Drejtësia

Shtyhet seanca për Mediun. Familjarët e viktimave tani mund të jenë pjesë e procesit

Gjykata e Posaçme ka shtyrë sërish seancën për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediun. Në seancë u përsërit sërish kërkesa e familjarëve të viktimave për të qenë palë në proces, kërkesë që kësaj radhe u pranua. Ndërsa risi gjatë seancës ka qenë kërkesa e një prej të plagosurve gjatë tragjedisë së Gërdecit. GJKKO mori vendimin për të njoftuar të gjithë 290 personat e dëmtuar të cilët do të marrin pjesë në seancën e radhës.

Në fakt sot pritej pretenca për Fatmir Mediun i akuzuar për çështjen e Gërdecit. Prokuroria e Posaçme pritej që të lexonte konkluzionet për Mediun, të cilin e ka marrë të pandehur për dy vepra penale.

Në 24 maj seanca u shty, shkak u bë mungesa e avokatëve mbrojtës të ish-ministrit të Mbrojtjes, Henrik Ligori dhe Ardian Visha.

Fatmir Mediu është marrë i pandehur nga SPAK për akuzën e “shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim” dhe “shpërdorim detyre në kuadrin komandues ushtarak” për çështjen “Gërdeci”.

Mediu akuzohet se në lidhje me procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish ‘Brigatës së Tankeve’, në fshatin Gërdec, Bashkia Vorë, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin.

Prokuroria thotë se këto akte në lidhje me shitjen dhe çmontimin e një sasie municioni “kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit dhe kanë sjellë avantazhe të padrejta për shoqëritë SAC inc dhe Albademil sh.p.k.”

Dosja për Mediun u hap nga kallëzimi i familjes Durda, e cila humbi fëmijën në tragjedinë që u mori jetën 26 personave dhe plagosi 300 të tjerë. Por fati i ish-ministrit do jetë në duart e gjyqtarit paraprak që pritet ta kalojë çështjen në gjykim themeli.

Më herët në SPAK janë pyetur një sërë zyrtarësh dhe jo vetëm, midis tyre edhe Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Berisha.

Në 15 mars (e shtunë), 2008 rreth orës 12:05, si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në një "fabrikë" për demontimin e armëve, humbën jetën të paktën 26 persona, punëtorë të kësaj fabrike “vdekjeje” dhe fëmijë të zonës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë