A keni menduar ndonjëherë se çfarë do të ndodhë me emailet tuaja kur të vdisni? Sigurisht kjo është një pyetje që nuk ju ka ardhur në mend, por ka disa ligje që rregullojnë përmbajtjen digjitale për gjithçka që ju keni në postën elektronike, si fotografitë, mesazhet direkt dhe postimet në rrjete sociale.
Edina Harbinja, pedagoge në Shkollën Juridike në Birmingam, Angli, tregon se si të ruajmë intimitetin pas vdekjes në teknologjitë në zhvillim. Në një intervistë për Bloomberg, ajo shprehet:
Çfarë ndodh me emailin personal, kur dikush ndërron jetë?
“Në shumicën e rasteve asgjë, përveç faktit nëse familja juaj kërkon të ketë qasje”.
Po nëse vendos një menaxher të llogarisë joaktive në Google?
“Po. Kjo ju lejon të kërkoni fshirjen e llogarisë tuaj të emailit, pas një periudhe pasiviteti nga tre deri në 18 muaj. Filloni duke hyrë në llogarinë tuaj dhe zgjidhni “Menaxhoni të dhënat tuaja” dhe me pas “Personalizim”. Mundësia e dytë është të caktoni disa përdorues që mund të hyjnë në llogarinë tuaj, duke parë të gjitha të dhënat”.
Po sikur të mos krijohet menaxheri i llogarisë?
“Të afërmit mund të kërkojnë ta përdorin”.
A do ta marrin llogarinë?
“Ndonjëherë kanë arritur ta marrin. Vitin e kaluar në New York, një gjykatë urdhëroi kompaninë Apple që t’i jepte qasje Nicholas Scandalios në emailin e burrit të saj të ndjerë për të parë fotot e tij. Në mungesë të një menaxheri llogarie ndiqen kushtet e shërbimit nëpërmjet një procesi gjyqësor”.
Po në lidhje me personat që mund të kenë informacion të ndjeshëm mbi punën në emailin personal?
“Përgjithësisht, postat elektronike nuk duhet të ruajnë informacionin thelbësor të biznesit, sepse nëse e bëjnë këtë, përdoruesit duhet të autorizojnë patjetër dikë që mund të përdorë emailin e tij”.
Çfarë ndodh me emailin e punës nëse vdes?
“Kjo gjë varet nga politika e kompanisë, ende nuk ka ligje të qarta dhe kështu është më e sigurt që çdo email i punës t’i dorëzohet kompanisë përkatëse”.
Si do ta di se cilat janë rregullat e kompanisë time?
“Procedurat duhet të specifikohen në kontratë, por kjo gjë është e rrallë”.
Ndër të tjera ekspertja shpjegon se 40 shtete në SHBA ndjekin “Aktin e Rishikuar të Qasjes së Fondit në Pasuritë Digjitale”, që krijon një hierarki për mënyrën se si menaxhohen llogaritë joaktive. Në Europë është ndryshe. Për shembull, në Francë Akti i Republikës Digjitale të Francës, njeh direktiva specifike ose të përgjithshme për transferimin e pasurive digjitale, përfshirë edhe emailet. Ndërsa në Gjermani një gjykatë urdhëroi kompaninë Facebook, që t’u lejojë prindërve qasje në llogarinë e vajzës së tyre të ndjerë në vitin 2018, kështu që ka të ngjarë që postat elektronike të trajtohen në mënyrë të ngjashme dhe të trashëgohen si pronë, sipas ligjit gjerman. /Bloomberg/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



