Gazeta Si – Kreu i SPAK, Altin Dumani, gjatë vizitës zyrtare në Bruksel në Qendrën Europiane të Politikave, ka folur për vështirësitë gjatë punës në SPAK që prej krijimit 6 vite më parë.
Dumani theksoi zhvillimin e SPAK-ut si një institucion model i reformës në drejtësi në Shqipëri, i ndërtuar mbi pavarësinë, profesionalizmin, qëndrueshmërinë institucionale, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe besimin e publikut.
Megjithatë Dumani përmendi si vështirësi edhe presionet nga politika, media apo krimi. “Vështirësitë kanë qenë të shumta. Ne në dhjetor mbushim 6 vjet. Vështirësitë kryesore kishin të bënin me organizimin e institucioneve. Një vështirësi tjetër ishte presioni i madh që gjendeshim, i publikut qe kërkonte rezultate, pasi SPAK-u shihej, që prej krijimit, si një shpresë për funksionimin e institucioneve dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Ndërsa pritshmëritë ishin të mëdha, mundësitë tona reale ishin të kufizuara”.
Dumani thekson se një tjetër vështirësi, “ishte menaxhimi i presioneve dhe kërcënimeve të ndryshme që vinin drejt prokurorisë dhe prokurorëve të posaçëm, nga politika, media, por sidomos nga krimi i organizuar”.
Megjithatë, shton Dumani, “prokurorët e SPAK-ut kanë përvojë dhe janë të përgatitur për t’i përballuar këto presione, pavarësisht nga vijnë ato. Secili ka një përvojë të admirueshme dhe janë profesionalisht të maturuar”.
Më herët, kreu i Prokurorisë së Posaçme dhe disa prokurorë të SPAK, së bashku me Prokurorin e Përgjithshëm, Olsian Çela, zhvilluan një takim pune me kryeprokuroren e Belgjikës, Ann Fransen. Takimi është zhvilluar në Bruksel në datat 18-19 nëntor.
Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se takimi u zhvillua në kuadër të marrëveshjeve të bashkëpunimit të nënshkruara mes palëve si dhe në vijim të takimeve që u mbajtën vitin e kaluar në Tiranë.
“Diskutimet u fokusuan në çështje që lidhen me luftën kundër krimit të organizuar, hetimet financiare, pastrimin e produkteve të veprës penale, përdorimin e kriptomonedhave në aktivitete kriminale, koordinimin e hetimeve dhe ngritjen e skuadrave të përbashkëta hetimore. Gjithashtu u trajtuan çështje të ndihmës juridike, përfshirë ekzekutimin e vendimeve penale dhe letërporosive”, – thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



