Nga Gazeta ‘Si’ – Drejtoresha e Institutit të Statistikave, Elsa Dhuli ka zbuluar se të dhënat e censit të popullsisë dhe banesave do të jenë gati për publikim në muajin qershor.
Në një deklaratë për mediat, Dhuli u shpreh se të dhënat që do të publikohen do të përmbajnë informacion të detajuar mbi demografinë, ekonominë, arsimin dhe shëndetësinë.
“Rezultatet e censit do të ofrojnë një bazë të fortë për planifikimin e politikave publike dhe do të ndihmojnë në zhvillimin e programeve që synojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve. Gjithashtu, ato do të kontribuojnë në përmirësimin e shërbimeve dhe infrastrukturës, si dhe do të ndihmojnë në monitorimin e progresit të vendit në arritjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm”, u shpreh Dhuli.
Ajo pranoi se ka pasur raste kur qytetarët kanë refuzuar të plotësojnë pyetësorin, por nuk konfirmoi për gjoba të vendosura pasi ende po analizohet procesi.
“Për një numër të saktë nuk mund ta them. Kemi pasur raste të refuzimeve, në nivele minimaliste. Krahasuar me vitet e mëparshme janë të vogla pasi ka qenë fushatë ndërgjegjësimi e madhe. Madje, kemi pasur raste të shumta në numër ku qytetarët kërkonin të bëheshin pjesë. Lidhur me gjobat, duhet ta analizojmë procesin, pastaj mund të fillojmë me procese të mëtejshme”, tha Dhuli.
Në terren kanë qenë 7500 anketues.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.