Politike

Celibashi: Rreth 2 mijë fletë votimi të pavlefshme nga diaspora

Nga Gazeta ‘Si’- Kryekomisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi thotë se vijon verifikimi i fletëve të votimit nga diaspora, teksa po kryhet numërimi për kandidatët.

Sipas Celibashit, jo të gjitha zarfet e ardhura nga shërbimet postare, si DHL apo operatorë të tjerë, kanë pasur të gjithë elementët e nevojshëm për vlefshmërinë e votës.

Ai bëri të ditur se numri total i fletëve të votimit të vlerësuara nga KQZ është 201.795, nga të cilat 199.824 janë shpallur të vlefshme, ndërsa vetëm 1.971 janë konsideruar të vlefshme.

Një tjetër çështje e theksuar ishte mënyra e mbërritjes së zarfeve.

“Janë 107 zarfe nga 353 që KQZ i ka marrë në shqyrtim dhe i ka vlerësuar. Të 353 zarfet e mbërritur janë zarfe të DHL, por nuk kanë ardhur përmes rrugës normale, por kanë ardhur përmes një shërbimi postar tjetër, përfshirë edhe postën shqiptare”, tha Celibashi.

“Nëse verifikohen shkeljet e ligjit dhe ndikojnë në rezultat, çdo lloj votimi mund të shpallet i pavlefshëm”, deklaroi Celibashi kur u pyet nëse ka bazë ligjore që votimi nga jashtë të shpallet i pavlefshëm, kryesisht ai me Greqinë pas akuzave nga opozita.

Celibashi garanton se çfarë ka përgatitur KQZ në këtë proces është në integritet të plotë, por ngelet në diskutim mënyra sesi kanë votuar votuesit nga jashtë.

“Ajo që mund të them, nuk jap gjykimin mbi vlefshmërinë jo, por me siguri të plotë them që çfarë ka administruar e përgatitur KQZ me këtë proces ka prodhuar integritet të plotë për atë kompetencë të KQZ. Ngelet diskutimi sesi votuesit nga jashtë kanë votuar por në momentin që secili ka vendosur fletën e votimit në zarfin përkatës dhe ky ka mbërritur në KQZ asgjë nuk e ka cenuar integritetin e këtij dokumentacioni zgjedhor”.

Por nga ana tjetër, thekson Celibashi, janë në të drejtën e vet dhe kanë legjitimitet për të kërkuar e sqaruar çdokush që ka pretendime mbi këtë proces.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë