Ne rrjet

Ç’do të thotë arrestimi i Pavel Durov për mediat sociale dhe prodhuesit e pajisjeve inteligjente

Një njoftim i Reuters informoi për arrestimin në Francë, të Pavel Durov, themeluesit dhe CEO i Telegram, me shtetësi të dyfishtë ruse dhe franceze. Sipas TF1, arsyeja e arrestimit është mungesa e moderimit të përmbajtjes, mosbashkëpunimi me organet e zbatimit të ligjit dhe dhe përdorimi i mjeteve (të tilla si kriptovalutat dhe numrat e telefonit të disponueshëm) të disponueshëm lirisht në platformën e tij. Hetuesit francezë besonin se duke vepruar kështu Durov jo vetëm dështoi në kryerjen e kontrolleve, por se ai ishte një bashkëpunëtor i vërtetë në kryerjen e krimeve.

Duke mos pasur akses në dosjen e gjykimit të kësaj çështjeje, dhe për rrjedhojë duke mos ditur nëse ka ndonjë indikacion për përfshirjen e Durovit në fakte specifike, nuk mund të thuhet më shumë mbi këtë cështje. Megjithatë, ky rast na lejon të bëjmë disa reflektime më të përgjithshme mbi temën e përgjegjësisë së Big Tech për mënyrën në të cilën ajo dizajnon pajisjet dhe shërbimet që kontrollojnë ekzistencën tonë.

Përgjegjësia e projektimit
Problemi i arrestimit të Durov mund të përmblidhet në këtë pyetje: Kur një produkt/shërbim është projektuar me karakteristika të caktuara dhe këto karakteristika lejojnë kryerjen ose parandalimin e një krimi, kushdo që ka vendosur për to është apo jo bashkëpërgjegjës për veprat penale që kryhen nëpërmjet këtyre produkteve/shërbimeve?

Disa precedentë
Përsa i përket SHBA-së, precedenti më i rëndësishëm është padyshim përplasja e vitit 2016 mes Apple dhe FBI-së amerikane lidhur me refuzimin e Apple për të bashkëpunuar për aksesin në një iPhone të përdorur nga autorët e masakrës në San Bernardino. Edhe në këtë rast, në fakt, thelbi i çështjes ishte i njëjtë: Apple refuzoi të bashkëpunonte me hetuesit, duke pretenduar se iPhone ishte projektuar si parazgjedhje për të mos lejuar që ai të plasohej dhe për këtë arsye nuk mund të bënte asgjë. Por Apple nuk u ndal me kaq sepse në një letër drejtuar përdoruesve të saj, Tim Cook deklaroi në mënyrë eksplicite se nuk do të pranonte kërkesën e FBI-së për të instaluar një backdoor në iPhone.

Apple nuk pati asnjë pasojë ligjore nga kjo zgjedhje, ndërsa Encrochat, një sistem mesazhesh i koduar i përhapur gjerësisht (nëse jo ekskluzivisht) në botën kriminale evropiane dhe i çmontuar nga një hetim franko-holandez, pati një fat krejtësisht të ndryshëm. Të ashtuquajturat Encro-Phone nuk u kufizuan vetëm në ekzekutimin e aplikacioneve për shkëmbimin e mesazheve dhe thirrjeve të koduara nëpërmjet një rrjeti serverësh të pronarit, por u modifikuan edhe fizikisht me heqjen e GPS-së dhe portave të të dhënave, çka u ndaloi autoriteteve hetimore të bënin detyrën e tyre. Gjithashtu në këtë rast, pra, ne përballemi me një zgjedhje të vetëdijshme dhe të qëllimshme nga prodhuesi i një pajisjeje dhe/ose furnizuesi i një shërbimi që përkthehet në sigurimin e mjeteve që nuk lejojnë ose e bëjnë më të vështirë qasjen e policisë në to.

Kufiri ligjor për sigurinë e një produkti/shërbimi
Në rastin e përgjegjësisë së dizajnit është mjaft e vështirë të ndash shapin nga sheqeri për të kërkuar dallime midis këtyre ngjarjeve. Në fakt, të gjitha janë të bashkuara nga vetëdija ose jo e drejtuesve të lartë për pasojat e zgjedhjeve të bëra në hartimin e produkteve dhe shërbimeve të vëna në dispozicion të përdoruesve fundorë.

Në aspektin e së drejtës penale, megjithatë, gjërat janë më komplekse sepse në thelb përgjegjësia ka të bëjë me fakte specifike të kryera me vetëdije. Prandaj, duke ardhur në terma praktike, në rastin e platformave dhe prodhuesve të harduerit do të ishte e nevojshme të demonstrohej përfshirja e drejtpërdrejtë dhe vullnetare e njerëzve të veçantë që arritën qëllimisht të lehtësonin kryerjen e krimeve, pa qenë në gjendje të përcaktonin automatikisht përgjegjësinë e një menaxheri ose një CEO-je.

Nyja për të zgjidhur
Pra, përtej çdo hipokrizie, dilema është e qartë: Nëse lejohet të vihet në qarkullim ajo që pengon kontrollin nga shteti, atëherë duhet të pranojmë ekzistencën e shërbimeve totale të anonimizimit, të sistemeve të dizajnuara për të qenë të padepërtueshme për të hyrë në përpjekje të paautorizuara pavarësisht se kush (kriminelët apo forcat policore) dëshiron t'i kryejë dhe të drejtën për të mos bashkëpunuar me autoritetet gjyqësore.

Ose pastaj e gjitha kjo është e ndaluar dhe për këtë arsye e ndëshkueshme. Dhe për pasojë ne duhet të pranojmë gjëra të tilla si dyert e pasme të harduerit dhe softuerit, enkriptimin e dobësuar, VPN-të e menaxhuara në atë mënyrë që të lejojnë marrjen e trafikut të pakriptuar, heqjen e fjalëkalimeve dhe sistemeve të tjera të vërtetimit, detyrimin për bashkëpunim të përgjithësuar e kështu me radhë.

Në rastin e parë, pra, askush nuk duhet të sanksionohet, por në të dytin të gjithë (të gjithë, pa përjashtim) duhet të ndëshkohen.

Zgjidhjet (teorikisht) të mundshme dhe pasojat për ekosistemin digjital
Një sanksion penal për përgjegjësinë për dizajnimin e produkteve dhe shërbimeve që lehtësojnë kryerjen e krimeve ose pengojnë zbulimin e tyre, nuk ekziston (të paktën ende jo).

Megjithatë, është e qartë se nëse do të miratohej diçka e tillë, kjo do të shqetësonte të gjithë ekosistemin digjital sepse do të nënkuptonte përgatitjen e një sistemi shumë të fuqishëm dhe kapilar të mbikëqyrjes masive në disponueshmërinë, para së gjithash, të Big Tech, të cilit do t’i delegohej edhe kontrolli mbi personat, por mbi të gjitha edhe kontrolli mbi vetë hetimet policore.

Sado distopike të duket kjo perspektivë, disa shenja të pranisë së një zgjidhjeje të tillë tashmë janë shfaqur në SHBA, ku ofruesve të shërbimeve të platformës u kërkohet të monitorojnë përmbajtjen e ruajtur nga përdoruesit dhe të informojnë indirekt autoritetet kompetente për praninë e përmbajtjes së paligjshme; dhe në BE ku client-side scanning është një opsion i pakundërshtueshëm.

Sido që të jenë zgjedhjet e miratuara, një fakt është mjaft i qartë: Përhapja e kudondodhur e shërbimeve të platformës, mesazheve individuale dhe sistemeve përkatëse të sigurisë, kanë përforcuar numrin dhe intensitetin e fenomeneve kriminale deri në pikën ku represioni (term i përdorur në kuptimin teknik të Kodit Penal) objektivisht është i pamjaftueshëm dhe jofunksional. Por nëse alternativa është parandalimi teknologjik (në formën e kontrollit në kohë reale të gjithçkaje që ndodh), atëherë prodhuesit e pajisjeve, menaxherët e platformave dhe përdoruesit duhet të detyrohen të operojnë me metoda të ngjashme me ato të praktikuara në regjimet e karakterizuara nga mungesa e demokracisë.

Një perspektivë e tillë është padyshim shqetësuese dhe e vështirë për t'u pranuar edhe për ata që nuk përjetojnë dimensionin konspirativ dhe antikonspirativ bazuar në paranojën se duhet të mbrohemi nga shteti i cili, pavarësisht kësaj, kontrollon gjithçka dhe këdo. Në të njëjtën kohë, megjithatë, kjo perspektivë shpërthen të gjitha kontradiktat e një koncepti demokracie të ndërtuar mbi ndarjen e pacenueshme midis shtetit dhe dimensionit individual të qytetarit, por që për t’u ruajtur, kërkon anulimin e këtij kufiri.

Burimi: La Repubblica, Përshtati: Gazeta “Si


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë