Mendim

Si do të sillet Perëndimi nëse Rusia sulmon Malin e Zi?

Rusia ka nxjerrë vazhdimisht jashtë loje Perëndimin gjatë viteve të fundit, duke arritur të luajë një lojë të jashtëzakonshme pavarësisht “letrave të dobëta” që mbante në duar. Moska ka fuqizuar aftësitë e saj në luftën e hibride, duke u mbështetur në një sërë metodash të “errëta”, të cilat  përfshijnë presionin diplomatik, lajmet e rreme dhe ndërhyrjen në zgjedhjet e vendeve të tjera. Moska ka arritur të aneksojë me forcë një pjesë të Gjeorgjisë dhe Ukrainës dhe ka sfiduar Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë në disa shtylla të rëndësishme gjeopolitike

Rusia nuk është aq e fuqishme sa ishte në epokën sovjetike, por falë mendimit strategjik të Presidentit Vladimir Putin, po rrit vazhdimisht peshën e saj në çështjet globale. Rusia është shumë më e efektshme se Kina në gjunjëzimin e Perëndimit, duke kërkuar vazhdimisht mënyra për ta minuar sa herë të mundet. Por sfida më e madhe për Perëndimin mund të vijë nga Ballkani, ku Rusia dhe SHBA, janë në konkurrencë të vazhdueshme. Askush nuk e di se për çfarë ranë dakort Presidenti Putin dhe homologu i tij amerikan, Donald Trump gjatë takimit dy-orësh në Helsinki. Ka më shumë gjasa që biseda të jetë vërtitur rreth NATO-s, Krimesë dhe Ukrainë. Me siguri Putini e mori atë që donte nga Presidenti amerikan, ndërkohë që në e sytë e disave, u duk sikur Trump po “luante lojën e rusëve”, duke sulmuar anëtarin më të ri të NATO-s, Malin e Zi.

"Mali i Zi është një vend i vogël me njerëz shumë të fortë-  tha presidenti për “Fox News”, një ditë pas takimit me Putin. Por ata janë gjithashtu edhe shumë agresivë. Papritur ata mund të bëhen të dhunshëm, dhe ja urime, e kemi futur vetën në Luftën e Tretë Botërore”. Pak pas kësaj deklaratë nuk ishin të paktë analistët që deklaruan që filluan të pyesnin si do të reagonte Trump në rast të një sulmi të armatosur ndaj Malin e Zi. A do të shfrytëzonte ai mundësinë për t’u dhënë peshë fjalëve të tij dhe t'u thoshte aleatëve të NATO-s se Uashingtoni nuk do të respektojë nenin 5 të traktatit të NATO-s, duke mos i ardhur në ndihmë Podgoricës.

Presidenti Donald Trump shtyn Kryeminitrin e Malit te Zi

Pa përfshirjen e SHBA-së, Europa ka gjasa të tërhiqet dhe të mos i përgjigjej sulmit të papritur ndaj vendit anëtar të NATO-s. Sulmi i Rusisë nuk do të ndodhte nëpërmjet forcave tokësore, të cilat do të duhej të udhëtonin nëpër vende të shumta që gëzojnë mbështetjen e fortë të Perëndimit. Në vend të kësaj, sulmi ka të ngjarë të vijë nga deti dhe ajri. Një skenar i tillë do të shkatërronte njëherë e mirë NATO-n. Rusia tashmë ka tentuar një grusht shteti në Mal të Zi për të parandaluar anëtarësimin  e tij në Aleancën Atlantike të Veriut, ndërkohë që së fundmi, është zbuluar se agjentët rusë janë përpjekur të shkaktojnë trazira në Maqedoni dhe në Greqi, në përpjekje për të penguar zyrtarizmin e marrëveshjes për emrin. Rusia mund ta plagosë NATO-n, pa sulmuar drejtpërsëdrejti SHBA-në ose forcat perëndimore, mjafton të sulmojë anëtarin më të pambrojtur të aleancës ushtarake.  I vetëdijshëm për këtë fakt, Putin ka angazhuar fuqishëm në Ballkan FSB-në dhe njësisë e inteligjencës ushtarake “GRU”.  Ai gjithashtu ka vendosur shumicën e forcave efektive ushtarake në kufirin perëndimor rus.

Mali i Zi është anëtari më i ri i NATO-s dhe, në shumë mënyra, anëtari më i dobët i aleancës ushtarake. Edhe pse mori pavarësinë nga Serbia në vitin 2006, vetëm 2,000 nga 630,000 qytetarët malazezë janë pjesë e forcave të armatosura. Mali i Zi është një vend i vogël dhe paqësor, i vetmi nga ish republikat jugosllave që nuk u kap pas dhunës. Mali i Zi ishte dhe vazhdon të jetë një kontribues i forcave të NATO-s në Afganistan, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm për aleancën ushtarake. Në fakt, pas kërkesës së Uashingtonit, Mali i Zi rriti ndjeshëm numrin e forcave të vendosura në Afganistan në vitin 2017. Por i Rusia ka bërë presion të vazhdueshëm Malit të Zi përgjatë gjithë dekadës së fundit.

Në vitin 2017, pasi parlamenti i Malit të Zi votoi për t'u anëtarësuar në NATO, ministria e Jashtme ruse tha se qeveria malazeze kishte "injoruar zërin e arsyes dhe ndërgjegjes” dhe se Rusia rezervonte të drejtën për të ndërmarrë hapa për mbrojtjen e interesave dhe sigurinë kombëtare ruse. Rusia i ndaloi të gjitha importet e verës malazeze, ndërkohë që zëdhënësi i Putinit kërcënoi më tej për duke thënë se Moska do të merrte hak.

Ushtarët e Ushtrisë malazeze ngrejnë flamurin e Malit të Zi gjatë Ditës së Pavarësisë më 20 maj 2010

Mali i Zi i është bashkuar tashmë Këshillit të Europës dhe Organizatës Europiane për Siguri dhe Bashkëpunim. BE-ja nga ana tjetër po konsideron seriozisht mundësinë për të ftuar Malin e Zi t’i bashkohet unionit si një anëtar i ri dhe i plotfuqishëm. Arsyeja pse Rusia është aq e shqetësuar, është se Moska nuk dëshiron një vend tjetër pro-perëndimor pranë “kufijve të saj. Në retrospektivë, duket se orvatja e Rusisë në rajon pati kulmin në fund të Luftës së Kosovës në vitin 1999, kur, pas rrëzimit të Slobodan Millosheviç, nisi një garë e habitshme midis forcave ruse dhe Aleancws sw Veriut për të zaptuar një aeroport në periferi të Prishtinës. Rusia arriti atje e para duke rrezikuar të shkaktonte një konfrontim të drejtpërdrejtë me SHBA-në.

Ndërkohë që Moska filloi të zemërohej për shkak të zgjerimit të Aleancës së Veriut, përplasja e radhës erdhi kur ajo pushtoi Gjeorgjinë, pak pasi kjo e fundit aplikoi për t’u anëtarësuar në NATO,  në vitin 2008. Zyrtarët e lartë të SHBA-së,  duke përfshirë edhe ish-këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Stephen Hadley, kanë pranuar publikisht se Perëndimi bëri gabim që nuk iu përgjigj këtij inkursioni. Rusia zotëron ende një pjesë të territorit të Gjeorgjisë edhe sot. Kjo ishte një pikë kthese, që i lejoi Kremlinit të arrinte në përfundimin se mund të sfidonte interesat perëndimore, pa u përballur me asnjë pasojë. Aneksimi i Krimesë nga Rusia dhe pushtimi i Ukrainës lindore ndodhën si përgjigje ndaj revolucionit ukrainas në vitin 2014 dhe ftesës së BE-së për anëtarësimin e Kievit ne bllok. Që atëherë, Rusia ka ndërmarrë qindra manovra provokuese ndaj forcave të NATO-s në ajër dhe në det.

Gjithashtu duket se Moska ndërhyri me sukses në votimin e Brexit dhe në zgjedhjet e vitit 2016 në SHBA, si edhe helmoi një ish-spiun rus në territorin britanik. Pasi ka provokuar disa herë rresht Perëndimin, Rusia duket se ka filluar të përfitojë nga toleranca e aleatëve të NATO-s. Pas takimit Trump-Putin në Helsinki, rusët kanë njoftuar se po ecin përpara në marrëveshjet e arritura gjatë takimit, ndërsa zyrtarët e lartë të SHBA-së dhe komandantët ushtarakë kanë deklaruar se nuk kanë asnjë informacion mbi këto marrëveshje. Burime nga pala ruse sugjerojnë dy liderët diskutuan për organizimin e një referendum i ri në Ukrainën lindore, vizitën e Putinit  në Uashington dhe refugjatët sirianë.

Trump foli shumë herë gjatë fushatës zgjedhore për mënyrën se si NATO po përfitonte nga populli amerikan, duke përmendur në veçanti vendet e Baltikut dhe duke hedhur dyshime nëse ai do ta zbatonte nenin 5. Tani për tani, ai po veçon Malin e Zi, pa e kuptuar se komente të tilla dobësojnë aleancën. Ato i japin Rusisë hapësire, për të destabilizuar anëtarin më të ri të NATO-s dhe për të përtërirë konfliktet e vjetra në Ballkan. Në rastin më të keq, këto fjalë reflektojnë pikëpamjet e Putinit, duke ngritur shqetësime serioze se dy presidentët arritën në njëfarë mënyre një pakt me dyer të mbyllura mbi Malin e Zi.

Investimet e Rusisë në Mal të Zi

Rusia nuk do integrimin e Malit të Zi në strukturat euroatlantike, pasi e konsideron jo vetëm si daljen e saj në Detin Adriatik, por edhe si një partner kryesor ekonomik. Në vendet e tjera të rajonit (Serbi, Bosnje dhe Herzegovinë, Bullgari) Kremlini shtrin ndikimin e tij nëpërmjet investimeve të korporatave të mëdha në sektorin e energjisë dhe duke forcuar varësinë nga furnizimet energjetike ruse. Por Mali i Zi, nga ana tjetër, nuk është i varur nga burimet ruse të energjisë. Ai nuk është bërë pjesë e asnjë prej tubacioneve ruse dhe sektori i energjisë kontrollohet nga kompanitë greke.

Megjithatë, kjo nuk e ndryshon faktin se Rusia është ende investitori më i madh në Mal të Zi.  Sipas të dhënave të Bankës Qendrore ruse, investimet në Podgoricë tejkaluan 1.3 miliardë dollarë në vitin 2016, që do të thotë se mbi 28 përqind e të gjithë investimeve të huaja erdhën nga Kremlini. Shkalla e vërtetë e angazhimit rus mund të jetë edhe më e madhe, pasi një pjesë e investimeve ruse kryhen nga kompani të regjistruara në Mal të Zi ose në vende të tjera. Për shkak të vendndodhjes tërheqëse të Malit të Zi në Detin Adriatik, ndikimi i Rusisë fokusohet në dy sektorë, turizmin dhe tregun e pasurive të paluajtshme. Si pasojë e investimeve të shumta në shtetin e vogël ballkanik, rusët janë përfshirë në sferën ekonomike dhe sociale të vendit. Sipas të dhënave për vitin 2015, nga 4 mijë kompani të huaja që veprojnë në Mal të Zi, 32 përqind janë në pronësi të qytetarëve rusë. Në Malin e Zi veprojnë shkolla, radio, gazeta dhe organizata sociale dhe kulturore ruse.

Duke përfituar nga lëvizja pa viza, ata janë të dytët pas serbëve, që vizitojnë më shumë Malin e Zi. Në prag të shpalljes së pavarësisë në vitin 2006, elitat malazeze e panë Rusinë si një mundësi të artë për zhvillimin e shpejtë ekonomik të vendit të tyre. Niveli i lartë i korrupsionit dhe mungesa e institucioneve të forta dhe drejtësisë i frikësuan investitorët perëndimorë, por për partnerët rusë kjo nuk paraqiste asnjë problem. Mali i Zi, ashtu si vendet e tjera të rajonit, u përpoq të mbante marrëdhënie të mira me Moskën, por pas shpërthimit të krizës në Ukrainë në vitin 2014, Pogdorica e ndau qartë rrugën dhe zgjodhi integrimin në BE. Vendi u bashkua me sanksionet e imponuara ndaj Rusisë nga vendet anëtare të bllokut. Ky veprim, së bashku me përpjekjet për t'u anëtarësuar në NATO, shkaktoi një reagim të fortë nga Moska, e cila vendosi sanksione ndaj Podgoricës dhe i bëri thirrje qytetarëve rusë të kufizonin investimet dhe vizitat turistike në Malin e Zi, pavarësisht se e “kishin blerë me flori” një pjesë të tij.

Grushti i shtetit

Qëllimet e ndërhyrjes së Moskës në Malin e Zi, janë bërë publike pas një komploti të rëndë, që u demaskua vjeshtën e 2016-ës. Në mesin e tetorit, autoritetet malazeze arrestuan rreth 20 persona mbi një komplot për të rrëzuar qeverinë e Podgoricës dhe vrarë kryeministrin Milo Gjukanoviç, politikanit që sundoi Malin e Zi nga viti 1991.  Më vonë u zbulua se drejtuesit e komplotit ishin dy nacionalistë rusë. Ndërkohë që zyrtarët malazezë ishin të kujdesshëm të mos e drejtonin gishtin nga Kremlini, shumë pyetje mbi atë që ndodhi, po marrin përgjigje.  Dy shtetasit rusë u dëbuan me shpejtësi nga vendi. Disa nga serbët dhe malazezët që janë arrestuar për komplotin, kishin shërbyer me forcat ruse në lindje të Ukrainës, ku beteja e orkestruar nga Moska ka përfshirë edhe përdorimin e mercenarëve të huaj, duke përfshirë edhe nacionalistët sllavë nga lindja. Shërbimet e sigurimit në Ballkan dhe më gjerë dyshojnë se inteligjenca ruse ishte dora e fshehtë prapa komplotit, gjë që duket më se e besueshme duke pasur parasysh shumat e mëdha të parave ‘cash’ dhe mjetet e avancuara të komunikimit, që iu gjetën komplotuesve të grushtit të shtetit.

Kremlini pa dyshim donte të ndalonte Malin e Zi të bashkohej me NATO-n, por të sulmosh parlamentin në Podgoricë dhe të vrasësh kryeministrit e vendit, për të instaluar një qeveri pro-ruse, duket një ‘sjellje e egër’, madje edhe për Vladimir Putin. Tanimë, gati dy vjet më vonë, ka prova të forta se Kremlini fshihej pas komplotit atje. “Komandanti i operacionit ishte  Eduard Shirokov, oficer i shërbimit ushtarak rus të inteligjencës, njësi ushtarake që njihet si ‘GRU’.

 Agjencitë e inteligjencës perëndimore kanë ndihmuar autoritetet malazeze në hetim e tyre, veçanërisht agjencitë amerikane dhe britanike, të cilat kanë përpiluar dëshmi mbresëlënëse duke provuar se zyrtarët rus ishin prapa komplotit. Provat e inteligjencës, duke përfshirë thirrjet telefonike dhe emailet e përgjuara, e bëjnë të qartë se Kremlini kishte planifikuar dhe organizuar një operacionin sekret për të mbajtur Malin e Zi jashtë NATO-s. Ky konkluzion është konfirmuar edhe nga burime të Komunitetit të Inteligjencës.

Ekspozimi i veprimeve të paligjshme të Kremlinit në Mal të Zi është një shenjë e mirë që tregon se vendet evropiane janë duke u lodhur nga lojërat e “spiunit Putin”. Para 3 vitesh, komandantët e “lavdishëm” të Vladimir Putin, udhëhoqën aneksimin e  Krimesë dhe operativët e tyre mbeten aktiv në shumë vende, sidomos në Evropë. Verën e kaluar, operativët klandestinë të GRU-së ruse fshiheshin pas disa incidenteve të dhunshme në Francë, ndërsa tetorin e kaluar mbështetja e  tyre për aktivistët e ekstremit të djathtë në Hungari u bë vdekjeprurëse kur një neo-nazist i Gru-së vrau një polic.

Lufta e Perëndimit kundër Putinit do edhe shumë kohë të përfundojë. Në të vërtetë, ajo është ende në fazat e hershme, pasi qeveritë perëndimore dalëngadalë  po pranojnë shtrirjen e aktiviteteve klandestine të Kremlinit, të cilat kanë për qëllim dëmtimin e shoqërve të trazuara ballkanike. Megjithatë, nëse Mali i Zi pati fuqinë për t’u kundërpërgjigjur, duke i bërë thirrje Moskës të paguante për krimet e saj, edhe Perëndimi duhet të jetë në gjendje të mbajë Rusinë jashtë Ballkanit

Burimet: "Foreing Policy", "Financial Observer", "Reuters"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë