Lajme

Çfarë ka ndodhur nëpër botë

Presidenti pro-perëndimor i Rumanisë, Klaus Iohannis, ka fituar mandatin e dytë për të udhëhequr vendin, duke u zotar ta bëjë Rumaninë një shtet “modern, europian”.
Rezultatet e para tregojnë se Iohannis ka fituar më shumë se 66 për qind të votave kundrejt ish-kryeministres së majtës, Viorica Dancila, e cila ka fituar më pak se 34 për qind.
“Zotohem se do të jem president i të gjithë rumunëve. Sot ka fituar një Rumani, moderne, eyropiane dhe normale”, ka thënë ai para mbështetësve të tij në Bukuresht.
Sipas Komisionit Qendror Zgjedhor, pjesëmarrja në zgjedhjet e 24 nëntorit ka qenë rreth 50 për qind, në Rumaninë, ku të drejtë vote kanë 18.2 milionë banorë.
Iohannis shihet si mburojë e rezistencës kundër të gjitha sulmeve që ka bërë koalicioni i udhëhequr nga Partia Social-Demokrate e Dancilas për pavarësinë e gjyqësor nga viti 2017 deri në muajin e kaluar, kur kabineti i ish-kryeministres është larguar nga pushteti përmes një vote mosbesimi. Pas shpalljes së rezultateve, Dancila ka thënë se nuk do të japë dorëheqje nga posti si kryetare e partisë.

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka njoftuar sot se një e treta e të gjitha grave dhe vajzave në botë përjetojnë dhunë fizike ose seksuale gjatë gjithë jetës së tyre.
Sipas tyre, gjysma e grave të vrara në të gjithë botën, kanë pësuar dhunë nga partnerët ose familja.
Të dhënat u publikuan në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për Dhunën ndaj Grave.
Sipas raportit, numri i saktë i përdhunimeve dhe sulmeve seksuale është vështirë të dihet për shkak të frikës së shpeshtë të viktimave që t’i raportojnë.
Megjithatë, raporti thekson se rreth 15 milionë vajza adoleshente në të gjithë botën janë përdhunuar të paktën një herë në jetës.
“Dhuna ndaj grave dhe vajzave është ndër shkeljet më të përhapura dhe më shkatërruese të të drejtave të njeriut, por shumë shpesh nuk raportohet për shkak të pandëshkueshmërisë, turpit dhe pabarazisë gjinore”, theksojnë Kombet e Bashkuara.

Muzeu më i famshëm i Gjermanisë, ai Drezdenit, i cili ka një prej koleksioneve më të mëdha të artefakteve të stilit barok, ka rënë pre e vjedhjes.
Si pasojë e kësaj ngjarje të rëndë, muzeu është thënë të ketë humbur miliarda dollarë.
Policia gjermane ka njoftuar se vjedhja ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit, duke thënë se autorët janë ende në arrati. Zyrtarët nuk kanë vlerësuar dëmet mirëpo gazeta gjermane, Bild ka raportuar se artefakte në vlerë të miliarda dollarëve janë vjedhur. Sipas gazetës, kriminelët kanë hyrë në muze përmes një dritareje.
Muzeu Green Vault në Dresden është një prej muzeve më të vjetër në Europë, i ndërtuar në vitin 1723. Kjo është vjedhja e dytë e profilit të lartë në Gjermani në vitet e fundit, pasi monedha në sasi prej 1 kilogramësh, me 24 karat ari janë vjedhur në Muzeun Bode të Berlinit në vitin 2017.

Maqedonia e Veriut është e bindur se Bashkimi Evropian do ta përmirësojë “gabimin historik” për mos hapjen e negociatave në tetor, duke i hapur sa më shpjet dyert Shkupit.
Kryeministri Zoran Zaev thekson se vendi i tij nuk ka dhe nuk mund të ketë alternativë tjetër përpos integrimit euroatlantik dhe se vendimi negativ i tetor ka rritur dozën e dëshpërimit.
“Shpresojmë se do ta përmirësojnë këtë gabim historik, edhe pse të gjithë liderët evropianë, përfshirë edhe presidentin francez Macron, janë të mendimit se ne i kemi përmbushur të gjitha obligimet, por thanë se ende i duhet kohë”, thotë kryeministri Zaev.
Ai ka komentuar edhe raportet për realizimi e reforme në Drejtësi në vendin e tij, të ngjashme me atë në Shqipëri, duke thenë se është i vetëdijshëm se gjyqtarët duhet të kalojnë nën Vetting por se i druhet nurmit të kufizuar të gjyqtarëve dhe juristëve.

Uber ka marrë sot një goditje të rëndë duke mos është siguruar licensën e re për të vepruar në Londër. Autoritetet përgjegjëse për transportin në Londër kanë thënë se aplikacioni për taksitë nuk “është adekuat” për të marrë licensën, pavarësisht ndryshimeve të mëdha pozitive që ka bërë kohën e fundit. Uber fillimisht ka humbur licensën në vitin2017 për shkak të shqetësimeve për sigurinë, mirëpo iu zgjatur edhe për 15 muaj tjerë.
Kompania ka thënë se do ta apelojë këtë vendim dhe se do të këmbëngulë derisa të merret vendimi i ri. Ajo është përballur me rezistencë nga rregullatorët dhe kompanitë e tjera të taksive në një sërë shtetesh për shkaqe të sigurisë. Rreth 45,000 drejtuesh makinash punojnë për Uberin në Londër dhe nëse licensa e kësaj kompanie refuzohet përfundimisht, ata mund të mbesin të papunësuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë