguroi një katalog me titujt e dokumenteve dhe ishin net të tëra pune për të seleksionuar këto dokumente që në fund janë pjesë e këtij botimi”.

Në brendësi libri sjell fakte shumë interesante mbi jetën e qytetit të Tiranës në shekullin e 18-19, duke nisur nga mënyra se si organizohej jeta në atë kohë në kryeqytet e deri marrëdhëniet fetare, investimet etj.

“Në këtë libër lexuesi do të njihet më shumë me mënyrën shoqërore të organizimit të jetës në ato vite, me marrëdhëniet fetare, marrëdhëniet e parisë së qytetit, investimet që tiranasit bënin për rrugë e shkolla me paratë e tyre, me tregtinë që e kanë pasur shumë të rëndësishme… Pra vjen një kuadër i shumëfishtë i jetës dhe funksionimit të institucioneve në atë vite”, shpjegon më tej Delisula rreth librit.

Në fund, ajo shprehet se ky libër nuk u shërben vetëm atyre që janë të apasioniuar rreth historisë, por të gjithë shqiptarëve për të mësuar më shumë rreth kryeqytetit dhe për fillesat e tij.

“Me anë të këtij libri dygjuhësh shqip/anglisht, dua t’u them qytetarëve të këtij vendi, por dhe emigrantëve që të mësojnë më shumë rreth historisë së Tiranës, pasi është kryeqyteti i gjithë shqiptarëve, jo vetëm i yni që jemi vendali. E sa më shumë të dimë rreth kësaj historie, aq më shumë do të ndihemi krenar për njerëzit dhe atë që ata kanë përfaqësuar që prej fillesave të qytetit”, përfundon Delisula.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë