Mendim

Çfarë do të sjellë fitorja e Biden për Europën?

Pas katër vitesh kritikash dhe armiqësish të vazhdueshme, Europa mund të marrë frymë lehtësisht; më në fund Donald Trump do të largohet nga Shtëpia e Bardhë.

Humbja e Trump në zgjedhjet amerikane po të festohet në të gjithë Kontinentin ku presidenca e tij ka shkaktuar zemërim dhe përçarje. Shumë kishin frikë se një mandat i dytë i Trump do të shkaktonte kolapsin e marrëdhënies transatlantike, e cilësuar si spirancën e prosperitetit dhe stabilitetit europian që nga Lufta e Dytë Botërore.

Joe Biden ka lidhje të forta me shumë nga udhëheqësit më të rëndësishëm të Europës, duke përfshirë Angela Merkel dhe  Emmanuel Macron. Pas fitores së tij, brenda natës, toni transatlantik u zhvendos nga ai i armiqësisë tek ai i respektit reciprok. Pas përplasjeve të njëpasnjëshme me Trump, shumë vendimmarrës europianë do ta shohin presidencën e Biden si një mundësi të artë jo vetëm për të fuqizuar aleancën transatlantike por edhe për ta ripërcaktuar atë për dekadat e ardhshme. Por a do ta shfrytëzojë Europa shansin për të fuqizuar marrëdhëniet transatlantike?

Në një botë që lufton për të përballuar pandeminë dhe përhapjen e autoritarizmit, mund të jetë çmenduri të mos e bëjë.

Biden do të ishte një partner me të cilin mund të negociosh lehtësisht. Por pavarësisht dashurisë së tij për Europën, Biden, si Barack Obama para tij,do ta bëjë të qartë se europianët duhet të ndalojnë së foluri dhe të fillojnë nga puna, nëse duan një partneritet të barabartë me SHBA-në dhe të ndihmojnë në shmangien e rikthimit të  “trumpizmit” pas katër vjetësh.

Tregtia

Trump e shpalli Europën “armikun” e SHBA-së në tregti dhe për të provuar fjalën e tij shkoi deri atje sa të vendoste tarifa për çelikun dhe aluminin, si dhe për verërat europiane. Ndërsa ky ton do të bëhet më miqësor, administrata e Biden nuk ka gjasa të kthehet në statusin quo brenda ditës. Derisa Trump ta vendoste këtë çështje në krye agjendës së partisë së tij, republikanët kishin qenë mbështetës së tregtisë të lirë. Ndërsa bota u bë gjithnjë e më e globalizuar, demokratët, edhe iu bashkuan republikanëve në këtë qasje.

Një nga trashëgimitë e Trump është se ai e ktheu tregtinë ë një çështje thelbësore në politikën amerikane. Edhe pse mund të jetë më e lehtë për të nënshkruar një marrëveshje tregtare me administratën e Biden se sa me Trump, negocimi i saj nuk do të jetë i lehtë, veçanërisht duke pasur parasysh se deficiti tregtar i SHBA me Europën ka kaluar në mbi 170 miliardë dollarë.

Kur bëhet fjalë për çështje si vendimi i Europës për një taksë dixhitale mbi gjigandët e teknologjisë dhe mosmarrëveshja e gjatë për subvencionet për Airbus dhe Boeing, nuk ka negociata të lehta. Biden mund të hapë derën për rinovimin e një marrëveshje të tregtisë së lirë transatlantike. Por shumë udhëheqës europianë nuk janë të interesuar të marrim asnjë hap tjetër, veçanërisht në një kohë kur ekonomitë e tyre po dridhen nga pandemia. Ajo që është e sigurt është se trregtia është një zonë që mund të çojë në thellimin e bashkëpunimit transatlantik me administraën Biden, por është gjithashtu një fushë plot gracka.

Mjedisi

Nëse ka një çështje transatlantike që Biden e ka përparësi është mjedisi. Fitorja e Biden erdhi shumë vonë për të ndaluar ShBA-në të largohej nga marrëveshja e klimës së Parisit, por kjo nuk do të thotë që ai nuk mund të rikthehet në të sapo të marrë detyrën. Dhe ai do ta bëjë. Për Europën, ky  do të jetë një gjest vendimtar i vullnetit të mirë për të treguar se SHBA do t’i bashkohet frontit perëndimor në luftën kundër ndryshimit të klimës. Kjo është një çështje të cilën Biden e ka bërë të qartë se ai e merr seriozisht, duke shkuar aq larg sa të sinjalizojë gjatë fushatës se parashikon që Shtetet e Bashkuara të heqin dorë nga nafta dhe gazi.

Kina

Marrëdhëniet amerikano-kineze janë në kaos dhe kjo nuk ka gjasa të ndryshojë nën presidencën e Biden. Në fakt, vlerësimi se Kina paraqet një kërcënim afatgjatë për interesat e SHBA-së në botë është një nga çështjet e pakta për të cilën Demokratët dhe Republikanët bien dakord këto ditë. Europa nuk është ende e këtij mendim dhe mund të mos jetë kurrë. Megjithëse Komisioni Europian është bashkuar me Uashingtonin në cilësimin e Kinës si një “rival sistemik”, jo çdo kryeqytet europian ndan atë pikëpamje. Pengesa më e madhe është Gjermania, vendi që ka me tregtinë më të madhe me Kinën në Europë. Biden do ta shtyjë Berlinin dhe tërheqësit e tjerë të Europës për t’u bashkuar me një koalicion të udhëhequr nga SHBA në përpjekje për të ndaluar rritjen e ndikimit të Kinës në skenën ndërkombëtare. Pyetja e madhe është a do të ndalojë Europa instalimin e ingranazhit 5G të Huaëeit.

Mbrojtja

Betimi i vendeve të NATO-s në vitin 2014 për të lëvizur drejt shpenzimit të 2 për qind të PBB-së në mbrojtje do të mbetet në agjendën e Biden, edhe nëse ai do të jetë më pak kritik se Trump.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ai nuk do t’u kujtojë europianëve se shumë vende (kryesisht Gjermania) nuk po shpenzojnë mjaftueshëm për mbrojtjen. Biden gjithashtu do të bëjë të qartë se me SHBA-në që duke zhvendosur vëmendjen e saj tek Kina, Europës do t’i duhet të drejtojë përpjekjet për t’iu kundërvënë përpjekjeve të Rusisë për përhapjen e ndikimit. Ndërsa Biden ka qenë i zëshëm në theksimin e domosdoshmërisë së përpalljes së agresionit rus, ai e sheh Kinën si kërcënimin afatgjatë.

Lindja e Mesme

Çfarëdo që të mendojë dikush për politikën e jashtme të Trump, është e vështirë të argumentosh se ai nuk bëri përparim në Lindjen e Mesme në lehtësimin e tensioneve midis Izraelit dhe disa prej fqinjëve të tij. Kjo mund ta bëjë më të vështirë për Biden për të ndryshuar vendimin e Trump për të lënë marrëveshjen bërthamore me Iranin. Një pengesë t është sjellja e fundit e vetë Iranit, e cila ka vazhduar me pasurimin me uranium përtej kufijve të lejuar dhe është bërë gjithnjë e më luftarake ndaj fqinjëve të saj. Brenda Iranit, qeveria islamike ka qenë e pandërprerë në vrasjen dhe eliminimin e kundërshtarëve, përfshirë edhe ekzekutimin e fundit të boksierit Navid Afkari.

Biden ndoshta do të provojë rinisjen e negociatave diplomatike me Iranin, por një kthim i plotë në marrëveshjen bërthamore nuk ka gjasa të ndodhë. Të paktën, Europa ka të ngjarë të fitojë një lehtësim nga sanksionet amerikane ndaj kompanive dhe individëve që bëjnë biznes me Iranin. “Politico.Eu”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë