Futboll

Çelsi shkon në finale të Carabao Cup, Broja protagonist në goleadën e londinezëve

Gazeta Si – Pak më shumë se një orë në fushë për Armando Brojën në gjysmëfinalen e kthimit të Carabao Cup ndaj Midëllsbrout. Çelsi fitoi 6-1 në këtë ndeshje, por emri i sulmuesit shqiptar mungon në listën e golashënuesve. Megjithatë, ai ishte protagonist për skuadrën e tij.

Broja e shijoi përgjysmë golin e parë të Çelsit, që u shënua nga një mbrojtës kundërshtar, në tentativë për të larguar topin nga këmbët e futbollistit shqiptar. Edhe në rastin e golit të dytë, Broja mori pjesë në aksion, kur topi i prekur prej tij shkoi në këmbët e Fernandez.

Sulmuesi kuqezi u ndërrua nga trajneri Poçetino në minutën e 65-të. Ndoshta argjentinasi ka dashur ta ruajë për kampionatin, pasi mund të linte ende në fushë që Broja të gjente golin.

Çelsi është kualifikuar për në finalen e Carabao Cup, ku do të ndeshet me Liverpulin ose Fulhemin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë