Nga Gazeta ‘Si’-Kryekomisioneri i KQZ-së, Ilirjan Celibashi ka shkuar në KZAZ-në e Kasharit pas incidentit të ndodhur për shkak të një vote të kontestuar, ku u sulmua fizikisht sipas pamjeve të publikuara, edhe sekretari i komisionit.
Për ngjarjen u bë kallëzim në Polici, teksa Celibashi përjashtoi të gjithë vëzhguesit partiakë të akredituar, përveç atyre të mediave dhe ndërkombëtarë.
Ai tha pas daljes nga KZAZ se incidenti kishte kaluar, masat ishin marrë dhe numërimi për kandidatët kishte rifilluar.
“Mediat të jenë të pranishme gjatë numërimit. Numërimi në KZAZ-në e Kasharit ka filluar. Numërimi pa praninë e vëzhguesve politikë. Mediat kanë të gjithë të drejtën për ta ndjekur procesin që nga dita e parë. Diskutimin për fletën për të cilën ndodhi ngjarja nuk është vendi për ta komentuar”, tha Celibashi, pa dhënë shpjegime të tjera për rrethanat e incidentit, se e kujt ishte vota e kontestuar.
Ai u pyet për të dhënë detaje rreth ngjarjes, por komentoi shkurt:
“Nuk kam asnjë koment sepse është tej përgjegjësisë time për këtë. Nuk është çështje e KQZ pse personi është larguar, por është Policia e Shtetit që e ka kompetencën, ajo është vetë kompetente për ta ndjekur, s’ka nevojë për njoftimin e KQZ”.
Pas incidentit, policia ka shoqëruar në komisariat dy persona. Ndërkohë, pranë KZAZ-së u gjet një shumë e konsiderueshme parash, brenda një automjeti.
Sekretari i Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ) në Kashar, Remzi Mehmeti, ka rrëfyer momentet e incidentit, ku vëzhguesi i deputetit Ornaldo Rakipi e ka sulmuar fizikisht dhe goditur me grusht dhe shkelm.

Ai tha se nuk e njihte agresorin dhe menjëherë pas incidentit shkoi të depozitonte kallëzim penal në Komisariatin nr. 6 në Tiranë.
Sekretari shpjegoi se shkak u bë një votë e kontestuar e PS nga vëzhguesi i Rakipit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.