Shendet

Çfarë dimë për dozën e tretë të vaksinës, plus-minuset e saj dhe ku po aplikohet

Doza e tretë e vaksinës kundër Covid-19 nga Komisioni Shkencor Teknik  AIFA -s, Agjencia Italiane e Barnave, është drejt aprovimit.

Rreth 500,000 pacientë me imunitet të dobët (ata që janë me kancer, kanë bërë transplant, pacientë me sklerozë të shumëfishtë) do të fillojnë dozën e tretë në fund të shtatorit.

Në fund të vitit, ndoshta në dhjetor, do të jetë radha e 4.2 milionë të moshuarve mbi 80 vjeç për të marrë dozën e tretë në Itali.

Në periudhën janar- shkurt të vitit që vjen punonjësit e shëndetësisë ata të vijës së parë që janë më te ekspozuar ndaj infektimit  do të marrin “përforcuesin” apo dozën e tretë.

Sa i përket pjesës tjetër të popullsisë, Aifa do të presë përfundimet e Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA) e cila ka filluar një vlerësim të dyfishtë ditët e fundit: e para lidhet me këshillueshmërinë e procedimit me një dozë të tretë përforcuese të vaksinës Pfizer nga vetë kompania prodhuese për të gjithë popullsinë mbi 16 vjeç, gjashtë muaj pas dy dozave

Dhe e dyta lidhet me të dhënat e përfituara nga literatura shkencore mbi përdorimin e një doze të tretë shtesë të vaksinës mRNA (Moderna dhe/ ose Pfizer) në njerëz me imunitet të dëmtuar rëndë.

EMA gjithashtu sqaroi se është në pritje të vendimit ndërsa shtetet anëtare të BE-së mund të marrin në konsideratë planet përgatitore për administrimin e dozave shtesë.

Gjermania, Spanja dhe Portugalia i kanë dhanë dritën jeshile dozës së tretë për ato subjekte që vuajnë nga imuniteti i dobët ndërsa Franca nuk ka marrë ende vendim.

Izraeli, një nga vendet më të vaksinuara në botë, për t’iu kundërvënë rritjes së infeksioneve që filloi në qershor për shkak të variantit Delta, filloi të administrojë dozën e tretë Pfizer qysh më 30 korrik nga ata mbi 60 vjeç për të kaluar me pas tek ata në moshë më të re.

Kjo procedure duket se funksionon, pasi kurba e infektimeve po zvogëlohet.

Megjithatë nuk ka një marrëveshje të plotë midis shkencëtarëve nëse duhet të vijohet me dozën e tretë apo jo.

Ndërsa ka mendime më të favorshme (dhe dëshmi mjekësore) në lidhje me njerëzit me imunitet të dobët, nuk është njësoj e qartë nëse, pas sa muajsh nga përfundimi i ciklit të vaksinimit, është e nevojshme të vazhdohet me “dozën e tretë” tek të gjithë kategoritë e tjera.

Një dozë e tretë do të shërbente për të zgjuar kujtesën imunologjike që po zbehet me kalimin e kohës.

Sidoqoftë, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ndaluar përkohësisht përdorimin e dozën së tretë, deri para Dhjetorit me qëllim që secili vend të vaksinojë të paktën 40% të qytetarëve të tij deri në fundi i vitit dhe 70% e popullsisë botërore të jetë e vaksinuar deri në mesin e vitit 2022.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë