Në Kanada, gjithë viti pritet të jetë “i thatë”, sipas rekomandimeve të reja kombëtare që thonë se do ketë një politikë “zero alkool”.
Për ato që nuk rrinë dot pa konsumuar alkool, rekomandohet maksimumi dy gota në javë.
Ky rekomandim është shumë ndryshe nga rekomandimi i mëparshëm, i botuar në 2011.
Këto udhëzime lejonin maksimumi 10 gota në javë për gratë dhe 15 gota për burrat.
Raporti i ri, i financuar nga Health Canada, sugjeroi gjithashtu etiketa paralajmëruese të detyrueshme për të gjitha pijet alkoolike.
"Mesazhi kryesor nga ky udhëzues i ri është se çdo sasi alkooli nuk është e mirë për shëndetin tuaj", tha Erin Hobin, shkencëtare dhe një prej anëtarëve që ishte pjesë e përpunimit të raportit.
Raporti prej gati 90 faqesh, nga Qendra Kanadeze për Përdorimin e Substancave dhe Varësinë (CCSA), detajon një sërë rreziqesh shëndetësore që lidhen me atë që më parë konsiderohej konsum i ulët i alkoolit.
Sipas CCSA, çdo konsum më shumë se dy gota standarde, sjell një rritje të rezultateve negative, duke përfshirë kancerin e gjirit dhe të zorrës së trashë.
"Udhëzimi i ri është ndoshta pak tronditës por unë mendoj se është një informacion shumë i ri për publikun që me tre gota standarde në javë, rreziku për kancerin rritet me 15%, dhe rritet më tej me çdo pije shtesë", tha Hobin.
Ekspertët kanadezë thonë se ndryshimi drastik në udhëzim, nga gati dy pije në ditë në dy në javë, është rezultat i një hulumtimi të mirë.
Si krahasohet Kanadaja me Australinë, SHBA-në dhe Britaninë e Madhe
Rekomandimet e reja janë shumë të ndryshme në krahasim me vende të tjera perëndimore. Udhëzimi kombëtar i Australisë, i botuar në vitin 2020, rekomandon maksimum 10 pije në javë. Franca sugjeron të njëjtën gjë.
SHBA rekomandon jo më shumë se dy pije në ditë për burrat dhe një për gratë, ndërsa Mbretëria e Bashkuar sugjeron jo më shumë se rreth gjashtë gota verë ose birrë në javë.
Por Kanadaja nuk është një ndryshim total. Që nga viti 2015, këshilli shëndetësor i Holandës rekomandoi që njerëzit të largohen plotësisht nga alkooli ose të pinë jo më shumë se një gotë çdo ditë.
Problemi qëndron tek kanadezët që e duan pijen dhe është e vështirë të binden për ta lënë.
Sipas Anketës Globale të Drogës, Kanadaja nuk renditet në 10 vendet e para në nivel global për konsum të pijeve por pirja deri në masën e “të dehurit”, e listoi Kanadanë në vendin e 6, menjëherë pas SHBA-së dhe Britanisë së Madhe.
"Alkooli është kryesisht një pjesë e kulturës sonë në Kanada, është i normalizuar, është kryesisht i pranueshëm nga shoqëria", tha Hobin.
Ekspertët e CCSA dhe ekspertë të tjerë thonë se etiketimi i detyrueshëm i të gjitha pijeve alkoolike me paralajmërime shëndetësore, tashmë praktikë e zakonshme për cigaret, është hapi i parë i domosdoshëm.
Në vitin 2017, në një nga eksperimentet e vetme deri më sot të etiketave paralajmëruese të kancerit në pijet alkoolike, Hobin studioi efektet e paralajmërimeve të tilla në dyqanet e pijeve. Etiketat ulnin shitjet e alkoolit për frymë me 7%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.