Gazeta Si – Luiza Gega, kampione e Europës, është pritur sot në një ceremoni të veçantë nga Kryeministri Edi Rama. Një ceremoni për të nderuar atleten shqiptare për medaljen e artë të fituar pak ditë më parë në Mynih. Ajo u nderua nga kryeministri Rama me medaljen ‘Kordoni i madh me Yllin për Mirënjohje Publike’, si dhe ka marrë gradën ‘Kolonel’, një risi kjo në sport tashmë.
Para se të shkonte në kryeministri, Luiza Gega, me flamur kuqezi në duar, bashkë me trajnerin Taulant Stërmasi, përshëndeti fansat e saj në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, e hipur në një makinë të zbuluar.

Në fillim ka folur presidenti i KOKSH-it, Fidel Ylli, i cili ka përsëritur kërkesën drejtuar kryeministrit Rama për një infrastrukturë më të mirë sportive për të rezultate edhe më të mira në çdo sport.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj, u ndal më së shumti te personaliteti e Luiza Gegës, për të cilën theksoi se nuk tha kurrë një fjalë të keqe për vendin e saj edhe kur është stërvitur në kushtet më të këqija.
“Jam e lumtur, sepse triumfoi modeli i punës dhe sakrificës, jo thjesht se Luiza fitoi medalje të artë”, – tha mes të tjerash në fjalën e saj ministrja e Sportit, Evis Kushi. Ajo bëri me dije se tani do të ketë edhe grada honorifike për sportistët elitarë, që do të thotë edhe shpërblim financiar. Luiza Gega do të ketë tani gradën ‘Kolonel’.
Pastaj fjalën e mori kryeministri Rama, i cili mes të tjerash u shpreh: “Është krenari dhe privilegj i veçantë që të kemi mes nesh, në përpjekje për të të thënë faleminderit.
Nuk na ndodh shpesh të lëmë pas Gjermaninë. Sot në këtë sallë, Gjermania është pas Shqipërisë. Shteti sot e ka humbur rivalitetin me sportin.
E dashur Luiza, nuk ka asgjë të pamundur për atë që kërkon të ndjekë ëndrrën e vet. Të jesh kampione në një vend që pistën e atletikës e ka ndërtuar tani, do të thotë se asnjë pengesë me këdo qoftë para teje, nuk të pengon të shkosh në majë dhe të paguash çmimin e sfilitjes, gjakut të lotëve të tu.
Nuk ka medalje që kompenson sfilitetjet dhe djersën, është medalje mirënjohjeje dhe admirimi. Kjo medalje, ‘Kordoni i madh me Yllin për Mirënjohje Publike’ është për figurat e larta shtetërore, por ty të takon më shumë se të tjerët.
Mes shumë emocionesh e mori fjalën atletja Luiza Gega, e cila tha: “Ndihem më krenare se kurrë, ndaj dhe u vesha me ngjyrat kuqezi. Dua ta nis me falënderime, sepse pa to nuk do të isha këtu. Familja e para dhe pastaj trajneri im, sepse pa të nuk do të isha në majat e Europës.
Faleminderit kryeministrit dhe ministres për ndryshimet që keni bërë në sport. Sporti nuk do t’ia dijë për politikën. Ne sportistët duam që të bëjmë krenar vendin tonë. Faleminderit që më keni mbështetur të gjithë. Edhe shokët e mi, Izmirin, Brekenin, i falënderoj që më kanë motivuar. Faleminderit atyre që më kanë mbështetur financiarisht.
Ka pasur shumë vështirësi gjatë rrugës. Kam pasur edhe oferta nga vende të tjera, por e dua vendin tim.
Asnjëherë më parë nuk i kam ndjerë njerëzit e vendit tim më afër se këto ditë. Kam marrë shumë mesazhe, edhe nga njerëzit e thjeshtë, të cilët janë pjesë e motivimit tim. Kurrë nuk jam ndjerë më krenare se sot”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.