Mendim

Çfarë e bashkon Jozefina Topallin me Astrit Patozin

Nga Nevila Perndoj – Përpos nevojës për ndryshim në politikën shqiptare, Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi kanë marrë përsipër një mision makro mbi supe; që kryetari i opozitës, Lulzim Basha të mos jetë kryeministër nëse mbështetja e tyre në elektorat do të kushtëzonte emrin e kryeministrit të ri pas 25 prillit.

Si Topalli ashtu edhe Patozi i mëshojnë largimit të Edi Ramës, Lulzim Bashës, Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës. Edhe pse pjesë e kësaj politike për më shumë se 20 vjet, vetëm pak muaj para zgjedhjeve dy ish-nënkryetarët e PD-së mëtojnë të bindin se ata janë ndryshe, se ka ardhur koha për një klasë të re politike, se ndryshimi duhet të jetë tani.

Topallin dhe Patozin nuk i lidhte një miqësi mes tyre në krye të lidershipit të PD-së, përveçse detyrat partiake.

Disa herë ata kanë pasur përplasje me njeri tjetrin; njëra në krye të Kuvendit dhe tjetri si kryetar i grupit parlamentar i PD.

Kjo është edhe arsyeja se kur Astrit Patozi filloi një lëvizje shumë më herët se Topalli, kjo e fundit nuk iu bashkua.

Sot të gjendur në të njëjtën llogore, të dy ata po afrohen në qëndrime. Ata i lidh përjashtimi de facto në listat për deputet i Lulzim Bashës qysh prej zgjedhjeve të 2017-ës, karriera e ndërprerë nga i njëjti kryetar dhe e njëjta pakënaqësi për mënyrën se si është “qeverisur” brenda kësaj partie, shoqëruar kjo edhe me vendimet politike, që opozita ka ndërmarrë këto kohë duke filluar që me largimin nga Kuvendi dhe braktisjen e kauzës “Rama Ik” këtu e një vit më parë.

Astrit Patozi nuk përjashtoi dy ditë më parë në një intervistë televizive edhe mundësinë e krijimit të një koalicioni me disa parti; “Koalicioni për Ndryshim”, ku të përfshihet edhe partia e Topallit.

Edhe Topalli në anën tjetër nuk e ka përjashtuar bashkëpunimin me Bindjen Demokratike.

Ajo është shprehur se partia e re është gati dhe se gjithçka do të jetë në funksion të largimit të Ramës, Metës dhe Bashës.

Pra, Topalli dhe Patozi do të shkojnë në zgjedhje me një objektiv thuajse të pamundur; Të largojnë kastën aktuale politike.

A do të munden ata që ta fitojnë këtë bast dhe sa të besueshëm do të jenë në elektorat kur vetë ata kishin rol domethënës si pjesë e kësaj kaste politike?

Kjo mbetet për tu parë. Të paktën tani ata i bashkon një kauzë… Dhe kjo nuk është pak, për këdo që njeh Topallin dhe Patozin si politikanë…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë