Komunitet

Çfarë dhe sa konsumojnë shqiptarët? Konjaku, rakia dhe Whisky në top listë. Të rinjtë nën 34 vjeç, konsumatorët më të mëdhenj

Shqiptarët konsumojnë çdo vit rreth 2 milion litra pije alkoolike. Pijet më të konsumuara rezultojnë konjaku e rakia, që kryesisht prodhohen në vend, ndërkohë që për sa u përket pijeve alkoolike të importuara, preferohet whisky.

Kjo është ajo çfarë vërehet në Raportin e Monitorimit të Mallrave të Akcizës të publikuar nga Autoriteti i Konkurrencës, të dhënat e të cilit merren në shqyrtim në Dokumentin e Strategjisë për Parandalimin dhe Zvogëlimin e dëmeve të lidhura me Alkoolin në Shqipëri.

Në të dhënat e mësipërmes theksohet se tregu i prodhimit vendas të pijeve alkoolike zë rreth 45% të konsumit vjetor të këtyre produkteve.

“Kompanitë vendase prodhojnë kryesisht konjak, shumica e të cilit eksportohet por edhe konsumohet nga konsumatorët shqiptarë. Ky produkt zë 74% të totalit të pijeve alkoolike të prodhuara në vend, ndjekur nga rakia me 15%. Gjithsesi, prodhimi i rakisë mendohet të jetë më i madh, në kushtet kur një pjesë e konsiderueshme prodhohet nga familjarë apo në punishte të paliçensuara.”, – vërehet mes të tjerash, ndërsa bëhet me dije se “Aquila Liquori” është kompania që dominon prodhimin e konjakut në vend dhe e vetmja që prodhon liker dhe uzo në Shqipëri.

Rreth 92% e konjakut dhe 96% e rakisë që konsumohet mbulohet nga prodhimi vendas, kryesisht për shkak të çmimeve më të lira dhe të peshës që zënë këto produkte në konsumin në familje dhe më pak në bare.

Raporti nënvizon se kohët e fundit vihet re një rritje e dukshme në tregun e verërave në Shqipëri, por nga ana tjetër, oferta po rritet me ritme më të shpejta se kërkesa. Prodhuesit shqiptarë të verës ndahen në: prodhues individualë dhe kantina të liçensuara.

Vlen të theksohet se shumica e prodhimit vendës përbëhet nga vera e kuqe, ngaqë konsiderohen nga publiku dhe prodhuesit si të cilësisë më të lartë. Edhe verërat më të shtrenjta janë thuajse të gjitha të kuqe.

Konsumi i birrës, i ulët

 Operatorët e tregut vlerësojnë se konsumi në Shqipëri mbetet i ulët, pa ndryshime të mëdha nga viti në vit, teksa konsumatorët shqiptarë preferojnë pije më të forta alkoolike se birra.

“Në vendet e BE-së, birra konsumohet katër herë më shumë se në Shqipëri dhe në rajon dy herë më shumë. Prodhimi vendas dhe birra e importit janë në shifra pothuaj të barabarta (me tendecë të rritjes së kësaj të fundit për arësye kryesisht të modifikimeve ligjore recente).”

Ëhisky rezulton si superalkooliku më i preferuar nga shqiptarët. Sipas të dhënave, kjo pije zë rreth 36% të tregut të alkoolikëve të fortë që konsumohen në vend.

Vodka zë rreth 20% të pjesës së tregut të pijeve alkoolike të forta sipas volumit dhe 16.7% të tregut sipas vlerës, çka tregon për një pije me një çmim relativisht të ulët.

Një tjetër pije, siç është xhini, zë 13.2% të tregut të importit të pijeve alkoolike të forta.

Të rinjtë nën 34 vjeç, konsumatorët më të mëdhenj të alkoolit

Nga Anketimi mbi Përdorimin e Substancave-Shqipëri 2014, realizuar nga ISHP, janë raportuar të dhëna, veç substancave të tjera, edhe mbi përdorimin dhe abuzimin e alkoolit.

Sipas rezultateve treguese të këtij studimi, i cili u krye me anketimin e 2246 subjekteve pjesëmarrës u konstatua se grup-mosha 15-64 vjeç përbënte 69.8% të konsumatorëve të alkoolit, grup-mosha 15-34 vjeç përbënte 68.7%, ndërsa përqindjen më të madhe, 76.8%, e përbëntë grup-mosha 25-34 vjeç.

Tek treguesi “përdorimi i alkoolit varësisht gjinisë”, studimi konstaton se përdorimi i alkoolit gjatë jetës tek meshkujt është 80%, ndërsa tek femrat 59.5%, kurse nën treguesi “prevalenca vitin e fundit”, ka raportet përkatëse 73.6% (meshkuj) dhe 49%(femra).

Më tej studimi raporton se varësisht rezidencës, prevalenca e përdorimit të alkoolit gjatë jetës, në zonat urbane është 73.5%, dhe në ato rurale 65.8%.

Në treguesin konsumi i alkoolit midis adultëve, studimi raporton se 8.3 % e tyre janë konsumatorë ditorë, 30.1% konsumatorë javorë, 36.4% mujorë dhe 34.5% vjetorë.

Intoksikimi nga alkooli

Nga të dhënat e Shërbimit Alkoologjik pranë QSUT-së vërehet se janë me mijëra pacientët, të cilët janë trajtuar për intoksikim nga alkooli dhe mes tyre, numrin më të madh e zenë meshkujt.

Kështu, numri total i pacientëve të trajtuar gjatë periudhës 6 vjeçare (2010-2015) nga ky shërbim ka qenë 2534 (2111 meshkuj dhe 423 femra).

 Nga ky total 13 pacientë (0.51%) i përkasin moshave nën 16 vjeç, nga të cilët 12 meshkuj (0.47%) dhe 1 femër (0.04%).

117 pacientë(4.62%) i përkasin grup-moshës 16-18 vjeç, nga të cilët 113 meshkuj(4.46%) dhe 4 femra (0.16%).

882 pacientë(34.81%) i përkasin grup-moshës 19-25 vjeç, nga të cilët 709 meshkuj(27.98%) dhe 173 femra (6.83%).

 1516 pacientë(59.83%) i përkasin moshave 26 e më shumë vjeç, nga të cilët 1271 meshkuj(50.16%) dhe 245 femra (9.67%).

Si konkluzion, nga numri i përgjithshëm i pacienteve të trajtuar gjatë periudhës në fjalë, 83, 31% janë meshkuj dhe 16.69% femra (afërsisht në raportin përkatës 5/1).

Qëllimi i strategjisë katërvjeçare (2017-2021) për parandalimin dhe zvogëlimin e dëmeve të lidhura me alkoolin në Shqipëri është të parandalojë apo të minimizojë dëmet që alkooli shkakton tek individi, familja dhe komuniteti, në kontekst të zhvillimit të një kulture pirëse të sigurtë dhe të shëndetshme.

Specialistët, duke u bazuar edhe në orientimet e OBSH- së vërejnë se fokusi është në shndërrimin e problemit të abuzimit të alkoolit në problem të të gjithë shoqërisë.

“Abuzimi me alkoolin është një çështje e shëndetit publik dhe sigurisë, që ndikon në cilësinë e jetës për individin, familjen dhe komunitetin. Përpjekjet sociale për krijimin e një kulture të konsumimit të arsyeshëm të pijeve alkoolike dhe të një mjedisi që mbështet jetesën e shëndetshme, mund të parandalojnë apo të zvogëlojnë dëmet alkool- lidhura.”, vërehet mes të tjerash në dokument.

Një Këshill kombëtar mbi alkoolin?

Dokumenti strategjik nënvizon se përdorimi i dëmshëm i alkoolit mund të reduktohet nëse ndërmerren veprime efektive nga Shteti.

“Qeveria duhet të krijojë strukturën e duhur institucionale që do të koordinojë aktivitetet për uljen e abuzimit të alkoolit dhe pasojave rrjedhuese, të tillë si një Këshill Kombëtar mbi Alkoolin, i përbërë nga përfaqësues të lartë të ministrive relevante dhe partnerë të tjerë, në mënyrë që të sigurohet një qasje koherente ndaj politikave të alkoolit dhe balanca e duhur midis qëllimeve të politikave ndaj përdorimin të dëmshëm të alkoolit dhe qëllimeve të politikave të tjera publike.”,- vërehet në dokumentin strategjik.

Alkooli është shkaktar i lidhur me më shumë se 65 situata të ndryshme mjekësore, duke filluar nga plagosjet deri në zhvillimin e nozologjive kronike alkool-rrjedhura, si ato hepatike, onkologjike, kardiovaskulare, neuro-cerebrale, etj. Hulumtimet raportojnë se rritja e përqindjes së sëmundjeve kronike të popullatës është në proporcion të drejtë me rritjen e përqindjes së përgjithshme të alkoolit të konsumuar. Blerina Goce


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë