Nga Gazeta ‘Si’- Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se mendon që ka nevojë edhe për një takim shtesë për çështjen e dinarit serb, pas takimeve që zhvilloi me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviç, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Gjatë 25 marsit, Kosova dhe Serbia kanë diskutuar për propozimet e tyre për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua për pagesa në Kosovë që nga 1 shkurti.
“Mendimi im është se këto propozime ende janë shumë larg njëra-tjetrës. Ne tentuam të afroheshim, por si duket ka nevojë për një takim shtesë, ndoshta Lajçak do të ofrojë që ai të mbahet javën e ardhshme”, tha Bislimi.
Bislimi tha se gjatë takimit në Bruksel, të ndërmjetësuar nga i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Kosova ka paraqitur dy propozime, por nuk dëshiroi që të shpalosë detaje.
“Ne kemi dy propozime. Ne e dimë se cili është fokusi i secilës palë, por në këtë pikë do të dëmtonte më shumë procesin nëse ne vazhdojmë të paraqesim detajet e dy propozimeve”.
Fillimisht, më herët gjatë ditës, u zhvillua një takim trepalësh mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviç, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak. Më pas, Lajçak zhvilloi takime dypalëshe me dy delegacionet.
Kryenegociatori i Kosovës tha se gjatë takimeve diskutuan se cili është modaliteti më i mirë për të siguruar që Serbia të mund të vazhdojë dërgimin e mbështetjes financiare për qytetarët e Kosovës me kombësi serbe, që do të ishin në përputhje me rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës për transferet e parave të gatshme.
“Të dyja palët dorëzuan të premten 22 mars dhe sot ne i prezantuam ato dhe diskutuam për to”, tha Bislimi.
Takimet e sotme ishin vazhdim i takimit të javës së kaluar, kur të dyja palët u pajtuan për të propozuar një zgjidhje për çështjen e dinarit. Në takimin e sotëm pritej që të diskutoheshin propozimet e secilës palë.
Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës e futi në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




